English

I biri i Prudentinos: Lironi babanë, ka mbaruar afati i dosjes që në 8 nëntor

Leçe, 18 nëntor, NOA – Pas kalimit të afateve për paraqitjen e dosjes, rreth dy muaj pas arrestimit në Vlorë të të atit, Albino Prudentino, i biri i tij, Maurizio ka kërkuar lirimin e menjëhershëm nga burgu të të atit, duke kërkuar që Albino Prudentino të mund të paraqitet me dëshirën e tij përpara prokurorisë së Leçes, për t’iu përgjigjur akuzave të ngritura ndaj tij.

Përmes një deklarate Maurizio Prudentino, thekson se fax-i i dërguar nga prokuroria e Leçes për ndalimin e Albino Prudentinos ishte i vlefshëm vetëm për 40 ditë, duke nënvizuar se tashmë pas kalimit të këtij afati Albino Prudentino, është në stadin e personit të sekuestruar.

Në deklaratën e Maurizio Prudentinos dërguar Gjykatës së Vlorës që po shqyrton çështjen Prudentino thuhet se “Ligji parashikon, që të arrestuarit duhet t’i bëhet e ditur në rrugë zyrtare kopja e dosjes për arrestimin e tij në gjuhën që ai kupton. Një gjë që sipas Maurizio Prudentinos nuk ka ndodhur pasi dosja Prudentino nuk i është paraqitur, as avokatit të Albinos dhe as atij vetë, të arrestuarit në fjalë.

“Mbi të gjitha kjo dosje e përkthyer në gjuhën shqipe duhet t’i bëhej e ditur avokatit mbrojtës, Ferdinand Doja në mënyrë që ai të mund të përgatisë mbrojtjen e babait. Dua të specifikoj, që deri në datën 8 të muajit nëntor 2010 kemi pasur besim të plotë në punën e prokurorisë shqiptare, besim që mungoi në momentin kur avokati i babait më informoi që prokuroria nuk po zbaton një nga principet kryesore të kushtetutës, që do të thotë të drejtën e mbrojtjes”, shkruan në deklaratën e tij i biri i Albino Prudentinos.

mit/NOA
KOMENTE