English

“Policia mes librash”, dhurohen 100 libra për policinë e Gjirokastrës

Gjirokastër, 17 nëntor, NOA – Bibliotekës së Policisë së qarkut të Gjirokastrës i janë dhuruar sot nga Lidhja ndërkombëtare e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve “Pegasi”, 100 libra të autorëve të ndryshëm.

Librat u dhuruan në kuadër të aktivitetit me titull “Vlera e një kontaktimi të përhershëm inteligjent”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte evidentimi i krijuesve në radhët e policisë, promovimi i gazetës “Policia pranë”, që boton Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Emri Vata theksoi se ky aktivitet është një formë e re që përcjell ndjesinë e thyerjes së akujve mes një institucioni, që përfaqësonte dikur ashpërsi e dënim nga njëra anë dhe librit, epiqendrës së dijes nga ana tjetër.

“Libri vjen në një mënyrë vërtet të gjetur, mes nesh. Policia përbëhet nga individë të cilët para se të jenë policë, janë njerëz, para se të kryejnë detyrën kanë nevojë jetike të ushqejnë shpirtin e mendjen. Aftësia në punën tonë nuk vjen vetëm nga zotërimi i një arme e një palë prangave, por nga kapaciteti e prurja intelektuale. Kjo e fundit s’mund të zhvillohet veçse nëpërmjet informacioneve të vyera të librave”, tha drejtori Vata.

Sipas tij Policia e shtetit ka bërë një rrugë të gjatë nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme, të cilat kanë rezultuar të suksesshme, por gjithnjë punonjësit u janë nënshtruar studimeve.

Ai falënderoi lidhjen “Pegasi” për 100 titujt e librave të dhuruar për bibliotekën e policisë së qarkut, duke nënvizuar se libri është si një thirrje për të rinjtë që të mos i largohen dijes.

Ndërsa kreu i Lidhjes së Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të “Pegasi”, Kristaq Shabani, vlerësoi rolin e policisë në jetën e përditshme, funksionimin e saj mbi bazën e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si dhe ngritjen profesionale dhe kulturore, që kanë punonjësit e policisë në jug të vendit.

Më pas drejtuesit e policisë së Gjirokastrës, si komisar gentian Mullai ka prezantuar gazetën e kësaj drejtorie “Policia Pranë”, duke e cilësuar atë si një institucion mediatik që erdhi në jetë me filozofinë e thjeshtë për të qenë pranë publikut.

Sponsorizimi i kësaj gazete dhe i fletëpalosjeve të shumta me problematika të ndryshme është kryer tërësisht prej bizesmenëve të qarkut Gjirokastër.

Në fund të takimit u dhuruan edhe 100 libra për bibliotekën e policisë së Gjirokastrës.

mit/NOA
KOMENTE