English

Bode: Pushteti vendor në 5 vite ka përfituar 14 miliard lekë më shumë nga qeveria

Tiranë, 11 nëntor, NOA – “Dinamika e decentralizimit të pushtetit vendor nga ana e qeverisë ka qenë vërtetë për t’u evidentuar. Pasi vitin 2005 gjithë buxhetet vendore kapnin një vlerë prej rreth 20 miliard lekësh, kjo shumë ka arritur në 33 miliardë e 583 milionë lekë. Një rritje pra prej rreth 14 miliard lekë, e cila ka ardhur tërësisht nga shtesa e granteve të qeverisë qendrore, pasi niveli i të ardhurave vendore në vitin 2005 dhe 2009 është i njëjtë, 12.1 miliardë lekë të mbledhura nga taksat vendore”.

Ky është sqarimi zyrtar që ka dhënë sot ministri i Financave, Ridvan Bode, mbi të vërtetën e financimit të pushtetit vendor nga buxheti i shtetit, në kundërpërgjigje të akuzave që mbërritën sot nga Shoqata për Autonomi Vendore, drejtuesit e të cilës protestuan sot para parlamentit për buxhetet e palesuara sipas tyre.

“Dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me një pretendim të disa përfaqësuesve të pushtetit vendor, të nxitur politikisht për të mos paraqitur të vërtetën e dinamikës së zhvillimit të fondeve buxhetor ndaj pushtetit vendor.

Dëshiroj që krahasimet t’i bëj sipas buxheteve faktike për t’u ndalur dhe tek buxheti 2010 dhe për të thënë se rritja me 13 miliardë lekë e buxheteve vendore ka ndodhur në harkun e 5 viteve duke mos shënuar asnjë progres në rritjen e performancës fiskale”, sqaroi Bode.

Duke shtuar se rritja e granteve nga rreth 7 miliard lekë në 20 miliardë lekë, ose trefishimi shumës që qeveria qendrore i ka dhënë pushtetit vendor, ka pasur për objektiv përmirësimin e shërbimeve komunale si dhe nxitjen e investimeve në infrastrukturën komunale dhe bashkiake.

“Ç’ka nënkupton përmirësimin dhe investimet për ujësjellësa, rrugë dhe gjithë infrastrukturën që ka nevojë pushteti vendor, shkolla, kopshte etj. Në të vërtetë ka ndodhur e kundërta, që fondet që nga taksat vendore që destinoheshin për këto investime tashmë janë zeruar, dhe të gjitha investimet vendore kryhen nga administrata qendrore. Kjo vjen për një shkak të thjeshtë”, sqaroi ai.

n.e/NOA

KOMENTE