English

Inaugurohet qendra multimediale “TEN” në Tiranë

Tiranë, 19 nëntor, NOA - Qendra Multimediale “TEN” është hapësira e re bashkëkohore dhe moderne, që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të komunitetit kryeqytetas dhe veçanërisht të të rinjve dhe të rejave, të cilët tashmë mund të shfrytëzojnë këtë hapësirë shumë funksionale.

Kjo qendër e re që ka filluar tashmë të jetësohet e të gjallojë në Tiranë është një derë e hapur për të gjithë ata që kërkojnë të zhvillojnë talentet dhe njëkohësisht të rrisin shkallën e dijeve të tyre.

Dikush ushtrohet në piano, dikush në balet apo teatër, të tjerë që diskutojnë mbi libra të ndryshëm e debatojnë për çështje të kulturës, çështje të artit apo çështje të shoqërisë, aktivitete të ndryshme, prindër që sjellin këtu fëmijët etj. E gjithë kjo është një hapësirë pa fund, ku secili gjen pikën e tij të referimit.

Imazhi që ofron qendra “TEN” janë pasditet e saj plot gjallëri, mbushur me energjinë, dëshirën dhe optimizmin që përcjellin të rinjtë e kryeqytetit dhe që e bëjnë atë një hapësirë komunitare, një synim që Bashkia e Tiranës e ka përmbushur me sukses.

Kryebashkiaku Rama ka gjetur rastin të vizitojë ambientet e kësaj qendre, duke parë nga afër aktivitetet dhe praninë gjithnjë e më të madhe të fëmijëve, prindërve, të rinjve e të rejave që i japin jetë kësaj hapësire: “Është vërtet befasuese por shumë e pëlqyeshme që kjo qendër e sapohapur, ka filluar të jetësohet dhe të lëvizë, falë një pranie përditë e më madhe fëmijësh prindërish dhe shpresoj në ditët e në javët në vijim, të rejash e të rinjsh, që në këtë qendër gjejnë mundësinë për të ushtruar talentet e tyre, për tu takuar me njëri tjetrin, për të diskutuar dhe marrë pjesë në debatet që do të organizohen lidhur me çështje të kulturës, me çështje të artit dhe me çështje të shoqërisë.

Është shumë e rëndësishme që kjo qendër të funksionojë në shërbim të komunitetit, përditë e më shumë dhe që i gjithë komuniteti të kontribuojë për ta bërë atë një qendër të vetën. Ne, thjesht krijojmë mundësitë dhe pastaj këto mundësi shfrytëzohen nga të reja, të rinj, fëmijë, prindër që sjellin këtu fëmijët, gjyshër e gjyshe, që kështu kanë një pikë referimi për orë të lira që mund të shpenzohen në një mënyrë krejt të re dhe me rezultate jashtëzakonisht të bukura, si për shembull, rezultatet e grupit të fëmijëve të baletit” - u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE