English

Turqi: Vërtetoje që je homoseksual!

Ankara, 4 nëntor, NOA - Ushtria turke ka koleksionin më të pasur me pornografi meshkujsh homoseksualë. Arsyeja: homoseksualët nuk pranohen në ushtri, kur vërtetojnë orientimin seksual. Por ushtria bindet, kur ata tregojnë videon...

Ushtria turke e monitoron në mënyrë strikte zbatimin e rekrutimit të përgjithshëm. Çdo turk duhet të shërbejë në ushtri për një periudhë midis 6 dhe 18 muajsh, përjashtim nuk bëhet për askënd.

Në kazerma shkojnë për kontroll para mobilizimit që prej aktorëve popullorë të filmave dhe baballarëve të familjeve të mëdha, edhe njerëz me të meta. Me përjashtim: të homoseksualëve. Ushtria turke thotë se homoseksualiteti është një sëmundje serioze mendore.

Çfarë sjellin përpjekjet për anëtarësim në BE?

Homoseksualët detyrohen me të gjitha mënyrat që t'i bindin doktorët e ushtrisë se nuk janë "simulantë", të cilët thjesht duan t'i bëjnë bisht ushtrisë. Sipas revistës gjermane "Der Spiegel", situata është tejet absurde. Sepse ky qëndrim ndaj homoseksualëve është krejtësisht i papranueshëm në shekullin e 21-të, dhe kjo në një vend që kërkon të anëtarësohet në BE.

Qeveria myslimane-konservatore e kryeministrit Erdogan mund të përballet nga ky shkak me një kërkesë të pakëndshme në këtë drejtim prej Brukselit. Kjo pasi madje edhe ministrja turke e Familjes, Selma Aline Cavafy, e mbrojti pozicionin e ushtarakëve, se homoseksualiteti është një sëmundje mendore. Dhe me këtë ajo nuk është larg opinionit të shumë turqve.

Me pudër dhe fund

Gazetari i revistës "Der Spiegel", Maximilian Pop tregon në faqet e kësaj reviste historinë e habitshme të një homoseksuali turk. Kur e thirrën për në ushtri, Adnani vrau mendjen si të vepronte. Po ta fshihte orientimin e tij seksual, ekzistonte rreziku që ta zbulonin, të dënonin e terrorizonin, edhe ta përdhunonin. Po ta pranonte që ishte homoseksual do të ishte shumë e vështirë të gjente ndonjëherë punë, me shënimin në librezën ushtarake "devijime seksuale".

Adnani më në fund ia pranoi komisionit se ishte homoseksual, por që prej këtij momenti nisën vuajtjet e tij. Fillimisht e dërguan dy javë në psikiatrinë ushtarake, ku u detyrua t'u ekspozohej kontrolleve mjekësore poshtëruese. Pastaj ai u detyrua të sillte fotografi për të provuar orientimin e tij seksual. Për këtë, ai u detyrua të fotografohej me partnerin e tij gjatë aktit seksual dhe t'ia ofronte materialin konfirmues komisionit. Hapi i fundit ishte dalja sërish para komisionit, i shoqëruar këtë herë nga avokatja. Ai veproi siç e kishte mësuar avokatja: rrojti mjekrën, gjoksin dhe këmbët. Ai vuri buzëkuq, pudër në faqe dhe veshi fund - për t'u pritur me një buzëqeshje tallëse nga komisioni...

Absurditete turke

Ushtria turke e kundërshton faktin se kërkon video-filma ose fotografi nga rekrutët që thonë se janë homoseksualë. Por një sondazh i organizatës së homoseksualëve me qendër në Stamboll, Lambda, konfirmon se rreth një e treta e të pyeturve tregoi që gjatë kontrollit mjekësor u kishin kërkuar me detyrim elementë të tillë personalë. Në Ankara thuhet se meshkuj homoseksualë, që punojnë si prostituta ofrojnë shërbimet e tyre për meshkuj që duan t'i bëjnë bisht shërbimit ushtarak.

“Si rezultat i të gjithë kësaj, ushtria turke ndërkohë posedon koleksionin më të pasur të filmave pornografikë me meshkuj homoseksualë në të gjithë vendin”, - thotë jo pa ironi një avokate.

Deutsche Welle

KOMENTE