Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mediat e Thaçit
English

Mediat e Thaçit

Nga Oslo, Norvegji, Gëzim Mekuli

Mediat duhet të zotërojnë para për të mbijetuar. Por nëse e sheh më imtësisht zhvillimin bashkëkohor të industrisë mediale shqiptare, të krijohet përshtypja e hidhur se ajo e ka shndërruar zotërimin e parave si qëllim në vetvete.

Veçanërisht në kohën parazgjedhore gazetaria zhurmëmadhe pushton pjesën dërrmuese të hapësirës së radios, të televizionit dhe të gazetës shqipe.

Në këtë periudhë të papërvojë politike mediat tona do të duhej të ishin një forum bazë për mirëkuptim të dyanshëm. Gazetaria e tillë do të shëronte popullin tonë të stërlodhur nga tensionet e panevojshme partiake. Ajo do të krijonte një mjedis ku do të mbisundonte mirëkuptimi i ndërsjellë. Mund dhe duhet të kemi mendime të kundërta, por s’kemi nevojë t’ia vendosim bërrylat njëri-tjetrit jashtë kufijve etikë, sepse askush nuk është fitues nëse shkelen apo kapërcehen këta kufij.

Etika mediale nënkupton gjithashtu që gazetarët dhe gazetaret, enkas sot, duhet të rrezatojnë kujdes dhe besnikëri ndaj vlerave të këtij populli. Ashtu, sikundër detyra e mjekut është që të parandalojë sëmundjen e rëndë dhe ta shërojë të sëmurin, po ashtu gazetarët dhe gazetaret e kanë detyrim profesional dhe përgjegjësi morale që të jenë objektivë në atë çka thonë, çka shkruajnë dhe çka paraqesin në ekran në mënyrë që të krijojnë siguri, besim e mirëqenie informative në hapësirën ku ata veprojnë.

Ashtu siç ka një etikë mjekësore, ashtu ka edhe një etikë të gazetarisë. Shmangia prej saj, moszbatimi i ndërgjegjshëm i profesionit, në mjekësi shkakton vdekjen e pacientit. Në rastin e mediave (gazetarëve), viktima e parë e lajthitjeve profesionale bëhet e vërteta. E, sikur na mëson historia, herët a vonë vjen koha që edhe vetë media shndërrohet në viktimë.

Fushata e egër parazgjedhore, e transmetuar dhe e paraqitur nga disa media, për publikun shqiptar bën të lindin disa pyetje enigmatike. Çfarë synon media shqiptare: të raportojë për realitetin apo të shtrembërojë atë? A po ndihmon ajo që të krijohen raporte të mira, shoqërore dhe miqësore ndërmjet atyre që kanë pikëpamje dhe qëndrime të ndryshme mbi veprimtarinë politike, mendime të ndryshme për mundësitë e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare dhe çështjeve të tjera? Dhe, ndoshta është koha të shtrohen edhe pyetje të tilla: A është kjo, apo ndoshta s’është fare detyrë e gazetarit?

Në zemër të problemit qëndron një pyetje delikate. A është vetë gazetari pjesëtar i kësaj shoqërie, a ka ai përgjegjësi etike dhe morale për mirëqenien e saj, apo është “gazetarë” vetëm e vetëm për ti shërbyer partisë dhe për të bërë biznes?

Përgjigjja duket qartazi se anon kah kjo e fundit. Në Perëndim roli jetik shoqëror i gazetarëve spikatet në përcaktimin sociologjik për mediat si “pushtet i katërt”, pas qeverisë, drejtësisë dhe organeve përmbaruese.

A është duke u larguar (vetëdijshëm) përmbajtja informative, që do të kishte rëndësi për të kapur e kuptuar proceset politike, ekonomike dhe kulturore shqiptare? Apo, përshtatur në gjuhën e fushatës zgjedhore, është bërë qëllim i pangopshëm komercial se çfarë dhe si do të konsiderojnë mediat, si lajm (partiak) parazgjedhor apo çfarë?

Dhe, për të qenë konsekuent deri në fund: Mos janë duke dëmtuar, “ftohur” a “varrosur” industrialistët medialë shqiptarë vetitë dhe dhuntitë njerëzore për bisedime e komunikime “sy ndër sy” e “gju në gju”? A mos është RTK, kjo industria më e madhe që po “tymon” sot në Kosovë, ajo që po i bën shqiptarët të largohen nga njëri-tjetri e të mos përfshihen në dhënien e ndihmës?

Rreth kësaj duhet të mendohemi mirë, aq më tepër në kohën e zgjedhjeve. Sepse, nëse mediat “e Thaçit” vijojnë si deri tash, ato jo vetëm që destabilizojnë politikën në përgjithësi, por përbëjnë edhe rrezik kronik për shëndetin mental të njeriut shqiptar në shekullin e ri.

KOMENTE