Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shëmtia simbolike e antikomunizmit
English

Shëmtia simbolike e antikomunizmit

Nga Ermal Hasimja

Ndërtesat e një qyteti nuk janë të përjetshme: mund të ndryshohen, të prishen, madje edhe të rindërtohen. Qytetet kanë një jetë të tyren. Në këtë dritë, prishja dhe zëvendësimi i Piramidës nuk do të kishte ndonjë problem, e aq më pak të futej në listën e arsyeve... për braktisjen e Parlamentit, siç po bën PS-ja. Mirëpo, në rastin konkret, arsyet e dhëna për prishjen dhe zëvendësimin nuk janë urbanistike, estetike apo ekonomike, por simbolike. Pikërisht kjo përmasë simbolike është e tepruar. Po të mos besonim se z.Berisha nuk i ka seriozisht arsyet dhe ka kujtesë përzgjedhëse, mund ta akuzonim lehtë edhe për ironi të pavend. Përse? Fillimisht, sepse vetë z.Berisha ka më tepër komunizëm në jetën e tij sesa vetë Piramida, të cilën madje shumica e popullsisë së Shqipërisë nuk e pa asnjëherë nga brenda si muze të diktatorit, meqë ajo shërbeu si e tillë vetëm për dy vjet. E nëse pranojmë se ndërtesat janë paksa më neutrale ideologjikisht sesa njeriu, atëherë mund të themi se Kryeministri i bie në qafë më kot, ose të paktën nuk është personi i duhur për ta bërë. Ashtu siç nuk është z.Ruçi personi i duhur për ta akuzuar Berishën për nostalgji komunisti. Nëse kemi probleme me ndonjë ndikim të trashëgimisë komuniste, ajo duhet kërkuar tek njerëzit e jo tek ndërtesat. Nëse faji kërkohet simbolikisht tek ndërtesat, atëherë duhej shembur gjithë Tirana e ndërtuar qoftë prej fashistëve, qoftë prej Enverit, si dhe madje vetë Kryeministri do të duhet të ndërtonte ndonjë shtëpi në periferi, sepse banon në një pallat për të cilin eventualisht Edi Rama ka marrë 20 për qind ryshfet. Elementi simbolik i luftës ndaj komunizmit është në kontrast me mungesën e luftës ndaj pasojave të komunizmit. Paratë e ndërtimit të një Parlamenti të ri mund të ishin përdorur më mirë duke ua shtuar dëmshpërblimeve modeste të ish-të përndjekurve. Në vend që të luftohet komunizmi simbolikisht, mund të ishte zgjidhur prej kohësh pasoja më e rëndë ekonomike e tij, grabitja e pronës private me reformën agrare të vitit 1946. Ish-pronarët mund të jenë më të interesuar për të marrë pronat që ua mori Enveri, sesa për të hequr një simbol të pretenduar të komunizmit. As kjo nuk është bërë. Dekomunistizimi nuk është marrë asnjëherë seriozisht në Shqipëri dhe arsyeja kryesore për këtë është përdorimi i antikomunizmit për qëllime të politikës së ditës. Nëse kuadrot e rinj oportunistë të viteve '90 (ekipi Shpresa i komunizmit) do të besonin vërtet te komunizmi, shndërrimet demokratike nuk do të kishin ndodhur kurrë. Në kushtet e një disidence të rrasur burgjeve, ajo që e bëri të mundur rënien e komunizmit ishte riciklimi i elitës komuniste në demokratë të flaktë, kombinuar me veprimin e sinqertë të rinisë vërtet demokratike studentore. Ata që nuk kishin më shpresa për të hyrë në Bllok, tashmë synonin podiumet demokratike. Ky ekip Shpresa komunist është sot akuzuesi më i egër i ekipit të veteranëve: kryesisht Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Revolucioni demokratik nuk ishte i dhunshëm, sepse mes protestuesve nuk ishin vetëm viktimat, por edhe ish-aktorët e komunizmit. Ajo që u pa si tolerancë sociale, në fakt ishte pjesërisht riciklim. Ky riciklim është faktori kryesor që ndikon në marrëdhëniet e sotme të elitës sonë me komunizmin. Ato janë simbolike, sepse simbolet manipulohen më lehtë. Kështu p.sh. "dosjet" prekin vetëm veglat e regjimit, por jo "komisarët" ideologë dhe as ekipin Shpresa (madje nuk do të preknin as vetë Enverin, po të ishte gjallë). Këto dalldisje antikomuniste të herëpashershme mund të kishin më tepër kuptim menjëherë pas rënies së diktaturës, atëherë kur edhe vetë Kryeministri aktual ishte president dhe madje president i gjithëpushtetshëm. Përse duhej pritur 20 vjet për të hequr këtë simbol që u urryeka kaq shumë? Përse duhej pritur 20 vjet për të krijuar një komision për nxjerrjen në pah të krimeve të komunizmit? Përse duhej pritur 20 vjet për çështjen e dosjeve? Simbolet kanë kuptim në një kontekst të caktuar. Jashtë kontekstit, ato kthehen në shenja bosh. Sot qytetarët e Tiranës e njohin Piramidën si ish-selinë e një televizioni privat, madje të rinjtë nën 25 vjeç mund të mos e dinë fare zanafillën e saj. (Unë personalisht kam hyrë me dhjetëra herë te Piramida, por vetëm një herë kur ishte muze i diktatorit, atëherë kur shkolla na dërgoi për vizitën e rastit.) Duke kërkuar prishjen e saj, Berisha nuk po heq një simbol, por po krijon një kontekst, ose më saktë, po e kthen atë për ta ricikluar. Në fund, ka edhe një aspekt shumë qesharak deri në idhtësi të pretendimit për t'i dhënë vendin e duhur "tempullit të demokracisë", medemek Kuvendit shqiptar. Ky Kuvend, jo vetëm që nuk është "tempulli i demokracisë", por sipas të gjithë sondazheve të tranzicionit, shihet nga qytetarët si tempulli i papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit. Çdo shqiptar, por sidomos ata që vuajnë për një çati sipër kokës, ka të drejtë të ndihet i fyer kur sheh reklamimin e sallës së re luksoze të Kuvendit, e jo më pastaj kur mëson se menjëherë pas rinovimit të saj, deputetët tanë të nderuar meritokan një ndërtesë të re madhështore në zemër të Tiranës. Për më tepër, në atmosferën e pasojave të krizës botërore në Shqipëri, kjo tingëllon e hidhur. Ndoshta deputetët nuk e kanë shumë të qartë se cili është opinioni i publikut për shumicën dërrmuese të tyre.

KOMENTE