English

Policia: 44 vjeçarit Korça i gjetën në stomak 41 qese me kokainë

Tiranë, 13 nëntor, NOA, Update - Seksioni Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, bënë të mundur sekuestrimin e një sasie prej 290 gram lëndë narkotike e llojit Kokainë si dhe arrestimin e shtetasit Arjan Ëngjëll Korça, 44 vjeç, banues në Tiranë, me shtetësi Shqiptare dhe Rumune.

Policia e kryeqytetit sqaroi në një deklaratë për shtyp, se Arjan Korça ishte paraqitur dje në ambjentet e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza”, pasi kishte shqetësime të shumta në stomak.

Stafi mjekësor, pas ekzaminimeve të bëra ndaj 44 vjeçarit, konstatoi që ky shtetas kishte në stomak, sende të huaja për organizmin.

Falë ndërhyrjes me operacion stafi mjekësor ka bërë të mundur nxjerrjen e sendeve që ndodheshin në trupin e 44 vjeçarit Arian Korça, njëherësh ka njoftuar edhe policinë.

Policia njofton se deri më tani, duke bashkëpunuar dhe me stafin mjekësor janë sekuestruar 290 gram lëndë narkotike e llojit Kokainë, e cila ishte ndarë në 41 qese plasmasi, të cilat janë nxjerrë nga trupi i shtetasit Arjan Korça.

Sipas uniformave blu Arjan Korça, ish-volejbollist i kombëtares, kishte ardhur nga vendet Latine prej dy javësh dhe nga ana e strukturave të Policisë dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda, po punohet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë metodë trafikimi të lëndës narkotike.

44 vjeçari Arjan Korça u arrestua për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

mit/NOA
KOMENTE