English

Meta në parlament, fjala e mbajtur për investimet e naftës

Tiranë, 18 nëntor, NOA – “Në kontekstin e politikës për tërheqjen e investitorëve potencialë për zhvillimin e vendburimeve ekzistuese të naftës, që ka nisur që me ndarjen nga sistemi i kaluar, nga ana e kompanisë Albpetrol dhe strukturave të tjera përgjegjëse për sektorin e hidrokarbureve, në mënyrë të vazhdueshme është synuar të promovohen mundësitë dhe interesat konkrete që kanë potencialet e këtyre vendburimeve. Kjo politikë mbështetet në një kuadër të plotë ligjor, por dhe shumë specifik për sektorin hidrokarbur, baza e të cilit është ligji “Për hidrokarburet”, (kërkimi dhe prodhimi , ligji 77 /46 i dt. 28.07 1993, i ndryshuar, si dhe Marrëveshja Albpetrol.

Dua të theksoj se në procedurën e negocimit për arritjen e marrëveshjes, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi, çdo gjë është e negociueshme, në çdo fazë, me terma të saktë, brenda një kuadri teknik dhe ligjor të njohur dhe të pranuar nga palët. Një praktikë e tillë është specifike për marrëveshjet në sektorin hidrokarbur, i cili nuk ka ngjashmëri me sektorët e tjerë dhe mbështetet mbi standarte të pranuara dhe të zbatuara gjerësisht në industrinë ndërkombëtare të naftës.

Në këtë kuadër, në vazhdim të bashkëpunimit të shoqërisë Albpetrol sh.a. me kompani të huaja, në prill 2006 ka marrë kontakte dhe me kompaninë Stream Oil Petroleum, e cila shprehu interesin për investime në të gjitha zonat e naftës dhe gazit në administrim të Albpetrol, me mundësinë për të lidhur marrëveshje hidrokarburesh .

Gjatë procesit të vlerësimit të gjendjes së vendburimeve ekzistuese, negocimet mes Albpetrol sh.a. dhe Stream Oil Petroleum u fokusuan në vendburimet karbonatike të Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, dhe të Delvinës.

Pas miratimit nga ministri të termave kryesore të hidrokarbureve për vendburimet, të negociuara, është rënë dakord mes Albpetrolit dhe Stream Oil dhe nga Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore, në zbatim të kërkesave të ligjit 77/46, datë 28.7. 1993 të ndryshuar, u përgatitën draftet e licencë-marrëveshjes që janë nënshkruar nga palët në 4.7.2007. Me miratimin e licencë- marrëveshjes palët negociuan me njëra-tjetrën dhe arritën të hartonin marrëveshje hidrokarbure për të katër këto vendburime, duke i firmosur ato në 19.7.2007. Në zbatim të ligjit hidrokarbur, ligji 77/46 marrëveshjet e nënshkruara nga palët u miratuan nga Këshilli i Ministrave me vendimin 509 më 08.08.2007.

E drejta e Albpetrolit për lidhjen e marrëveshjeve të tilla lind nga parashikimet e ligjit 77/46 i dt. 28.07.93 i ndryshuar, dhe marrëveshja Albpetrol, ndërmjet së cilës Albpetrol autorizohet për kryerjen e operacioneve hidrokarbureve në vendburimet ekzistuese por gjithashtu që të hyjë dhe në marrëveshje me kompani të huaja për zhvillimin e operacioneve hidrokarbure në këto vendburime në përputhje me një licensë që do të miratohej nga ministria përkatëse për këtë qëllim.

Marrëveshjet e nënshkruara nga Albpetrol janë marrëveshje me ndarje prodhimi, sipas të cilave të gjitha shpenzimet dhe rriskun i merr përsipër kontraktori. Aktualisht, këto marrëveshje e kanë përfunduar periudhën e vlerësimit dhe për tre prej tyre ka filluar periudha e zhvillimit.

Ndërsa për marrëveshjen hidrokarbure për vend-burimin e Delvinës është në shqyrtim plani i zhvillimit.

Për sa më sipër, referuar kërkesës për interpelancë, ritheksoj se qeveria është e hapur për të nxitur investimet, për të rritur prodhimin dhe rrjedhimisht fitimin, duke futur teknologji dhe metoda bashkëkohore shfrytëzimi për vendburimet, të cilat jo vetëm do të rrisin përfitimin sa i takon palës shtetërore, por edhe të vetë investitorit. Gjithashtu, përmes këtyre marrëveshjeve, veç interesit financiar në zbatimin e tyre, një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është dhe përmirësimi i ndjeshëm që realizohet në situatën mjedisore të këtyre vendburimeve, për shkak të teknologjive të reja që zbatohen dhe investimeve që po bëhen në infrastrukturën e vendburimeve.

Po kështu, qeveria do të vazhdojë mbikëqyrjen dhe auditimin nëpërmjet strukturave dhe institucioneve kompetente shqiptare për aktivitetin që kryhet në kuadër të këtyre marrëveshjeve hidrokarbure nga ana e kompanive të huaja investitore dhe për këtë është duke bashkëpunuar me partnerë të rëndësishëm, ashtu si në fushën e industrisë minerare, sidomos me BB me qëllim rritjen e nivelit të kontrollit dhe auditimit përmes përfshirjes edhe të shoqërive prestigjoze ndërkombëtare të çertifikuara për auditime në këto fusha shumë specifike.

Gjithë veprimtaria e institucioneve të angazhuara me këtë aktivitet do të vazhdojë të jetë në respekt të plotë të ligjit, të marrëveshjeve kontraktore respektive me qëllim nxitjen dhe rritjen e investimeve në këtë sektor, rritjen e nivelit të transparencës dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Legjislacioni në fushën e hidrokarbureve është krejt i veçantë. Ka një politikë të taksave me një ligj specifik, krejt të veçantë dhe në shumë aspekte të tjera. Nuk është çështja e investimeve në këtë fushë si në fusha të tjera, për të cilat veprojnë ligje të tjera, të njohura nga të gjithë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në respekt të ligjit dhe të rritjes së transparencës.

Unë dua të theksoj se pritja është që të përqendrohet gjithçka tek e ardhmja, qoftë për këto marrëveshje, qoftë për marrëveshje të tjera, për sektorin në fjalë. Por, këtu u lexuan të gjitha letrat që i janë çuar në mënyrë zyrtare, sipas ligjit, nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Braçe si deputet, me kërkesën e tij. Ato nuk ishin zbulime, por ishin në kuadër të transparencës dhe detyrimeve ligjore që ka çdo institucion për të komunikuar me deputetët.

Këtu nuk jemi për interpretim, sepse unë nuk jam këtu për të aktruar. Këtu jemi për të diskutuar dhe për të gjykuar në mënyrë politike. Në mënyrë politike, meqenëse ju jeni edhe jurist dhe me eksperiencë, legjislacioni në fushën e hidrokarbureve është krejt specifik dhe krejt i veçantë nga legjislacioni në fushat e tjera, sipas standardeve ndërkombëtare, ku për elementë të caktuar të marrëveshjeve është i përfshirë edhe parimi i konfidencialitetit. Ky legjislacion, meqenëse ju jeni dhe jurist me eksperiencë, është që në fillim të viteve ’90, në fund të viteve ’90, në fillim të viteve 2000 dhe tani që po bëhemi gati për vitin 2011.

Mënyra se si është negociuar ka qenë, në bazë të ligjit, e njëjtë edhe përpara vitit 2005. Këto letra që u lexuan këtu, siç i janë dhënë deputetit z. Braçe me kërkesën e tij, i janë dhënë edhe Prokurorisë me kërkesën e saj.

Nuk më takon mua dhe askujt tjetër, natyrisht që na takon të bëjmë interpretime politike apo lojëra politike, por nuk na takon të gjykojmë mbi shkeljen e ligjit apo mos shkeljen e ligjit, mbi abuzimin apo jo. Të gjitha këto letra që janë dhënë nga Ministria e Ekonomisë do të gjykohen nga institucionet përkatëse.

Detyra jonë është të zhvillojmë këtë sektor përmes reformave. Unë dua t’ju siguroj që brenda dy viteve Shqipëria do të ketë prodhim më të lartë se sa e ka pasur në vitin më të mirë të prodhimit, përpara viteve ’90.

Unë do të vazhdoj të komunikoj në mënyrë transparente dhe me deputetin z. Braçe, me deputetë të tjerë dhe me institucionet tona.

Përgjegjësinë ligjore për çdo shkelje të ligjit e caktojnë institucione të tjera.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe dua t’ju siguroj që përveç auditimeve të deritanishme nga strukturat shtetërore ne kemi vendosur, pasi është dhe një prioritet i imi, për të zgjedhur, në mënyrë transparente, një kompani ndërkombëtare të specializuar për auditime në këtë sektor kaq specifik për të verifikuar edhe njëherë tjetër shpenzimet dhe investimet që bëhen nga investitorët e huaj apo vendas në këtë sektor të veçantë.

Të gjithë ata të cilët sipas deputetit z. Braçe kanë qënë të bindur dhe janë të bindur që janë bërë shkelje të ligjit kur të thirren nga Prokuroria, ta dëshmojnë këtë atje. Dhe unë do të mbështesë prokurorinë për çdo masë që do marrin ndaj cilitdo që ka shkelur ligjin , aq më tepër ndaj kujtdo që do e bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Ajo që dua të shtoj në përfundim do të bëja thirrje që meqenëse bëhet fjalë për interesa strategjike t’i politizonim sa më pak këtë çështje.

Lidhur me shqetësimin tuaj të ngritur këtu për çështjen e rafinerisë unë do t’ju siguroj këtu që ministria e Ekonomisë ka nisur procedurat për të vënë në punë rafinerinë e Cërrikut në mënyrë shumë transparente dhe për të liberalizuar këtë treg shumë të rëndësishëm për përpunimin e naftës në vend”.

NOA

KOMENTE