English

LSI: Tryeza për reformën zgjedhore mund të vazhdojë edhe pa PS

Tiranë, 4 nëntor, NOA – Në tryezën e ardhshme për reformën zgjedhore përveç partive parlamentare do të marrin pjesë edhe partitë jo parlamentare, një format i ri i cili parashikon vazhdimin për tryezën e reformës zgjedhore edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Socialiste në të.

Lidhur me këtë format, Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore në LSI, Spartak Braho deklaroi se “përgjigjia e mazhorancës për këtë ide ka qenë pozitive, pra koncepti ynë që tavolina duhet të jetë e gjerë ka gjetur mbështetje dhe kjo mbështetje do të duket tashmë në atë aksion, që do të ndërmarrë shoqëria civile ku ekspertët e forcave politike edhe partive parlamentare do të jetë prezentë”.

Sa i përket pjesëmarrjes apo jo të PS-së tashmë formati i ri i zhvillimit të reformës do të vazhdojë edhe pa pjesëmarrjen e saj, theksoi Braho.

Zoti Braho deklaroi gjatë konferencës për shtyp se LSI nxit formatin e ri për reformën zgjedhore, duke i bërë thirrje aksionit qytetar të shoqërisë civile, të drejtuar nga ish kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, që të vërë në lëvizje tërë strukturat e tij dhe të fillojë punën sa më parë duke tërhequr në tavolinë ekspertët e subjekteve politike, duke kërkuar dorazi që tryeza e reformës të drejtohet nga Kristaq Kume, si ekspert në fushën e zgjedhjeve.

“Do të njoftohen në mbledhjet e ardhshme dhe ky ishte qëllimi i kësaj konference shtypi që të nxisim këto struktura. Do bëjmë edhe thirrje, që specialistë dhe ekspertë të PS-së të jenë prezentë. Ne do të bëjmë gati draftin e vërejtjeve duke u mbështetur edhe në ato vërejtje themelore, që do të paraqesë çdo forcë politikë, çdo ekspert i shoqërisë civile për të qenë i gatshëm për votim”, sqaroi kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore në LSI. “Nëse do të vijë apo jo PS në këtë fazë është puna e saj, apo në faza të tjera që lidhen me aktivitetin në parlament përsëri është një çështje e PS”, vlerësoi Braho.

“Këto tavolina ne i gjykojmë si tavolina ekspertësh bilateralë, të të tëra dimensioneve në nivel ekspertësh”, tha zoti Braho, duke kundërshtuar mendimin e opozitës që këmbëngul se s’ka nevojë për reformë elektorale dhe ndryshime në kodin zgjedhor, porse sikundër ka deklaruar opozita puna çalon në respektimin e kodit ekzistues.

mit/NOA
KOMENTE