Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Little things
English

Little things

Nuk e di nëse mund të gjejnë paqe me ato pak apo shumë aspra, që i tringëllojnë në xhep, autoriteteve lokale n’Boboshticë apo n’Korçë. Por t’shqetësosh varret e të parëve dhe t’mbjellësh me eshtra atmosferën e të gjithëve, është padyshim një krim i rëndë

Nga Artur Zheji

1. Boboshtica mon amour

Në Boboshticë duket sikur po luhet një tragjedi shekspiriane. Të gjitha elementët e tragjedisë janë ngjeshur në pako vend, në varre dhe mbi varre.

Bobo! -shtica, të cilën e njohim për natyrën e bukur, mishin e shijshëm dhe rakinë fantastike të kumbullës, për shkollën e shkatrruar shqiptare dhe shkollën elegante greke, private dhe njëkohësisht gratis, hyri në kronikën kombëtare, me kocka të vdekurish, betonim absurd dhe një kryq të madh.

Personalisht Kryqin si simbol kristian e çmoj dhe e nderoj pa masë. Nuk më shqetëson, as mua si i krishterë dhe as myslimanët e kulturuar shqiptarë.

Përkundrazi, simbolet e Krishtit janë thellësisht të adhurueshme për shqiptarët, në historinë e tyre të lavdishme apo qoftë edhe në çastet e palavdishme të kësaj historie. Mjafton të lexosh diçka, në botimet voluminoze të “Iliricum Sacrum”, ku shkruhet për Kristianizmin në Shqipëri, për dekristianizimin e dhunshëm të osmanëve, të trojeve shqiptare, për shkatrrimin e katedraleve dhe therjet e priftërinjve.

Mjafton të dish apo të hulumtosh se krishterimi në Shqipëri, ka gjurmë të vjetra. Dëshmohet dhe dihet se në Iliri, të krishterët kishin Kisha të vjetra, tempuj dhe vëllazëri t’krishtera klandestine, edhe kur paganizmi mbretëronte akoma te fqinjët tanë.

E pra, në nështresën tonë, edhe në atë më të vonëshmen, atë të Gjergj Kastriotit, Komnenëve, Balshajve, apo t’Lekë Dukagjinit, në bekimet apostolike t’Papëve t’Romës ndaj Kastriotit dhe shqiptarëve n’luftë me osmanët, krishterizmi, ishte një besim bazik, një identitet dhe një kulturë e pranuar, e ushtruar dhe e veneruar.

Ishte një kulturë jete dhe që e përcillte shqiptarin që nga djepi, deri në varr.

Islamizimi i mëvonshëm, i ndryshoi, por nuk i prishi esencialisht gjërat.

Shqiptarët, ku me hir dhe ku me pahir, herë nga e keqja dhe herë nga interesi për t’mos paguar taksën e “rajasë”, u islamizuan pjesërisht. Brenda një familjeje, qëllonte që njeri vëlla quhej Pashk Hyseni, vëllai tjetër, Pashk Pashku…

Edhe bashkëjetesa e mrekullueshme ndërfetare në Shqipëri, si realitet i mëvonshëm,i ka rrënjët te një mos-urrejtje historike, sepse shqiptarët, edhe falë Rilindasve tanë të Mëdhenj, fenë dhe besimin e perceptonin në thelb, si një mbishtresë, kurse të qenit shqiptarë, një nënshtresë të qëndrueshme dhe të pakushtëzuar pra, nga përkatësia e besimit.

Le të kthehemi tani te Bobo!-shtica.

Ajo që ndodhi aty, i kalon ndjeshëm parashikimet dhe fantazitë më skicofrenike. Huton çdokënd dhe dëshmon një kalbje të madhe të gjërave nga të dy krahët, e tangos makabre që u luajt aty.

Së pari dëshmon një korrupsion t’madh moral, t’vendasve me pushtet, që lejojnë apo nuk shohin e dëgjojnë, që për të ngritur një memorial, t’një apo dy ushtarëve grekë, lejojnë apo nuk pengojnë, dhunimin e një varreze vendase. Kjo paftyrësi është kaq ekstreme dhe kaq rrënqethëse, saqë dëshmon njëkohësisht se sa varfëri shpirtërore dhe materiale, mbretëron në shtëpitë, mendjet, zemrat dhe xhepat e vendimmarrësve lokalë që e lejuan këtë gjëmë dhe këtë turp.

Nuk e di nëse mund të gjejnë paqe me ato pak apo shumë aspra, që i tringëllojnë në xhep, autoriteteve lokale n’Boboshticë apo n’Korçë.

Por t’shqetësosh varret e të parëve dhe t’mbjellësh me eshtra atmosferën e të gjithëve, është padyshim një krim i rëndë.

Nga ana tjetër, djemtë “patriotë”, “patridhasit” e Omonias, kanë rënë në grackën e një tahmaqarllëku të paparë. Të etur për rrahje supesh, për financime dhe për protagonizëm, nuk janë ndalur përpara asgjëje. Kanë vënë në jetë një “operacion”, një sipërmarrje ekstreme dhe provokuese, duke nxitur dhe financuar dhunimin e varrezave shqiptare, për të ngritur një platformë betoni, me një kryq të madh, politik përsipër.

Një Kryq, të ngritur sipas parimit mesjetar që feja dhe kombi është e njëjta gjë.

Kryqi i Krishtit, është ngritur si një simbol grek, mbi varrin e një ushtari fatkeq grek, vrarë në Boboshticën shqiptare.

Si mundet që ky “night mare“, ky ankth nazist, të rishfaqet si fantazmë, në tokë shqiptare dhe shqiptarët, të shumtë, të rrinë e të sodisin yjet?

Si mundet, një prefekt i Korcës, që duket se ka më shumë brilantinë mbi flokë se sa llogjikë e seriozitet, të mbllacisë ca fjalë idiote, mbi këtë ngjarje?

Si mundet që vetëm Dritëro Agolli, të shqipërojë një frazë thelbësisht shqiptare, kur të qenit shqiptar, nuk të jep siguri as në të gjallë dhe as në të vdekur të qenies? Kjo miopi e Omoniasve t’Bollanos, për të veshur Shqipërinë me tesha dhe monumente false grekofile, qofshin këto varre apo shkolla greqisht mësuese, t’financuar nuk dihet se nga kush, po kërkon të hapë një varr të rri, në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Po mbledh idiotësisht shkarpa, benzinë, eshtra të vdekurish, kryqe pa Krisht, aspra, helm dhe dinamit dhe po kërkon t’u verë jarring, në mes të Shqipërisë.

Për çfarë?

Përse ky zell dhe ky maskarallëk?

Autoritetet e ashtuquajtura të larta shqiptare, heshtin.

Ndoshta bëjnë mirë sepse nuk duan të bien në provokacionin të quajtur kësaj radhe Boboshticë!

Ndoshta nuk kanë se c’thonë, ndoshta nuk duan apo nuk munden. Është historia ajo që gjykon heshtjen apo fjalën e politikanëve. Dikush do të shkruhet në faqet e saja me gërma të vogla dhe dikush tjetër me gërma më të mëdha. Çështja është, që të paktën të kemi një Histori të vërtetë Shqiptare. Boboshtica ndërkohë, e plagosur dhe me varre të dhunuara, ndoshta do të harrohet shpejt, sepse ngjarje të tjera do të vijojnë vrulltas nëpër headline-t mediatike. Porse Hirësitë e tyre, Janullatos dhe sidomos Mitropolit Joani i Korcës, ish Fatmir Pelushi, shqiptar shpresoj, nuk mund të heshtin, thjesht sepse të vdekurit pa varre nuk flasin dhe sepse varfëria e boboshticarëve i ka groposur në këtë situatë. Joani duhet të falet në altarin e të vërtetës, e pra në Altarin e Vërtetë të Zotit, dhe t’u japë besimtarëve shpresën e madhe se Zoti, Zoti i Vërtetë, Biri i Tij, Krishti, është po aq i mëshirshëm, i drejtë dhe i dashur, si me shqiptarët ashtu edhe me grekët. Ai kryq i ngritur si gungë, mbi varret e vjetra të boboshticarëve, ngjan me kryqin, por nuk është ngritur me misionin që ngritja e një Kryqi ka mirëfilli. Përse edhe kjo, edhe ky tjetërsim i simbolit të dashur të të krishterëve, të përcudnohet nga joshqiptarët, në tokë shqiptare? Më besoni, si i krishterë, këtë kryq, këtë politizim dhe gati nazistifikim të kryqit, nuk e besoj kursesi. Në Boboshticë, pra, ka ndodhur në pothuajse heshtje, një krim i thellë, pa gjëmime të mëdha, pa daulle e bori, pa thika dh kupa helmi. Në Boboshticë, është kryqëzuar edhe njëherë Krishti. Ose edhe më keq, Krishtin, e kanë zbritur nga Kryqi. Në Boboshticë. Bombashticë mon amour.

*Marrë nga revista “Mapo”

KOMENTE