English

Kadare prezanton sprovën e re: Mosmarrëveshja, raportet e Shqipërisë me vetveten

Tiranë, 14 nëntor, NOA/ Milena Selimi - I pranishëm në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”, shkrimtari Ismail Kadare ka kaluar orë të bukura në shoqërinë e fansave dhe adhuruesve të veprave të tij, në panairin e librit “Tirana 2010”, që e kanë pagëzuar si festën e librit të të gjitha trojeve shqiptare.

Autografe, batuta dhe humor, që kanë prekur edhe anëtarë të qeverisë si ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha i cili i ka marrë një autograf shkrimtarit të madh në sprovën e tij më të re të botuar.

“Mosmarrëveshja: Raportet e Shqipërisë me vetveten” është sprova letrare më e fundme e shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Ismail Kadare, e prezantuar për adhuruesit e letrave shqip, mbrëmë, në Panairin e Librit nga Shtëpia Botuese “Onufri”.

“Mosmarrëveshja që jetojmë përditë... Besoj se të gjithë e keni ndjerë dhe e përjetoni çdo çast se ka një mosmarrëveshje! Unë jam përpjekur ta shpjegoj atë... cila është kjo?”, është përgjigjur kësisoj, shkrimtari Kadare duke prezantuar esse-në e tij më të fundit.

Panairi i Librit “Tirana 2010” është hapur më datë 11 nëntor dhe do të qëndrojë i hapur deri më datë 15 nëntor.

Në edicionin e 13-të, janë paraqitur një shumëllojshmëri titujsh nga Shtëpitë Botuese të ardhura nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora.

Por, në takimin e djeshëm të përkthyesve të njohur ata evidentuan rishtas problemin e përkthimeve në gjuhën shqipe, duke deklaruar se në këtë panair, vetëm 5 përqind e librave të përkthyer ia vlejnë të lexohen.

m.s/mit/NOA

KOMENTE