Tiranë, 19 Nëntor, NOA - Qeveria shqiptare dhe ajo italiane kanë dhënë mbështetje financiare për zhvillimin e kompanive të Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit.
Kështu, sot në një ceremoni të veçantë u prezantua sot programi i përbashkët i këtyre qeverive për të mbështetur me kredi me interesa të ulëta bizneset e vogla dhe të mesme (SME) shqiptare, me qëllim zhvillimin e tyre.
“Çdo vend që ka dashur të zhvillohet me shpejtësi, që ka dashur zhvillimin e vet, në histori, ka gjetur mënyra të ndryshme për ta bërë këtë me sukses. Sot Shqipëria kërkon me shpejtësi të përqafojë masivisht Teknologjitë e Informacionit e të Komunikimit (TIK) në mënyrë që të ecë përpara me hapa të shpejtë, të ngushtojë hendekun dhe të arrijë vendet më të zhvilluara, si ato të BE-së. Qeveria ka luajtur dhe po luan në këtë fushë rolin e saj të pazëvendësueshëm. Buxheti i këtij viti për projektet e TIK-ut është sërish më i madh se buxheti i vitit të shkuar. Shqipëria ishte vendi i dytë në rajonin Evropë- Amerikë e Veriut, që mori çmimin nga OKB-ja për shërbimin publik të prokurimit elektronik, pas Gjermanisë. Por kjo nuk mund të arrihet pa partneritetin me sektorin e biznesit në këtë fushë dhe pa partneritetin me universitetet”, tha ministri Pollo lidhur me një fakt të tillë.
Programi i kredisë 30 milionë eurosh ka filluar të implementohet në janar 2009, është i financuar nga qeveria Italiane dhe qeveria shqiptare dhe përfshin tre komponentë të rëndësishëm:
- 25 milion euro është fondi i Linjës së Kredisë në favor të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; 2.5 milion euro është fondi për krijimin e Fondit të Garancisë, i cili mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për marrjen e kredive, kur ato kanë mungesë kolaterali dhe 1.7 milion euro donacion për Asistencën Teknike për realizimin e Programit.
n.e/NOA