Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nga Bajroni Evropa dëgjoi emrin shqiptar pas katër shekujsh
English

Nga Bajroni Evropa dëgjoi emrin shqiptar pas katër shekujsh

Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu

Rikujtimi i një miku të njëmendët të shqiptarëve pas dyqind vitesh

Po mbushen mbi dyqind vjet që nga vizita e parë e Bajronit në Shqipëri dhe te shqiptarët, në pragun e mileniumit të ri e kujtojmë me respekt, mirënjohje dhe dashuri të thellë për vizitën e bërë nga romantiku më i spikatur anglez dhe evropian, i cili me jetën, veprën dhe idealet e tij mbeti një ndër figurat më madhore dhe më aktuale të romantizmit evropian.

Pse është ende me rëndësi vizita e Bajronit në Shqipëri? Është me rëndësi të veçantë ajo vizitë sepse gjatë udhëtimit të tij, Bajronit të ri i ra në sy se, ndonëse zyrtarisht po vizitonte Perandorinë Osmane, ai në të vërtetë interesohet për shqiptarët, për vendin, historinë dhe karakteristikat e shqiptarëve. Ai u njoftua, u shoqërua dhe u miqësua me ta gjatë shtegtimit, brodhi maleve, bujti në pallate e kasolle, vlerësoi bujarinë, mikpritjen dhe respektin e tyre, duke i përmendur në njëzet e pesë letra të tij dërguar nënës dhe miqve të tij. Motoja e letrave të tij, janë këto pohime: “Me sa kam parë vetë, nuk mund të flas veçse mirë për ta... I dua shumë shqiptarët”.

Pos kësaj, Bajroni i ri zuri miqësi me dy shqiptarë, Vasilin dhe Dervishin. Ata e shoqëruan Bajronin jo vetëm në trojet shqiptare, po edhe në Greqi, duke kaluar më se njëzet muaj së bashku. Poeti anglez vuri re se “rrallë mund të gjesh shokë më besnikë në rrezik dhe të paepur në shërbim”. Ndonëse ishin në shërbimin e Ali Pashës, miqësia e tyre për Bajronin mbeti e paharruar, sepse ata ishin të çiltër dhe të vërtetë. Mirësjellja, burrnia, kujdesi, ndershmëria dhe sinqeriteti i miqve shqiptarë e bënë Bajronin të shënojë se shqiptarët jo vetëm që ishin trima, “po edhe tejet besnik dhe të ndershëm”. Me një rast tjetër, me një letër të tij, shkruan: “Shqiptarët e mi, u kujdesën për mua me një vëmendje të atillë, që do t’i bënte nder qytetërimit”.

Njëherësh, gjatë vizitës së tij, ai u prit me respekt dhe pothuajse pa protokoll të veçantë nga Ali Pashë Tepelena, një figurë markante politike, diplomatike dhe shtetërore, emri i të cilit lakohej dendur nga diplomacia franceze, angleze dhe ruse. Rasti e deshi që Bajroni ta vizitonte atë pikërisht në kohën kur po fillonte një periudhë miqësie e bashkëpunimi diplomatik mes Ali Pashës dhe Britanisë së Madhe. Në kujtimet dhe letrat e tij Bajroni na ka lënë një sërë të dhënash, mbresash dhe mendimesh relevante për Ali Pashën si sundimtar, po edhe për Ali Pashën si mik.

Përpos kësaj, vizita e Bajronit dhe interesimi i tij për doket, zakonet, traditën dhe këngët shqiptare, nga një anë, dhe shënimi, nga ana tjetër, i disa këngëve popullore shqiptare, me 1809, konsiderohet nga albanologët (Majer, Trajmer, etj), si një kontribut i parë modest për albanologjinë.

Mirëpo, s’ka pikë dyshimi se merita më e madhe e Bajronit për ne janë vargjet dhe strofat e Këngës së dytë të “Çajlld Harolldit” ku, duke e apostrofuar Shqipërinë si atdheun e Lekës së Madh dhe atë të Skënderbeut, rikujton me mburrje liridashjen, trimërinë, gjuhën e lashtë, virtytin e miqësisë, të mikpritjes, të tolerancës, të dinjitetit dhe të bujarisë. Atij i kishte bërë përshtypje se shqiptarët, edhe pse me përkatësi fetare të ndryshme, feja e tyre nuk shkaktonte dallime në qëndrimet dhe sjelljet e tyre. Bajronit i erdhi shumë mirë që shqiptarët, qofshin të krishterë apo edhe myslimanë, para së gjithash, theksonin se janë shqiptarë.

Po kështu, me daljen në dritë të pjesës së parë dhe të dytë të “Çajlld Harolldit” me 1812, ndodhi një koincidencë e çuditshme, që ka të bëjë me Bajronin dhe shqiptarët. Kështu, Bajroni u bë poet i famshëm dhe lavdiplotë, po në të njëjtën kohë lexuesit evropianë të veprës së tij, në përgjithësi, dhe diplomacia evropiane, në veçanti, mësoi se në Perandorinë Osmane, në Ballkan, jeton populli i lashtë shqiptar me gjuhën, historinë, doket dhe traditën e tij krenare.

Prandaj, s’është për t’u çuditur se Bajroni jo vetëm që përshinë edhe disa këngë shqipe në “Çajlld Harolldin” e tij (Tamburxhi), po edhe në “Tregimet Orientale”, disa personazhe të tij i mveshi me cilësitë dhe tiparet shqiptare.

Do vënë në spikamë se përshtypjet, shënimet, referencat dhe vëzhgimet e shtegtarit dhe poetit liridashës anglez u bënë pikënisje, cytje dhe nxitje për një mori udhëpërshkruesish, vizitorësh, misionarësh, diplomatësh, intelektualësh, artistësh dhe dijetarësh për të udhëtuar në Shqipëri.

(Autori ka doktoruar me temën “Bajroni te shqiptarët”, është profesori i parë i letërsisë angleze në Kosovë)

KOMENTE