English

Papa Benedikti XVI, audiencë të veçantë për shefin e diplomacisë shqiptare

Vatikan, 17 Nëntor, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u prit sot në një audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Selinë e Shenjtë.

Gjatë saj, Haxhinasto i përcolli Atit të Shenjtë ndjenjat e thella të admirimit dhe respektit që populli shqiptar ka për Pontifikatin e tij dhe për kontributin e shkëlqyer që ai jep, në shkallë universale, në drejtim të nxitjes së paqes, dialogut mes kulturave e qytetërimeve dhe inkurajimit të mëtejshëm të dinjitetit njerëzor.

Haxhinasto më tej, vuri në pah harmoninë dhe tolerancën fetare që mbizotëron në vendin tonë në marrëdhëniet mes tri besimeve të ndryshme, duke theksuar rëndësinë e inkurajimit të bashkëbisedimit dhe mirëkuptimit midis feve, si pjesë e dialogut mes qytetërimeve, sikundër i paraqiti Atit të Shenjtë ftesën për të vizituar Shqipërinë.

Mw pas, në kuadër të vizitës në Selinë e Shenjtë, Haxhinasto, u takua dhe zhvilloi bisedime me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, Monsinjor Dominique Mamberti.

Në takim u diskutua mbi ecurinë shumë të mirë të marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, mbi mundësitë e gjallërimit dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe mbi situatën dhe zhvillimet në rajon.

Dy bashkëbiseduesit evidentuan vullnetin e përbashkët politik për të siguruar ecurinë konstante të bashkëpunimit dypalësh dhe shtrirjen e tij në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, arsimit, turizmit dhe arkivave.

Duke vlerësuar marrëdhëniet e hershme dhe shumë të mira të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, Haxhinasto veçoi simbolikën e privilegjuar të këtij bashkëpunimi, që vitin e ardhshëm do të shënojë njëzet vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ai solli në vëmendje se Shqipëria ndan me Selinë e Shenjtë personalitete të përmasave të jashtëzakonshme, siç është Nëna Tereza, humanistja e madhe dhe e dashur për mbarë njerëzimin.

Me këtë rast, Haxhinasto falenderoi në mënyrë të veçantë Selinë e Shenjtë për lumturimin e Nënë Terezës dhe për angazhimin në kuadër të festimeve me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Shenjtores.

Bazuar në vlerat e përbashkëta që ndajnë dy palët, Haxhinasto dhe homologu i tij shprehën gatishmërinë për forcimin e dialogut diplomatik për çështje me interes të ndërsjelltë.

Monsenjor Mamberti përsëriti mbështetjen për përmbushjen e aspiratës së integrimit e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet rajonale, ku u vlerësua politika e jashtme e Shqipërisë në rajon dhe roli i saj konstruktiv në funksion të nxitjes së paqes, prosperitetit e stabilitetit.

n.e/NOA

KOMENTE