English

Ministri Basha i jep lamtumirën e fundit nënkomisar Pajtim Alistafës

Tiranë, 11 nëntor, NOA – Ministri i Brendshëm dhe krerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe familjarë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit nënkomisar Pajtim Alistafës, i cili u vra dje në krye të detyrës gjatë një operacioni special që po zhvillonte në rrugën Qafë-Kashar.

Nënkomisar Pajtim Alistafaj, ishte vetëm 27 vjeç, por gjatë shërbimit të tij në Policinë e Shtetit, ai u shqua për përkushtimin, profesionalitetin, vendosmërinë dhe modestinë me të cilën kreu të gjitha detyrat që iu ngarkuan.

Kështu tha ministri basha në fjalën e tij duke theksuar se Alistafaj spikati gjatë shërbimit të tij në kushte shumë të vështira, operacione komplekse në luftë kundër krimit dhe bandave, duke mishëruar virtytet më të mira të punonjësit të Policisë së Shtetit.

“Dhimbja që unë ndjej, ndonëse nuk pata fatin ta njoh nga afër, është vetëm një grimcë e dhimbjes, që ndjejnë sot kolegët dhe të afërmit e tij, nëna, babai, motra dhe bashkëshortja e tij. Ndjejmë sot po kështu mirënjohje të thellë për sakrificën e tij dhe gjithë kombi i është sot mirënjohës nënkomisar Pajtim Alistafës, siç i është mirënjohës çdo punonjësi të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës dhe çdo punonjësi të Policisë së Shtetit anembanë vendit, sepse janë këta heronj, të cilët me sakrificën e tyre sublime që përfshin dhe jetën e tyre kur është nevoja kanë bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë një vend tjetër”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Nënkomisari Pajtim Alistafaj shërbente prej pesë vitesh në polici.

Ai kishte nisur punë si punonjës policie në kufi që prej 2005-ës, dhe më pas kishte dhënë kontributin e tij në detyra të tjera si shef seksioni pranë policisë së rendit.

mit/NOA
KOMENTE