English

LDK mban Kuvendin e Shtatë Zgjedhor, votohen drejtuesit

Prishtinë, 7 nëntor, NOA - Kuvendi i Shtatë Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbahet sot, ku do të zgjidhen organet e reja drejtuese, këshilli i përgjithshëm, kryesia e re dhe kryetari i partisë.

Ka kohë që flitet se krahas kryetarit aktual të kësaj partie, Fatmir Sejdiu, do të jetë edhe Isa Mustafa kandidat për kryetar të LDK-së. Mustafa pretendon se ka votat e një pjesë të madhe të LDK-së.

Kohëve të fundit LDK-ja është ballafaquar me situata shumë kundërthënëse, veçmas pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga presidenti i Republikës së Kosovës pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ai ka shkelur Kushtetutën me mbajtjen edhe të funksionit të kryetarit të LDK-së, ndonëse “me funksion të ngrirë”.

Disa nga veprimtarët e LDK-së edhe në udhëheqjen më të ngushtë të saj, Ali Lajçi, Astrit Haraqia e Bujar Bukoshi, kërkuan që Fatmir Sejdiu të japë dorëheqje edhe nga kryetari i LDK-së nëse dëshiron që partia të ec përpara, pasi ai si shkelës i Kushtetutës nuk do t’i bëjë nder udhëheqjes së kësaj partie.

Kërkesat e tilla u injoruan në mënyrën më mospërfillëse nga Sejdiu dhe përkrahësit e tij, duke e tensionuar vazhdimisht situatën brenda kësaj partie sa tani është evident përsëritja e “Kuvendit të karrikeve” dhe ndarja edhe e njëhershme e LDK-së në dysh.

a.k/NOA

KOMENTE