English

Meta: Pas heqjes së vizave, oferta e re e lidershipit socialist e neveritshme

Tiranë, 19 nëntor, NOA, Update – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, aleati më i ngushtë i kryeministrit Berisha në koalicionin qeveritar e ka cilësuar ofertën më të re të lidershipit të Partisë Socialiste, Edi Rama për zgjidhjen e krizës politike, me hetimin vetëm të materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të 28 qershorit, si një ofertë të neveritshme që erdhi pikërisht pas liberalizimit të vizave dhe premtimit të mbajtur të qeverisë.

Në një prononcim për mediat, zëvendëskryeministri Meta theksoi se nga oferta e fundit kuptohet qartë se opozita ka qenë e bindur se kërkesa për hetimin qoftë edhe rinumërimin e fletëve të votimit ishte krejtësisht antikushtetuese dhe antiligjore, dhe se u bë me qëllimin e mbrapshtë të dëmtimit të procesit për heqjen e vizave.

Andaj Meta tha se tashmë lidershipi i Partisë Socialiste duhet të kërkojë ndjesë publike për pengesat që solli në proceset integruese të Shqipërisë, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Z. Meta, ka pasur një tërheqje të Partisë Socialiste nga hetimi parlamentar i zgjedhjeve, duke përjashtuar kutitë e votimit. A është kjo një ofertë e mirë që duhet pranuar nga mazhoranca për të zgjidhur krizën politike?

Mendoj se përpjekjet për të bërë konstruktivin pas një viti fushate të ethshme anti integrim dhe kundër heqjes së vizave, pikërisht vetëm dy-tre ditë pasi procesi i vizave u fitua nga qytetarët shqiptarë pavarësisht nga pengesat që u paraqitën edhe brenda vendit në emër të kutive.

Ky ndryshim qëndrimi vetëm dy ditë pasi Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat, vetëm për shkak të kësaj krize tërësisht artificiale të ndërtuar mbi parime antikushtetuese dhe antidemokratike, pra të gjitha këto përpjekje për të bërë konstruktivin dhe të gjithë këto lot krokodili që derdhen sot, janë tërësisht vërtet të neveritshme. Asnjë tentativë për kompromis nuk ka pasur nga lidershipi aktual i Partisë Socialiste.

Që në shtator të vitit 2009, kur filloi sesioni parlamentar i kësaj legjislature të re, ka qenë vetëm mazhoranca ajo që ka ofruar kompromise. Ishte mazhoranca ajo që mund të mos jepte shumicën dhe nuk kishte ndonjë detyrim për t’i dhënë shumicën në komision hetimor opozitës.

Por ia dha. Ishte mazhoranca që i dha kryetarin e komisionit, në një kohë që nuk kishte detyrim t’ia jepte atë. I dha të gjitha mundësitë për të hetuar çdo gjë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, për çështjen më absurde që nuk ka ndodhur në asnjë vend demokratik të botës, pasi gjykata ka mbyllur procesin e ankesave dhe të rinumërimit. Pra, për çështjen më absurde që nuk e kupton askush në botë, që deputetët të rinumërojnë votat me të cilat ata janë zgjedhur apo nuk janë zgjedhur. Iu dha gjithë hapësira dhe gjithë mundësia që t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamenti të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Iu ofrua dhe një kompromis shumë i madh, që t’i drejtoheshin Komisionit të Venecias, një sugjerim ky edhe i ndërkombëtarëve, që mazhoranca e pranoi dhe asnjë nuk ndodhi.

Dhe çdo gjë u bë me qëllim të qartë për të dëmtuar në mënyrë fatale procesin e liberalizimit të vizave, por për fat të mirë ky proces ishte i kushtëzuar nga standarde, të cilat vareshin nga puna dhe nga angazhimi i qeverisë, dhe njëkohësisht u bë çdo gjë për të dëmtuar procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat, duke ditur që për një vend që kërkon të hyjë në Europë është e domosdoshme që të ketë një dialog normal dhe jo një politikë në kushtet e pengmarrjeve, ku dikush thotë: o do të marr këtë që dua unë, ose le të bëhet hataja. Hata më të madhe se kaq Edi Rama nuk ka se çfarë i bën vendit.

Natyrisht, kjo është një situatë që duhet përmirësuar, por është shumë vonë për të luajtur konstruktivin pas një politike destruktive, të qëllimshme, prej më shumë se sa një viti. Sigurisht që është e rëndësishme, në kuadrin e një inkoherence totale të qëndrimeve nga më të ndryshmet, që çdo propozim të formalizohet sepse duke pasur propozime të ndryshme nga tribuna të ndryshme, sigurisht që nuk është diçka serioze.

Por, dëm më të madh se kaq nuk ka se çfarë i bën këtij vendi dhe dëm më të madh se sa i bëri dhe vetë Partisë Socialiste, e cila ka pasur kontribute shumë të mëdha për integrimin e Shqipërisë në NATO, për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe, e cila, që pas zgjedhjeve të 28 qershorit, vetëm për të mbrojtur karrigen e kryetarit të saj, ajo u morr peng dhe u shndërrua në një barrikadë të proceseve integruese të Shqipërisë, nga të cilat përfitojnë të gjithë shqiptarët.

Sot nga heqja e vizave, për fat të mirë, përfitojnë të gjithë shqiptarët. Por, natyrisht që dhe ky proces nuk ka qenë i pa rrezikuar, me gjithë atë fushatë presioni që u bë dhe ndaj Bashkimit Europian, nga brenda Shqipërisë, me kërcënimin që gjoja do të vinte nga largimi i shqiptarëve, nga eksodet, për shkaqe dhe për arsye të ndryshme. Ndaj është e rëndësishme të shohim drejt së ardhmes, por edhe secili të marrë përgjegjësitë e tij dhe në këtë mënyrë fenomene të tillë, ku forca politike, për interesa të ngushta, shndërrohen në barrikada të zhvillimit të vendit dhe të integrimit të tij, nuk duhet të ndodhin dhe të përsëriten më.

Për këtë ka nevojë për një pendesë të thellë.

Por, përveç pendesës, a është i mjaftueshëm kushti që tërhiqen nga fletët e votimit për të arritur në marrëveshje?

Duhet të theksoj se inkoherenca ka qenë vazhdimisht e pranishme. Duket qartë që vetë opozita ka qenë e bindur që kërkesa e saj ka qenë antikushtetuese dhe antiligjore, dhe është mbajtur si një kërkesë ultimative thjesht dhe vetëm për një qëllim, për të dëmtuar proceset integruese të Shqipërisë, për të shkatërruar procesin e liberalizimit të vizave dhe njëkohësisht për të penguar edhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kjo është e qartë, sepse nuk kishte pse të ndryshonte qëndrimi menjëherë dy ditë pasi këto dy momente u përcaktuan qartë nga Bashkimi Europian, vizat u dhanë dhe statusi nuk u dha për shkak të ngërçit të krijuar nga opozita, për shkak të një kërkese tërësisht absurde, antikushtetuese, antidemokratike, sepse po të ishte një kërkesë e drejtë do i ishin drejtuar edhe Komisionit të Venecias, që është një institucion i pavarur i ligjit dhe i demokracisë. Kjo tregon qartë, që e gjithë kjo politikë obstruksioniste nuk kishte qëllim çështjen e fletëve të votimit, sepse fletët vetë i kanë numëruar, sipas Kodit që ka bërë kryetari i Partisë Socialiste, një Kod që nuk është vërtet demokratik dhe që nuk ka pasur vërtet si qëllim transparencën e procesit, por monopolizimin e tij.

Këto probleme, të cilat janë pranuar që kanë ardhur nga zgjedhjet e fundit, në radhë të parë janë përgjegjësi e vetë Edi Ramës, por edhe e Partisë Demokratike. Është detyrimi i të gjithëve, jo vetëm i tyre, që tani të zhvillojmë me shpejtësi reformën zgjedhore dhe të përmirësojmë Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.

Mbetet inkoherenca e Partisë Socialiste ajo që e bën dyshuese mazhorancën për ta pranuar këtë ofertë?

Besoj se jemi shumë të qartë. Dëm më të madh se sa i bëri apo u përpoq t’i bënte vendit dhe proceseve të tij integruese nuk ka se çfarë t’i bëjë më Edi Rama dhe as ndonjë avokat i tij.

Natyrisht që duhet parë përpara, por ka nevojë për një pendesë të thellë, sepse nuk mund të bëhen eksperimente me të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe aq më tepër nuk mund të pranohen skena të tilla teatrale, ku për më shumë se një vit dikush bëhet barrikadë me çdo kusht, me çdo çmim, në mënyrë krejtësisht të paarsyeshme ndaj proceseve integruese të vendit, dhe pasi bën dëmin maksimal që mund të bënte kërkon të marrë flamurin e konstruktivit, përveç inkoherencës e cila është shumë evidente.

Kjo ka qenë arsyeja që nuk ka pasur ndonjë lloj entuziazmi për këtë çështje, sepse ende nuk ka një propozim të qartë, të formalizuar, mbi të cilin mund të mbahet një qëndrim.

Por, qëndrimi mendoj ka qenë dhe mbetet parimor. Të bëhet procesi i hetimit, në përputhje me Kodin, në përputhje me Kushtetutën, ky ka qenë qëndrimi i hershëm.

Z. Meta, KESH ka kërkuar dje rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në këtë propozim është dhe mirëkuptimi juaj?

KESH, OST dhe CEZ, të gjithë operatorët, kanë të drejtën të bëjnë kërkesat e tyre. Ju e dini që KESH është një shoqëri anonime apo edhe OST, në kuadrin e procesit të reformave dhe të liberalizimit në këtë treg.

Dua t’ju siguroj se prioritet i yni si Ministri nuk është rritja e çmimit që është prioritet i këtyre kompanive, të cilat kanë interes të rrisin fitimet e tyre apo mundësitë për të bërë investime, për të modernizuar veten e tyre dhe sistemet përkatëse.

Prioritet i Ministrisë së Ekonomisë për këtë rast është mbrojtja e konsumatorit.

mit/NOA
KOMENTE