English

Komisionerja e BE, Malmstrom: Në kufij nuk do ju kërkohet të tregoni sa para keni

Bruksel, 14 Nëntor 2010 – “Qytetarët shqiptarë nuk do të duhet të tregojnë sa para kanë apo të demonstrojnë se kanë kartë krediti, në momentin që do të kalojnë në kufijtë e zonës Shengen”.

Konfirmimi vjen nga Komisionerja e Çështje të Brendshme, Sesilia Malmstrom e cila ka sqaruar se të tilla kushte të përfolura, nuk do të aplikohen në doganat e shteteve të zonës Shengen.

“Qytetarët që duan të shfrytëzojnë vendimin e BE për lëvizje pa viza, duhet të kenë patjetër pasaportat biometrike. Atyre mund t’u bëhen sigurisht pyetje kur të arrijnë në kufi, por kjo nuk do të thotë që duhet të kenë me vete dhe të tregojnë një shumë të caktuar parash ose një kartë krediti”, - tha Malmstrom për tv Alsat.

Malmstrom shtoi se “po ashtu udhëtarët duhet të dinë se i jepet mundësia e qëndrimit në Bashkimin Evropian vetëm për 3 muaj në çdo gjashtë muaj”.

Kurse ka paralajmëruar: “Nëse qëndrojnë më gjatë, qëndrimi i tyre kthehet në qëndrim të jashtëligjshëm”.

Nga ana tjetër, Malmstrom tha se vendimi i marrë më 8 Nëntor hyn në fuqi më 15 dhjetor dhe prej atëherë shqiptarët do të kenë mundësi të lëvizin vetëm me një pasaportë biometrike në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, përjashtuar këtu Britaninë dhe Irlandën. Komisionerja e ndodhur në Shqipëri pak ditë më parë në kuadër të një turi informues për të drejtat dhe detyrimet pas liberalizimit të vizave, hodhi poshtë në këtë mënyrë, deklaratat e disa përfaqësuesve politikë dhe diplomatikë.

Sipas tyre jo të gjithë shqiptarët do të kenë akses në Union, pasi ata që nuk tregojnë biletën e kthimit dhe paratë e nevojshme për qëndrim, do të kthehen mbrapsht.

Nisur nga kjo, në media u përhap gjerësisht lajmi se qytetarët shqiptarë që do të duhet të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së duhet të kenë para me vete për aq kohë sa do të qëndrojnë atje si dhe biletën e kthimit.

KOMENTE