English

Opozita e Bashkuar: Për integrimin hoqëm dorë nga fletët, gati zgjidhja e krizës

Tiranë, 14 nëntor, NOA, Update – Nën kauzën e transparencës dhe integrimit, Opozita e Bashkuar ka paralajmëruar nisjen e protestave javën e ardhshme dhe nxjerrjen e qytetarëve në sheshet e të gjithë vendit për të kërkuar dinjitetin njerëzor dhe demokratik të nëpërkëmbur nga qeveria e Sali Berishës.

Koordinatori i Opozitës së bashkuar, Preç Zogaj, theksoi gjatë një konference për shtyp, se “Kryefjala e protestave të reja do të jetë sërish transparenca si një çështje jetike e demokracisë në Shqipëri, po kësaj rradhe kauzës së transparencës do t’i bashkëngjitet kauza e integrimit si aspiratë e mbi 96% e shqiptarëve. Nuk mund të mjaftohemi të jemi mysafirë apo udhëtarë në Europë. Ta bëjmë Shqipërinë pjesë të Europës. Ky është misioni”, tha Zogaj.

Gjatë fjalës së tij, Zogaj tha se “heqja e vizave pa integrimin nuk është zgjidhja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Vendimi për heqjen e vizave në një anë dhe ai për refuzimin e kërkesës së qeverisë shqiptare për të marrë statusin e vendit kandidat në anën tjetër, u morën njëpasnjëshëm në harkun e 24 orëve nga institucionet e Bashkimit Europian”.

Zogaj ritheksoi se ndërsa drita jeshile u hap për qytetarët që të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen, Europa ndezi dritën e kuqe për aplikimin e qeverisë, për statusin e vendit kandidat.

Në këtë kontekst ai uroi qytetarët shqiptarë për liberalizimin e vizave duke i ftuar ata të informohen për kërkesat dhe kufizimet e këtij rregjimi si edhe ti respektojnë ato.

Por, Zogaj ka renditur kritikat e raport-progresit të KE-së që çuan në refuzimin e dhënies së statusit kandidat Shqipërisë, duke thënë se “Është kriza politike ku nënvizohet e bardhë në të zezë se qeveria nuk ka treguar gatishmëri në lidhje me propozimet e bëra nga PS për të tejkaluar ngërçin politik”. Është Kuvendi i zgjedhjeve të kontestura, që ka degraduar nga një institucion suprem i kontrollit të ekzekutivit, siç parashikohet në Kushtetutë, në një organ të varur e të keqpërdorur”, sqaroi koordinatori i Opozitës së bashkuar.

Gjithashtu ai theksoi se raporti kishte kritika të forta lidhur me korrupsionin në nivele të larta i shpërndarë në disa sektorë e fusha të veçanta të prekura ndjeshëm, si gjyqësori, shëndetësia, të drejtat e pronës, por edhe prokurimet publike dhe fondet e partive.

“Janë dënimet në nivele shumë të ulta, është mungesa totale e hetimeve, e ndjekjes penale dhe dënimeve për korrupsionin e niveleve të larta; është konsolidimi ogurzi i kulturës së pandëshkueshmërisë, që ishte evidentuar si dukuri edhe në raportin e vitit të kaluar. Lista e vlerësimeve kritike është e gjatë”, tha Zogaj, duke nënvizuar se “në asnjë raport nuk është folur kështu, kaq qartë, pa diplomaci, me adresime kaq konkrete”.

Duke e cilësuar raportin si fotografinë më të përpiktë të gjendjes së rëndë të demokracisë në Shqipëri, Zogaj tha se raporti është një thirrje për tu zgjuar, “jo me zile siç tha me edukatë z.Pier Mirel, po me kambana alarmi”.

Në këtë kontekst, Opozita e bashkuar shprehu shqetësimin e thellë se “qeveria dhe kryeministri Berisha po u japin shumë pak vend në artikulimet e tyre çështjeve të raportit, duke shpërfillur problemet e mprehta dhe vlerësimet negative që pasqyrohen në atë raport”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit se po të ndërhynte në raport do të jepte një mesazh shumë shqetësues për fatin e integrimit të vendit, pasi sipas Zogajt, “Nuk ka vend për të ndryshuar raportin, por për të ndryshuar urgjentisht qëndrimet, në përputhje me rekomandimet që shoqërojnë raportin në fjalë. Ky është i vetmi reflektim pozitiv dhe s’ka tjetër”, vlerësoi Zogaj.

Andaj, ishin pikërisht kritikat e raportit për moszgjidhjen e krizës, kritika ndaj opozitës dhe mazhorancës që bënë që Opozita e Bashkuar të vendosë për një hap të ri në zgjidhjen e krizës politike, duke hequr dorë nga hetimi i fletëve të votimit.

“Opozita do të fokusohet te materialet zgjedhore dhe te çështjet e tjera madhore të listuara në raportin e OSBE-ODHIR-it. Të gjithë e kuptojnë se një hetim pa fletët nuk do të ishte i plotë, por opozita e ndërmerr këtë hap për të zhbllokuar ngërçin, për të zhbllokuar çfarë është bllokuar për shkak të krizës, për të fituar kohë në lidhje me reformën zgjedhore, që duhet të vijojë menjëherë me vënien në lëvizje të hetimit parlamentar”, argumentoi koordinatori i Opozitës së bashkuar.

Zogaj bëri me dije se opozita e bashkuar ka programuar një paketë të plotë që ka për qëllim të zbatojë rekomandimet e BE-së, të garantojë dhe përshpejtojë kursin e integrimit të vendit, ku bën pjesë edhe programi zhvillimit, që do të përfundojë brenda këtij viti.

mit/NOA

KOMENTE