English

PD: Rama, kërkoni ndjesë publike për sulmet amorale ndaj biznesmenëve

Tiranë, 6 nëntor, NOA - Partia demokratike ka kërkuar sot që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, të kërkojë fjale për akuzat që i janë bërë biznesmenit që kishte të njëjtin emër me djalin e Sali Berisha.

“Z. Rama, në emër të Partisë Demokratike, ju ftojmë ti kërkoni ndjesë publike qytetarit dhe biznesmenit të këtij vendi, Shkëlzen Abdullah Berishës, pasi ju dhe mediat rreth jush e sulmuan në mënyrën më të ulët dhe amorale për biznesin e tij të ndershëm”, u shpreh sot zëdhënësja e PD-së Albana Mustararaj.

Nga ana tjetër PD-ja fton të gjithë qytetarët që të distancohen nga këto veprime të kreut të PS-së.

“Ne ju ftojmë të dashur qytetarë të përçmoni këtë qëndrim primitiv, këtë sulm amoral të qytetarit, njeriut, prindit nga politikani, që ligësinë ndaj të tjerëve e ka për gëzim, shpifjet e ulta që servir çdo ditë si ushqimin e tij politik për ju, i ka si alternativë të vetme të çetës së bllokmenëve të rinj”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Nga ana tjetër në deklaratën e PD-së kërkohet që kreu i PS-së të reagojë publikisht për këtë çështje.

“Duke dënuar këtë qëndrim edhe një herë i bëjmë thirrje Z. Edvin Kristaq Rama, Mr.20%, t’i kërkojë të falur qytetarit e biznesmenit, Shkëlzen Abdullah Berisha, për sulmin e ulët dhe amoral që ndërmori ndaj tij në kulmin e muajit të mjaltit”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së PD-së.

a.k/NOA

KOMENTE