English

Policia: Publikohen emrat e 9 viktimave të aksidentit dhe detaje mbi hetimin

Tiranë, 9 nëntor, NOA – Policia e Shtetit ka identifikuar 9 viktimat që gjetën vdekjen në aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmë në aksin rrugor Fier-Tepelenë, kur autobusi i linjës Tiranë –Athinë, me targë INB 9900, ka rënë në një distancë rreth 100 m, pikërisht në fshatin Ziaj, të Komunës Fratar duke u marrë jetën 9 personave dhe duke plagosur mbi 41 të tjerë.

Viktimat e këtij aksidenti të rëndë janë:

1. Fredi Guma, 45 vjeç, nga Frakull i Vogël, Fier

2. Marjola Fredi Guma, 13 vjeç, nga Frakull i Vogël, Fier

3. Manushaqe Bali, 33 vjeç, nga Karbunara, Lushnjë

4. Dallëndyshe Ramazan Shuli, 40 vjeç Lushnjë

5. Dhurata Nevruz Halilaj, 35 vjeç, nga Laçi

6. Afërdita Nevruz Basha 40 vjeç, nga Laçi

7. Refotaq Mefail Bashllari, nga Tirana

8. Nikollë Nina, 70 vjeç, nga Durrësi

9. Karafil File, 35 vjeç, nga fshati Peshtan, Berat.

Ndërkohë mësohet se për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore janë dërguar në drejtim të Spitalit të Janinës dy shtetas, gjendja e të cilëve paraqitej shumë e rëndë.

Ata janë

1. Eduard Prençi, 29 vjeç, nga Lushnja

2. Petro Vangjeli, 61 vjeç, Sarandë

ME SHUME FOTO, TE GALERIA

Po ashtu janë transportuar në Spitalin Ushatarak në Tiranë dhe gjenden nën kujdesin e mjekëve shtetasit:

1. Sebie Boksiu, 30 vjeç

2. Luan Çela, vjeç 22

Në spitalet e Gjirokastrës dhe Fierit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore personat e tjerë, që kanë mbetur të plagosur nga ky aksident, gjendja e të cilëve nuk paraqet probleme për jetën.

Nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit rezulton se sistemi i drejtimit të mjetit ka qenë në gjendje të rregullt teknike dhe funksionale.

Sipas policisë së Shtetit, matësi i shpejtësisë (taksometri) ka rezultuar funksional dhe shpejtësia e lëvizjes së automjetit në momentin e ndodhjes së aksidentit ka qenë rreth 60 km orë, brenda normave të lejuara për këtë segment rrugor.

Sistemi i frenimit ka rezultuar të jetë i rregullt.

Gomat gjithashtu kanë rezultuar në gjendje të rregullt dhe të padëmtuara dhe pas aksidentit.

Segmenti i rrugës ku ka ndodhur aksidenti është i vijëzuar dhe me një gjerësi rruge 6.4 m. Nga kontrolli mjeko-ligjor, por dhe me pajisjen e alkol testit elektronik ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka përdorur pije alkoolike.

Duke qenë se segmenti i rrugës ku ka ndodhur aksidenti është në një vijë të drejtë, në momentin e ndodhjes së aksidentit rezulton se mjeti ka lëvizur rreth 15 m me gomat e pjesës së djathtë jashtë karrexhatës apo pjesës së asfaltuar të rrugës.

Madje sipas ekspertizës në momentin e aksidentit rezulton se lëvizja nuk ka qenë në kushtet e pamjes së kufizuar apo të një moti me reshje.

Gjithashtu sipas hetimeve sqarohet se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë mbi 15 vjeçare pune në këtë kompani udhëtimi.

Nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve të ngritur për hetimin e kësaj ngjarje është konkluduar se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit grek, Tomas Tsogas.

Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident.

Në operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të dëmtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar strukturat e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, si dhe të Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh.

Po ashtu janë angazhuar dhe rreth 100 forca të FNSH-së, si dhe forca të Repartit Special RENEA.

Ndërkohë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u ngrit një grup pune, i cili koordinoi gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje.

Në vendin e ngjarjes për menaxhimin dhe drejtimin e operacionit të shpëtimit ka qenë prezent Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

mit/NOA

Në foto: Nje grua e plagosur ne aksidentin automobilistik ne aksin rrugor Fier-Tepelene, ne afersi te fshatit Ziaj te komunes se Fratarit, e shtruar ne spitalin e Fierit. Ne kete aksident kane humbur jeten 9 persona dhe rreth 40 te tjere jane plagosur. NOA/LSA

Lexoni gjithcka mbi ngjarjen tragjike
KOMENTE