Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shfaqja serbe për Brammerz-in
English

Shfaqja serbe për Brammerz-in

Beogradi ka një histori të gjatë të ndërmarrjes së operacioneve policore në kërkim të krimineleve të luftës para çdo vizite të kryeprokurorit

Nga Neil MacDonald

Kur javën e kaluar policia serbe filloi hetimet ndaj një zyrtari të lartë të shërbimeve sekrete ushtarake, dukej se autoritetet ishin më afër kapjes së Ratko Mladic’it, të kërkuarit kryesor që vazhdon të jetë ende në arrati që nga luftërat në Ballkan të viteve të 90’a. Aco Tomic, ish-shef i shërbimit ushtarak të zbulimit deri në vitin 2003, po hetohet rreth dyshimeve se e ka ndihmuar udhëheqësin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic, që të strehohej në një bazë ushtarake në afërsi të Beogradit. Vizita e së hënës në Beograd e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Serge Brammerz, përkon me kohën e presioneve të shtuara ndaj Serbisë për të dëshmuar “një bashkëpunim të plotë” për kapjen e dy të akuzuarve që ende janë në arrati, Ratko Mladic dhe Goran Hadzic. Mladic, i cili i drejtoi forcat e serbëve të Bosnjës edhe gjatë masakrës së Srebrenicës, dhe Goran Hadzic, që ishte udhëheqës i serbëve të Kroacisë, ka shumë të ngjarë se fshihen në Serbi, pohon zyra e Brammerz’it. Megjithëse rënia në gjurmë e vendndodhjes së tyre doli të jetë gjë tejet e vështirë. Pas këshillave të prokurorëve të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2006 policia serbe kishte arritur të rrethonte pjesën më të madhe të mbështetësve të Mladic’it. Megjithatë, si rezultat u humbën të gjitha lidhjet me gjeneralin në arrati. Hetuesit ndërkombëtarë, por edhe ata serbë, pohojnë se ishin shumë më afër arrestimit të Mladic katër vjet më parë sesa që janë tani. Bosko Jaksic, analist politik dhe kolumnist i ngjarjeve ndërkombëtare në gazetën beogradase ‘Politika’, sqaron se: “Me arrestimin e mbështetësve të Mladic, autoritetet humbën mundësinë e përcjelljes së këtyre njerëzve derisa të mos vihej te Mladic”. Pas krijimit të qeverisë aktuale pro-evropiane, në korrik të vitit 2008, ndodhi një tronditje e shërbimeve të zbulimit. Ndryshimet pjesërisht janë bërë për t'i kënaqur kërkesat e BE’së për kapjen e Mladic. Brenda pak ditësh u kap ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karadzic. Mirëpo, që prej atëherë, margjinalizimi i agjentëve të afërt me regjimin e vjetër ka ulur aftësinë e shtetit për gjetjen e Mladic’it. "Vullneti politik është real, por nuk kanë mbetur më bashkëpunëtorë të Mladic’it me të cilët do të mund të negociohej", thotë Jaksic. Përparimi i ndalur pasqyrohet dhe në raportet e kryeprokurorit Brammerz. Pas publikimit të një raporti relativisht pozitiv vitin e kaluar, ai më vonë i ka ri-nënvizuar problemet e bashkëpunimit me Beogradin. Konkludimet e kryeprokurorit – të cilat do t’i prezantohen Këshillit të Sigurimit në dhjetor – mund ta influencojnë fuqishëm rrugëtimin e Serbisë drejt BE’së. Zëvendëskryeministri i ngarkuar për integrimet evropiane, Bozidar Djelic, thotë se Serbia do të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2015. Shumëçka vërtet varet nga atmosfera në Bruksel, por mbi të gjitha nga arrestimi dhe dërgimi në Hagë i dy të akuzuarve që ende ndodhen në arrati. Ndërkohë, qeveria serbe po bënë gjithçka mundet për të treguar se po mundohet të bashkëpunojë. Beogradi ka një histori të gjatë të ndërmarrjes së operacioneve policore në kërkim të krimineleve të luftës para çdo vizite të kryeprokurorit. "Bastisjet dhe hetimet e fundit nuk janë asgjë e re. E tëra është vetëm një shfaqje e madhe për ta impresionuar Brammerz’in dhe BE’në", thotë Braca Grubacic, analisti politik i afërt me shërbimet e zbulimit.

Financial Times

KOMENTE