English

Historia e trishtë e dy motrave, vdiqën në aksident pasi varrosën të atin (VIDEO&FOTO)

Laç, 9 Nëntor 2010 NOA/ A.Bushi – Afërdita dhe Dhurata, nuk e mendonin kurrë se fundi i jetës së tyre do të vinte pikërisht, pak orë pasi të qanin edhe një herë të atin e tyre në varrezat e Laçit, pasi po përkujtonin të dyzetat e tij.

Afërdita Basha dhe Dhurata Halili që ju shihni në fotot, jetonin në Athinë familjarisht, ku e para nuk ishte e martuar kurse e dyta kishte krijuar një familje.

Por sot, gjithçka është ndryshe. Që të dyja gjetën vdekjen në aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmë në Fratar pranë Mallakastrës, teksa udhëtonin për në Athinë, me një autobus të linjës KTEL Janinë dhe AlbTrans.

Kurse vajza e Dhuratës, Blerina 17 vjeçare, po lufton me vdekjen në spitalin e Fierit pasi mori plagë serioze në aksident.

Sakaq, mortet janë kthyer në ankth pafund për familjen Basha si dhe për të afërmit e Dhuratës dhe familjes së saj.

Vetëm 40 ditë më parë dy motrat kishin humbur të atin, e kishin ardhur nga Greqia për të përkujtuar të dyzetat, një zakon traditë në vendin tonë.

Udhëtimi i fundit, ishte fatal dhe jeta e tyre, u pre në mes. Nesër, ato do të përcillen në banesën e fundit.

e.r/NOA

{youtube}T87AKvDypQo{/youtube}

Lexoni gjithashtu:

Tiranë, 9 nëntor, NOA – Policia e Shtetit ka identifikuar 9 viktimat që gjetën vdekjen në aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmë në aksin rrugor Fier-Tepelenë, kur autobusi i linjës Tiranë –Athinë, me targë INB 9900, ka rënë në një distancë rreth 100 m, pikërisht në fshatin Ziaj, të Komunës Fratar duke u marrë jetën 9 personave dhe duke plagosur mbi 41 të tjerë.

Viktimat e këtij aksidenti të rëndë janë:

1. Fredi Guma, 45 vjeç, nga Frakull i Vogël, Fier

2. Marjola Fredi Guma, 13 vjeç, nga Frakull i Vogël, Fier

3. Manushaqe Bali, 33 vjeç, nga Karbunara, Lushnjë

4. Dallëndyshe Ramazan Shuli, 40 vjeç Lushnjë

5. Dhurata Nevruz Halilaj, 35 vjeç, nga Laçi

6. Afërdita Nevruz Basha 40 vjeç, nga Laçi

7. Refotaq Mefail Bashllari, nga Tirana

8. Nikollë Nina, 70 vjeç, nga Durrësi

9. Karafil File, 35 vjeç, nga fshati Peshtan, Berat.

Ndërkohë mësohet se për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore janë dërguar në drejtim të Spitalit të Janinës dy shtetas, gjendja e të cilëve paraqitej shumë e rëndë.

Ata janë

1. Eduard Prençi, 29 vjeç, nga Lushnja

2. Petro Vangjeli, 61 vjeç, Sarandë

ME SHUME FOTO, TE GALERIA

Po ashtu janë transportuar në Spitalin Ushatarak në Tiranë dhe gjenden nën kujdesin e mjekëve shtetasit:

1. Sebie Boksiu, 30 vjeç

2. Luan Çela, vjeç 22

Në spitalet e Gjirokastrës dhe Fierit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore personat e tjerë, që kanë mbetur të plagosur nga ky aksident, gjendja e të cilëve nuk paraqet probleme për jetën.

Nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit rezulton se sistemi i drejtimit të mjetit ka qenë në gjendje të rregullt teknike dhe funksionale.

Sipas policisë së Shtetit, matësi i shpejtësisë (taksometri) ka rezultuar funksional dhe shpejtësia e lëvizjes së automjetit në momentin e ndodhjes së aksidentit ka qenë rreth 60 km orë, brenda normave të lejuara për këtë segment rrugor.

Sistemi i frenimit ka rezultuar të jetë i rregullt.

Gomat gjithashtu kanë rezultuar në gjendje të rregullt dhe të padëmtuara dhe pas aksidentit.

Segmenti i rrugës ku ka ndodhur aksidenti është i vijëzuar dhe me një gjerësi rruge 6.4 m. Nga kontrolli mjeko-ligjor, por dhe me pajisjen e alkol testit elektronik ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka përdorur pije alkoolike.

Duke qenë se segmenti i rrugës ku ka ndodhur aksidenti është në një vijë të drejtë, në momentin e ndodhjes së aksidentit rezulton se mjeti ka lëvizur rreth 15 m me gomat e pjesës së djathtë jashtë karrexhatës apo pjesës së asfaltuar të rrugës.

Madje sipas ekspertizës në momentin e aksidentit rezulton se lëvizja nuk ka qenë në kushtet e pamjes së kufizuar apo të një moti me reshje.

Gjithashtu sipas hetimeve sqarohet se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë mbi 15 vjeçare pune në këtë kompani udhëtimi.

{youtube}9U1WlIj8_sk{/youtube}

Nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve të ngritur për hetimin e kësaj ngjarje është konkluduar se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit grek, Tomas Tsogas.

Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident.

Në operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të dëmtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar strukturat e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, si dhe të Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh.

Po ashtu janë angazhuar dhe rreth 100 forca të FNSH-së, si dhe forca të Repartit Special RENEA.

Ndërkohë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u ngrit një grup pune, i cili koordinoi gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje.

Në vendin e ngjarjes për menaxhimin dhe drejtimin e operacionit të shpëtimit ka qenë prezent Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

mit/NOA

Në foto: Nje grua e plagosur ne aksidentin automobilistik ne aksin rrugor Fier-Tepelene, ne afersi te fshatit Ziaj te komunes se Fratarit, e shtruar ne spitalin e Fierit. Ne kete aksident kane humbur jeten 9 persona dhe rreth 40 te tjere jane plagosur. NOA/LSA

Lexoni gjithcka mbi ngjarjen tragjike
KOMENTE