Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shkenca nuk mund të zhvillohet në izolim
English

Shkenca nuk mund të zhvillohet në izolim

Idetë duhet të migrojnë që të zhvillohen, ato duhet të ndahen me të tjerë që të zënë rrënjë, dhe duhet të jenë të arritshme nga të gjithë që të mund të përfitojnë prej tyre. Tema e Ditës Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim për këtë vit “ Shkenca për përafrimin e popujve dhe kulturave” është mëse e gjetur, sidomos duke pasur parasysh faktin që UNESCO është ngarkuar të udhëheqë Vitin Ndërkombëtar të Përafrimit të Kulturave - 2010.

Nga Irina Bokova*

Shkenca nuk mund të zhvillohet në izolim. Ajo lulëzon nëpërmjet dialogut të individëve, ndërveprimit të kulturave dhe komuniteteve dhe takimit të mendjeve. Ajo lulëzon në një tokë të pasur me diversitet dhe në një klimë që favorizon përhapjen dhe ndër-fertilizimin. Idetë duhet të migrojnë që të zhvillohen, ato duhet të ndahen me të tjerë që të zënë rrënjë, dhe duhet të jenë të arritshme nga të gjithë që të mund të përfitojnë prej tyre.

Tema e Ditës Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim për këtë vit “ Shkenca për përafrimin e popujve dhe kulturave” është mëse e gjetur, sidomos duke pasur parasysh faktin që UNESCO është ngarkuar të udhëheqë Vitin Ndërkombëtar të Përafrimit të Kulturave - 2010. Thelbi i mandatit të UNESCO-s është: shfrytëzimi i fuqisë së shkencës për të afruar popujt dhe kulturat së bashku, mundësimi i përfitimit maksimal prej diversitetit të madh njerëzor dhe nxitja e zhvillimit paqësor.

Tabloja globale e shkencës po ndryshon me shpejtësi. Qendra të reja për shkencën dhe teknologjinë po zhvillohen anë e mbanë botës. Forma të reja bashkëpunimi po zhvillohen, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Jugut. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithmonë e më tepër teknologjive të gjelbra. Siç tregon dhe Raporti Shkencor 2010 i UNESCO-s që bëhet publik sot, fusha e lojës po bëhet gjithmonë e më transparente dhe më e hapur falë revolucionit në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit dhe forcimit të rrjeteve globale institucionale. Keto janë tendenca pozitive.

Por jo gjithçka. Pabarazi të thella ekzistojnë ndërmjet vendeve; ato janë edhe më të theksuara në nivel vendi. Krijimi i patentave/markave nuk është i shpërndarë në mënyrë të barabartë. Drejtimi global dhe kombëtar i zhvillimit teknologjik dhe shkencor po behet gjithmonë e më kompleks. Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare duhet t’i përgjigjen kësaj situate – për të adresuar mangësitë dhe për të mbështetur tendencat pozitive. UNESCO po luan rolin e saj. Ne synojmë të mobilizojmë njohuritë dhe politikat shkencore për një zhvillim të qëndrueshëm duke patur parasysh tre objektiva – të shfrytëzojë njohuritë shkencore për të mirën e ambientit dhe menaxhimit të burimeve natyrore; të zhvillojë politika dhe të rrisë kapacitetet në shkencë, teknologji dhe inovacion, dhe të kontribuojë për përgatitjen për raste fatkeqësish dhe zbutjen e pasojave të tyre.

Fokusi ynë këtë vit është shkenca si një forcë që bashkon popujt dhe kulturat. Në këtë kohë të ndryshimeve të shpejta, është e rëndësishme që të kuptojmë këtë fuqi të shkencës si forcë për zhvillim dhe dialog. Historia na vjen në ndihmë. Asnjë qytetërim i të kaluarës nuk ka qëndruar në këmbë i vetëm. Njohuritë janë zhvilluar nëpërmjet shkëmbimit dhe ndërveprimit. Qytetet e Greqisë u përtërinë nga kulturat Aziatike dhe Afrikane të dijeve. Shkenca e madhe e Bagdadit përfitoi nga influenca e Indisë dhe Kinës. Zhvillimi i shkencës në Persi dëshmon për një histori po aq të ndryshme. Azia dhe Afrika kanë qenë burime njohurish për mijëra vjet dhe kanë ndihmuar të formësojnë botën ashtu siç e njohim ne sot. Amerikat e periudhës para-Kolombiane tregojnë për një tjetër histori të pasur të arritjeve intelektuale dhe materiale- në fusha të tilla si astronomia, arkitektura dhe inxhinieria. Kështu, historia e shkencës nuk është një e vetme, por një shumësi historish.

E njëjta gjë është e vertetë edhe sot. Unë besoj se ne duhet të mbështetemi mbi fuqinë e shkencës si një forcë për përafrimin e popujve dhe kulturave në tre nivele.

Së pari, në nivel global. Asnjë popull, komunitet apo shtet nuk mund të përballojë i vetëm ndryshimet e klimës. Është jetike që të gjejmë vullnetin e nevojshëm për të bërë që Konferenca e OKB-së mbi Ndryshimet e Klimës në Meksikë, e cila mbaron në 10 Dhjetor, të jetë një sukses. UNESCO do të kontribuojë në këtë përpjekje nëpërmjet Nismës së Ndryshimit të Klimës, duke u bazuar në qasjen tonë multi-disiplinare dhe thellësisht humane. Kjo do t’i përgatitë kushtet për një Konferencë produktive të OKB-së mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm në 2012 në Rio de Zhaneiro. Zhvillimi i qëndrueshëm duhet të jetë i gjelbër dhe për të gjithë; ose përndryshe nuk do të ndodhë.

Së dyti, duhet të veprojmë në nivel rajonal për të shfrytëzuar sa më mirë shkencën si një platformë që bashkon popujt dhe kulturat së bashku. Mbështetja e UNESCO për qendrën shkencore ndërqeveritare SESAME në Jordani është një shembull perfekt. E modeluar sipas Organizatës Evropiane për Kërkim Nuklear në Gjenevë, kjo qendër shkencore ndërkombëtare sjell së bashku 9 anëtarë nga një rajon i gjerë- e pikërisht, Bahrain, Qipro, Egjipti, Irani, Izraeli, Jordania, Pakistani, Autoriteti Palestinez dhe Turqia. Qendra mbështetet nga një grup prej njëmbëdhjetë vendesh përfshirë Francën, Gjermaninë, Japoninë, Federatën Ruse, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është ndërtimi i paqes nëpërmjet shkencës.

Së fundi, duhet të veprojmë në nivel lokal. Jam e bindur që sistemet lokale dhe indigjene të njohurive mund të luajnë një rol jetik duke propozuar zgjidhje gjithëpërfshirëse për probleme kolektive - sidomos për promovimin e diversitetit kulturor dhe biologjik. Sistemet e njohurive lokale janë gjithashtu shtyllat themelore për zhvillim të qëndrueshëm të vërtetë.

Politika e shkencës sot është sa diplomaci kulturore po aq dhe politikë zhvillimi. Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim është një rast i shkëlqyer për të pranuar këtë koncept dhe për të ndërtuar mbi këtë bazë - të udhëhequr gjithmonë nga synimi për të zhvilluar një komunitet të vetëm njerëzimi, mbështetur mbi dinjitetin njerëzor dhe kulturën e paqes.

* Mesazh i drejtores së Përgjithshme të UNESCO, me rastin e Ditës Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim

KOMENTE