English

66-vjetori i çlirimit, Tirana përkujton luftën partizane

Tiranë, 17 Nëntor, NOA - Me rastin e 66-vjetorit të Çlirimit të Tiranës (17 Nëntor 1944), Bashkia e kryeqytetit organizoi si çdo vit ceremonialin, pranë monumentit të “Ushtarit të Panjohur”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama kreu me këtë rast homazhe, duke vendosur kurora me lule, në shenjë respekti ndaj dëshmorëve të rënë në luftën për çlirimin e kryeqytetit, ndërkohë që ceremonia u zhvillua sipas protokollit të “Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë”.

“Çlirimi i Tiranës do të kujtohet gjithnjë, në të gjitha kohët, si një nga betejat më vendimtare të popullit shqiptar, në Luftën Antifashiste. Ajo luftë është e do të jetë pjesë e ndritur dhe barrë e rëndë e amanetit të atyre që e bënë me idealizëm, jo për diktaturën e egër komuniste që e pasoi, por për Botën e Re të lirisë, barazisë e vëllazërimit, të cilën e ëndërruan me forcën e pashoqe të një dëshire vetëmohuese”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, “asnjëherë, populli shqiptar nuk do të reshtë së qeni mirënjohës për ata e ato që e bënë atë luftë, pa kursyer as jetën e tyre për të shpëtuar Shqipërinë, duke e rreshtuar atdheun tonë përkrah gjithë forcave të së mirës, kundër së keqes dhe duke u bërë të gjithë brezave pasardhës nderin e paçmueshëm të të qenit natyrshëm, pjesë e një historie të madhe që i bën nder Shqipërisë së vogël”.

“Sot, 66 vjet më pas, madje në çdo vit e përvjetor që shkon, nderimi për të rënët në atë luftë e për veteranët e saj, nuk mund të jetë kurrsesi vetëm një moment ceremonial për të shkuarën. Kaq është jo thjesht pak, po mangësisht shumë, sepse ne që vijmë pas, kemi detyrimin t’i kujtojmë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë e vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë”, tha ai.

Në fund, deklaroi se “nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të historisë shqiptare të së shkuarës, duke filluar nga martirët e luftës kundër diktaturës fashiste e po ashtu edhe martirët e vrarë nga diktatura komuniste, nuk duhet të mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish e që s’mund të mungojnë asnjëherë në jetën e njerëzve e të shoqërive të lira”.

n.e/NOA

KOMENTE