English

Samiti i NATO, Maqedonia përmendet vetëm për emrin

Lisbonë, 21 nëntor, NOA - Maqedonia nuk ka qenë në vëmendjen e Samitit dyditor të NATO-s në Lisbonë, duke përfshirë edhe Deklaratën e miratuar me konkluzionet e këtij takimi.

Në pikën e 14 të deklaratës përmendet çështja e Maqedonisë dhe inkurajohet zgjidhja e kontestit të emrit, për ti hapur rrugë anëtarësimit.

Në këtë pikë është përsëritur qëndrimi i Samitit të Bukureshtit të vitit 2008, ku bëhet thirrje që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë sa më shpejt të gjejë zgjidhje të pranueshme për emrin në kuadër të OKB-së dhe kërkohet intensifikimi i përpjekjeve për këtë çështje.

Në përputhje me Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit u nënvizua se dera e NATO-s do të mbetet e hapur për të gjitha demokracitë evropiane të cilat ndajnë vlerat e Aleancës.

“Ne do të vazhdojë të mbështesë dhe të ndihmojë përpjekjet e reformave të Qeverisë së Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë. Ne mirëpresim kontributin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për në misionin ISAF në Afganistan”, thuhet në deklaratën e miratuar.

Pas këtij Samiti të Aleancës në Maqedoni pritet të shtohen debatet lidhur me dështimin e radhës për shmangien e vendit nga agjenda e Aleancës. Partitë opozitare maqedonase kanë paralajmëruar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të dështimit të kursit të Qeverisë aktuale në planin e integrimit euroatlantik. Partia shqiptare në pushtet BDI pritet që javën e ardhshme të deklarohet me qëndrim të ri lidhur me pozicionimin e saj brenda koalicionit, pasi që vendi nuk arriti sërish të përfitojë ftesën dhe sinjale nga Aleanca për përfshirjen e Maqedonisë si vend i ri anëtar.

NOA/INA

KOMENTE