English

PS: Evropa i hoqi vizën Berishës, por u hoqi vizat për në BE shqiptarëve

Tiranë, 7 nëntor, NOA – Pas deklaratave të sotme të kryeministrit Sali Berisha, i cili gjatë inaugurimeve në Postrribë e cilësoi opozitën si alternativën e nihilizmit, ka reaguar selia rozë, e cila i ka cilësuar akuzat e shefit të qeverisë si baltosje të opozitës.

Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa deklaroi gjatë një konference për shtyp se Sali Berisha ka dështuar.

“Vizat shqiptarëve ia dha Europa, ndërsa qeveria e votave të vjedhura të Saliut na la të fundit në Europë. Europa u dha vizat shqiptarëve dhe i vuri vizën qeverisë së Sali Berishës”, theksoi Ajtyresa.

Ajtyresa tha më tej se qeveria e kryeministrit Berisha ka dështuar edhe në luftën ndaj korrupsionit, duke u renditur si qeveria më e korruptuar në Europë si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar, i cili sot është rritur tri herë, arsye që fajësojnë vetëm kryeministrin Berisha.

Duke iu referuar refuzimit të amendamentit për zgjidhjen e krizës politike të bërë në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit nga eurodeputetja, Doris Pack, anëtarja e asamblesë së PS-së, pohoi se Sali Berisha dështoi të zgjidhë krizën politike pasi, i trembet të vërtetës së kutive të votimit, transparencës së tyre.

“Kaq frikë e ka Saliu transparencën, sa kundërshtoi edhe propozimin e mbështetëses së tij të zjarrtë, Doris Pack, për daljen nga kriza. Shqipëria vazhdon të jetë në krizë të thellë, e për këtë është faji i Sali Berishës”, tha Atyresa, e cila nënvizoi se “Europa i hoqi vizat shqiptarëve dhe i vuri vizën qeverisë së Saliut, duke e ngelur në klasë e duke mos i dhënë statusin e vendit kandidat”, një opinion që do t’i jepej Shqipërisë në datën 9 nëntor nga Komisioni Evropian, pikërisht një ditë pas vendimit që pritet të marrë Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së, për heqjen e vizave për Shqipërinë në hapësirën Shengen, vendim që do të merret nesër.

mit/NOA

KOMENTE