English

Abonetë, MPTT depoziton padi ndaj drejtuesve të operatorëve të transportit publik

Tiranë, 5 nëntor, NOA – “Kemi depozituar sot, pranë prokurorisë së Tiranës dhe zyrës së Prokurores së Përgjithshme, kallëzimin penal ndaj gjithë drejtuesve ligjorë të operatorëve të transportit publik, të cilët penalizuan në mënyrë të padrejtë për 3 ditë radhazi, bllokimin e përdoruesve të aboneve dhe disa kategorive të caktuara që përfitojnë lehtësira për shkak të statusit të tyre të veçantë, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”.

Kjo ka qenë deklarata e lëshuar sot nga ministria e Transporteve, sipas të cilës, padia u është drejtuar personave: Hazbi Parllaku dhe Gugash Dollia, drejtues të shoqërisë “Tirana Urban Trans”; Ferdinand Ibrahimi, pronar dhe drejtues i shoqërisë “Ferlut”; Albana Vrapi, pronare dhe drejtuese e shoqërisë “Alba Trans”; Alush Lame, pronari dhe drejtuesi i shoqërisë “Tirana Lines” dhe Redi Berberi, pronari dhe drejtuesi i shoqërisë “Otto Al”.

Ata janë kallëzuar penalisht nga MPTT pasi kanë penalizuar kategori të tilla si invalidët e punës, invalidët e luftës, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të verbrit e shoqëruesit e tyre, jetimët, veteranët e luftës dhe personat me aftësi të kufizuar.

“Megjithë zgjidhjen e situatës pas ndërhyrjes së kryeministrit, ajo çfarë ndodhi, ku rreth 80.000 përdorues të transportit publik iu mohuan të drejtat në mënyrë të paligjshme, nuk mund të kalohet pa u ndëshkuar”, citohet në deklaratë.

Duke përfunduar se për këtë arsye, MPTT i kërkon Bashkisë së Tiranës të penalizojë administrativisht me heqje licence të gjithë operatorët që ndërmorën këtë veprim të paligjshëm, si dhe të marrë të gjithë masat për liberalizimin e tregut të operatorëve të transportit publik qytetas.

n.e/NOA

KOMENTE