English

Ekspozita e piktorit Ardian Tragaj, komunikim me veten

Tiranë, 22 nëntor, NOA/ Nga dr.Ilir Muharremi - Të komunikosh me veten, ta njohësh sekretin e fshehtë të vetes, nuk është aq lehtë. Nevojitet një armë disiplinuese, magjike dhe e fuqishme. Të depërtosh në fshehtësitë tua, të bëhesh farefis i ngushtë me to, të zhveshësh moralin, ta mbrosh idealin, do të thotë të krijosh pasqyrë në veten tënde dhe nëpërmjet kësaj pasqyre, artisti Ardian Tragaj, me një gjuhë të pastër figurative, krijon një betejë të ashpër shpirtërore të cilën e manifeston në pëlhurë të bardhë.

Po të analizohen me kujdes, portretet gjigante janë të habitura, kjo habi na vjen përmes syve të mëdhenjtë të sinqertë, ndërkaq, veshët e tyre dëgjojnë edhe atë që nuk duan ta dëgjojnë, e mbajnë për vete, dhe shpërthejnë nga breshëria e mendimeve, saqë edhe e humbasin vetën, por në esencë ata kujdesshëm mbrojnë vetën. Arrijnë ta izolojnë vetën me një mbulesë të fortë artistike.

Kryesisht piktori Tragaj nëpërmjet portreteve arrin t’i njohë shqetësimet e brendshme, tu krijojnë identitet, të instalojë të mirën dhe të keqen, të bardhën dhe të zezën, ta shpërfaq kontrastin e pranueshëm nga spektatori.

Te portreti i titulluar “Princi”, autori me një gjuhë të qetë paraqet një figurë fisnike e cila me mburrje na shikon. Përmes veshëve të mëdhenj, kjo figurë arrin të bëjë përmbledhjen e valëve shoqërore me kënaqësi dhe pakënaqësi, por shqetësimet i mban për vete, dhe këtë autori e tregon me gojën e mbyllur të fisnikut. Ndërsa, qëndrimi i tij prej duke tregon fuqinë madhështore të natyrës së fortë njerëzore. Sado që e godet rrufeja, deti i tij është i qetë. Autori me një ngjyrë specifike krijon dhembshurinë e portreteve, sikurse na paralajmëron për një dhimbje që po ndodh brenda tij.

Të kufizuar me ngjyrën e dheut, kjo sikurse na kujton se sado që lartësohemi, prapëseprapë fundi është dheu.

Ndërkaq, figurën madhështore të Skënderbeut, autori e paraqet ashtu si ai e sheh, jo sikurse jemi mësuar ta gëlltitim në formë shablloni të hipur në kalë. Ai e zbret nga kali dhe e pasqyron anën intelektuale të heroit, ngase Gjergji ka qenë edhe intelektualë i shquar. Me ngjyrën e preferuar të dheut ai i jap trajtë dhe ritëm heroit, sikurse e post-modernizon duke e paralajmëruar se fitorja arrihet me buzëqeshje dhe dashuri të flaktë. Ndërkaq, tek cikli i dashurisë, autori personazhin mashkull dhe rivalin femër e paraqet sikurse hekurin me magnetin. Të bashkuar, ku në këtë rast mashkulli na vije si i humbur dhe i trullosur nga puthjet stabile të femrës. Pushtetin nuk e fiton femra, por të dytë të bashkuar në formë të barabartë përjetësohen, krijojnë një unitet i cili na del rrjedhojë dhe një hap drejt së bukurës duke e zbrazur të keqën. Por, edhe tek monotipat e Ardianit, filozofia arrin kulmin, ngjyrat e mbyllura dhe ato të ngrohta krijojnë lëvizjet mistike dhe japin forma të kthjellëta, të cilat depërtojnë në egon e pranuesit. Ndërsa, tek trekëndëshi familjar, autori paraqet anën e brendshme të tyre. Nëna e tij na shikon, nuk na buzëqesh, por kërkon përgjigje nga ne. Prapa syve të saj të mëdhenjtë fshihen ndjenjat më të sinqerta. Ndërsa, gjarpri i autorit, simbolizon mbretin e nëntokës dhe kujdestarin më të famshëm të shtëpisë. Nga acarimi i tij dhe tendenca për të na kafshuar, arrin të na shqetësojë ndjenjat.

Andaj, si për fund do theksoja se punimet e Ardianit janë ngacmuese, origjinale, përjetësuese që na shpijnë në maje, ku zogjtë e rrallë fluturojnë, janë si një fiq i cili bie nga pema, dhe nga e qara lëshon lëngun e përjetësisë.

i.m/n.e/NOA

KOMENTE