English

Rama: Rikonstruksioni i Urës së Lanës përfundon para Vitit të Ri

Tiranë, 18 nëntor, NOA – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Urës së Lanës, në zonën pranë shkollës Teknologjike duke garantuar qytetarët se punimet do të përfundojnë para ardhjes së Vitit të Ri.

Kryebashkiaku e cilësoi mjaft të rëndësishme për komunitetin qytetar përfundimin e kësaj vepre publike, që luan një rol themelor në çlirimin e mëtejshëm të trafikut në kryeqytet.

“Është një vepër që me plot gojën po realizohet sëbashku me qytetarët, që përballojnë në këtë periudhë, një vështirësi të veçantë, duke bërë të mundur, që vepra të mund të realizohet dhe ne jemi besimplotë, që përpara Vitit të Ri do ta bëjmë të kalueshme këtë rrugë, duke mikpritur kështu edhe të gjithë ata, që siç është bërë tashmë traditë për Tiranën e transformuar vijnë për festat nga jashtë”, tha shefi i Bashkisë së Tiranës.

Zoti Rama tha më tej se “përmes realizimit të kësaj nyje strategjike për trafikun e kryeqytetit, ne ëojmë përpara një projekt, që pa dyshim do të ishte i plotë me Unazën e Re, sikur arsyeja e mosarsyes së politikës së vjetër ta kishte bllokuar projektin e Unazës së Re, për të thënë sot se projekti nuk u bë”.

“Kjo është “Tirona” jonë, ku megjithatë ne shkojmë përpara, pavarësisht pengesave dhe bllokimeve, që vetëm na rrisin pasionin për t’i bërë gjërat dhe që në fund i bëjmë gjërat, pavarësisht se të tjerët kujtojnë se duke mos na lënë t’i bëjmë, marrin simpatinë e qytetarëve, gjë që në fakt është krejt e kundërta, sepse qytetarët e Tiranës e kuptojnë mirë se kush punon për Tiranën dhe kush kërkon ta fusë Tiranën në kthetrat e së shkuarës, nënvizoi ai.

Ura, pranë shkollës teknologjike që po ndërtohet mbi Lanë, ndodhet në pjesën perëndimore të qytetit të Tiranës, dhe lidh rrugën e Kavajës me rrugën e Kombinatit, si dhe të dy bulevardet “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”.

Qëllimi i këtij projekti është çlirimi i trafikut të rënduar ku lëvizja e automjeteve kryhet me vështirësi nga rruga e Kavajës për në të dy bulevardet anës Lanës, në mënyrën më optimale.

Ura do të jetë e gjerë 30 m, me dy kalime me gjerësi 11.5 m secila, si dhe ndarje në mes me gjerësi 1.0 m edhe dy trotuare me gjerësi 3 m secili.

Në projekt është parashikuar ndriçimi në të dy skajet e urës, për secilën anë.

Ky projekt financohet nga një kredi e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërkohë mesi i muajit dhjetor do të përkojë edhe me hapjen e Urës për trafikun, duke krijuar kështu edhe lirshmëri në qarkullim.

mit/NOA
KOMENTE