Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Korrupsioni, rrënon e vret si kanceri
English

Korrupsioni, rrënon e vret si kanceri

Njëlloj si kanceri, po të mos luftohet, edhe korrupsioni rrënon. Ashtu siç rrënon kanceri qenien njerëzore, qoftë se nuk mjekohet dhe luftohet, po kështu edhe korrupsioni rrënon një shoqëri të lirë dhe me krizën e fundit financiare që pamë krijoi një cunam të vërtet ekonomik dhe financiar botëror. Por e vërteta është se kanceri po luftohet dhe kërkon guxim, qëndrim të kthjellët, vendosmëri dhe vullnet të hekurt për ta mundur. Po kështu edhe korrupsioni luftohet, edhe beteja me korrupsionin fitohet, edhe lufta me korrupsionin fitohet.

Nga Sali Berisha*

Korrupsioni është armiku nr. 1 i lirisë, të drejtave, të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, tek ai qeveria ka nënën e të gjitha të këqijave, të të gjitha fenomeneve të tjera. Prandaj është e rëndësishme çdo përpjekje dhe një luftë konstante e pandërprerë për të fituar betejën me këtë fenomen, i cili për kah dëmi dhe pasojat në një shoqëri mund të krahasohet plotësisht me një proces neoplazik, mund të krahasohet me kancerin. Njëlloj si kanceri, po të mos luftohet, edhe korrupsioni rrënon. Ashtu siç rrënon kanceri qenien njerëzore, qoftë se nuk mjekohet dhe luftohet, po kështu edhe korrupsioni rrënon një shoqëri të lirë dhe me krizën e fundit financiare që pamë krijoi një cunam të vërtet ekonomik dhe financiar botëror. Por e vërteta është se kanceri po luftohet dhe kërkon guxim, qëndrim të kthjellët, vendosmëri dhe vullnet të hekurt për ta mundur. Po kështu edhe korrupsioni luftohet, edhe beteja me korrupsionin fitohet, edhe lufta me korrupsionin fitohet.

Në qëndrimin ndaj korrupsionit disa parime janë të domosdoshme. Zhvillimet e fundit të piramidrisë botërore faktojnë se korrupsioni është një sëmundje gjenetike, i ka rrënjët në gjenet e qenieve njerëzore, ka në bazë babëzinë, gridën. Njeriu erdhi në shekuj e mijëvjeçarë si i tillë. Çka do të thotë se ai duhet të mbrohet me të gjitha mjetet, që të mos bjerë viktimë e babëzizë, viktimë e lakmive të papërmbajtura. Në këtë sallë e kam theksuar dhe e theksoj krahasimin midis Rrapush Xhaferrit, presidentit të fondacionit “Xhaferri” që u thoshte shqiptarëve se kur të mbaronte uji i detit, mbaronin paratë e Xhaferrit, me presidentin e Northern Rock, të bankës ndër më kryesoret e Europës që do t’u jepte huamarrësve 342 përqind të depozitave që kishte. Dhe të dy këta ndryshimin si nata me ditën në shumë aspekte. I pari ishte gjysmanalfabet, sharlatan, ndërsa i dyti ishte një kembrixhas brilant i elitës financiare më të shquar të botës, por të dy ishin vëllezër siamezë në babëzi, gridë. Të dy, njëri i merrte me interesa marramendëse, tjetri i jepte me interesa marramendëse, por dhe që të dy një fat, falimentimin.

Solla këto shembuj për të theksuar se luftën kundër korrupsionit do të mund ta bëjmë me sukses në rast se nisemi nga një rregull, nuk ka imunitet ndaj tij, askush nuk është imun ndaj korrupsionit. Pa këtë kusht, lufta kundër korrupsionit nuk do të mund të jetë e suksesshme. Nuk është fjala për imunitetet ligjore, por se qenia njerëzore si e tillë, cilado qoftë dhe kudo që të jetë, nuk ka imunitet ndaj tij. Rëndësi të jashtëzakonshme kanë reformat, të cilat bëjnë që rrezja e diellit, transparenca të penetrojnë në çdo qoshe, në çdo qelizë ët jetës publike apo private të shoqërisë.

5 vjet më parë, kjo qeveri ju premtoi shqiptarëve qeverisje me duar të pastra dhe e shndërroi këtë një parim themelor të veprimtarisë së vet, ishte në meritën e saj që deklaroi se luftën kundër korrupsionit do ta fillonte nga zyrat e saj dhe në atë kohë Shqipëria ishte e zhytur në korrupsion, ishte një nga 24 vendet më të korruptuara të planetit. Të shumtë ishin ata që shtruan pyetjen, përse qeveria nuk po merret me ata që ishin. Problemi ishte se këta që erdhën mbi atë bazë, mund të krijonin një katastrofë të vërtetë për vendin, ta thellonin më tej atë proces. Ndaj qeveria e filloi me moton se luftën kundër korrupsionit do ta niste nga zyrat e saj. Përcaktuam disa kritere të reja, të cilat nuk lejonin që paratë publike të përdoreshin për qëllime personale apo private dhe kjo i dha mundësi qeverisë, në një rast unik, të shkurtojë shpenzimet operative për administratën nga 3.2 përqind në 1.8 përqind. Ne ju premtuam shqiptarëve qeveri të vogël në dietë dhe bëmë një shkurtim të dhimbshëm prej 33 përqind të administratës dhe këtë e bëmë para së gjithash e mbi të gjitha për të luftuar korrupsionin. Sa më e madhe sipërfaqja publike dhe shtetërore, aq më i madh është korrupsioni. Kjo është e njohur.

Po ashtu zvogëlimi i administratës është një kusht madhor për luftën kundër korrupsionit. Nuk kemi pasur asnjë qëllim tjetër në ato shkurtime, përveç luftës së këtij kanceri. Qeveria ndërhyri në një seri ligjesh për të nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit. Unë mendoj se kjo ndërhyrje ka qenë shumë e dobishme, sepse përdorimi i pushtetit për të plotësuar interesat personale apo të familjes është një nga mekanizmat bazë të korrupsionit.

Në çdo vendim të qeverisë kriteri i parë ishte, është e do të mbetet lufta kundër korrupsionit dhe ky është kushti i kushteve për sukses. Në pamje të parë në këto vendime të duket se po humbet. Po ju jap një shembull të thjeshtë. Dhjetëra tarifa të marra së bashku mund të sillnin në arkën e shtetit edhe 50, 60 apo 70 milion euro, por po kaq përfundonin në xhepat e zyrtarëve. Këto u hoqën të gjitha dhe u bë shumë mirë. Lufta kundër korrupsionit është e vlefshme për çdo çmim.

Në këto përpjekje ne morën një nga një të gjitha procedurat dhe proceset. Korporatat tona të mëdha ishin trupa korruptivë të vdekur, ishin gjigandë për Shqipërinë, por në të cilat gëlonin minjtë e korrupsionit. Ne i privatizuam ato dhe patëm shansin se i privatizuam në kushte shumë të favorshme. Por ju garantoj se privatizimi i tyre ishte i dobishëm, qoftë po të bëhej edhe me një euro, për t’i nxjerrë jashtë korrupsionit. Ne bëmë privatizime ndër më të suksesshmit dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për taksapaguesit shqiptarë. Në 4 vite, ne privatizuam tërësisht korporatat e mëdha dhe sot Shqipëria është vendi më privat në Europë. Nuk ka asnjë vend tjetër me më pak asete publike, sesa shteti shqiptar. Gjithsej ai ka 6 diga, 3 ndër të cilat janë në proces privatizimi, shkollat dhe spitalet. Ne kemi përdorur privatizimin si një rrugë të suksesshme në luftën kundër korrupsionit. Ne kemi bërë outsource të shërbimeve, si inspektimi i automjeteve dhe në fusha të tjera dhe kjo ka sjellë rënie të ndjeshme. Korrupsioni nuk zhduket, por ai luftohet.

Paratë e korrupsionit në sektorin publik janë në taksa, në dogana, në prokurimet publike. Në politikat dhe reformat tona në këto fusha, ne kemi përcaktuar kriter themelor luftën kundër korrupsionit. Ne ulëm taksat dhe sot jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe vepruam drejt. Ne ulëm të gjitha detyrimet në përgjithësi, për rezultatet e të cilave do të flas pak më poshtë. Por edhe një herë dua të theksoj se transparenca është kushti i të gjitha kushteve dhe kemi qenë të suksesshëm në përdorimin e saj në prokurimet publike. Me vullnet të hekurt, ne u bëmë vendi i parë në planet me 100 përqind prokurime elektronike. Me dhjetëra vende më të pasura se Shqipëria mund t’i vendosnin këto sisteme shumë para nesh. Një nga themeluesit e Transparency International do të shprehej në një takim ndërkombëtar, se kryetari i bashkisë së tij mund ta kishte bërë dhjetë herë para Shqipërisë një procedurë të tillë, por nuk e bënte, sepse donte t’i orientonte fondet si të donte. Ne jemi sot një vend e-taksë dhe e-dogana.

Ne kemi pasur probleme madhore me pranimet në universitete, të cilat ishin panair i korrupsionit dhe sot ai është zero, sepse pranimi në universitete bëhet nëpërmjet një sistemi të dixhitalizuar, me zero ankesa dhe zero ndërhyrje.

Korrupsion të madh ka pasur në licencat dhe lejet. Dy të tretat e tyre i hoqëm, i shndërruam në vetëdeklarime dhe një të tretën që mbeti e futën ën sistemin e one stop shop për lejet dhe licencat, sistem për të cilin dua t’ju garantoj se funksion në mënyrë të shkëlqyer. Dhe one stop shop për lejet dhe licencat jo kudo ka qenë i suksesshëm, por në Shqipëri ka sukses të plotë. Ka shkurtuar disa herë kohën e marrjes së tyre dhe ka ulur në mënyrë dramatike ryshfetin e paguar për të.

Ka pasur korrupsion në regjistrimin e biznesit, paguheshin 4 mijë euro, 42 ditë proces, ndërsa sot, qytetarët shqiptarë e regjistrojnë biznesin me një euro, për gjysmë ore dhe shumë shpejt do ta regjistrojnë nga shtëpitë e tyre.

Ka pasur dhe ka korrupsion në shëndetësi, sepse, duke theksuar këto, nuk do të them kurrë se janë nxjerrë jashtë korrupsionit, asgjë nuk ekziston jashtë tij. Por ka një rënie dramatike të tij dhe studime shumë serioze faktojnë këtë rënie, pas vendosjes së çmimeve të referencës për vizitat. Sikundër shumë shpejt do të kalohet në një sistem tjetër të ri, ku në asnjë rrethanë nuk do të ketë më kontakt për planifikim, midis pacientit dhe mjekut.

Ka pasur dhe ka korrupsion në sistemin e drejtësisë, por sërish dixhitalizimi i të gjithë proceseve është shoqëruar me një rënie të padiskutueshme të këtij fenomeni.

Natyrshëm, reformat janë jetike dhe vendimtare për luftën kund korrupsionit, por ato nuk janë kurrë të mjaftueshme në rast se ligji nuk vepron me të gjithë forcën e tij tek ata që abuzojnë. Mendoj se një nga zhvillimet madhore pozitive është kapitulli i ri, i hapur jo nga një gjykatë apo prokurori antikorrupsion, por nga një Task Force, e kryesuar nga një prokuror, fillimisht në Tiranë dhe më pas në rrethe, e cila ia ka dalë të penalizojë mbi 200 zyrtarë të lartë e të rangjeve të tjera, gjatë këtyre viteve. Pra, nga mos dënimi, është hapur një kapitull ndëshkimi e dënimi dhe ky është kusht vendimtar. Qeveria ka një strategji të përpunuar bashkërisht me ekspertët më të mirë shqiptarë e të Këshillit të Europës, të cilën po e zbaton në të gjitha nivelet.

Duke qene i vetëdijshëm, edhe një herë aty ku e nisa se korrupsioni mbetet armiku numër një për shoqërinë e lirë shqiptare, por në bindjen time për çdo shoqëri, më lejoni të bëj një ekspoze të rezultateve. Faktet predominojnë mbi fjalor, thotë një shprehje latine. Po i referohem taksave, aty ku dhe janë paratë. Zonja dhe zotërinj, në vitin 2004, me taksën e vlerës së shtuar, ky vend ka mbledhur 58 miliard lekë, ndërsa në vitin 2009, me gjithë krizën botërore dhe pasojat e saj mbi Shqipërinë, me të njëjtin nivel ky vend ka mbledhur 110 miliard lekë. Në vitin 2004, me një taksë të nivelit 23 përqind të ardhurave personale, buxheti i shtetit ka inkasuar 6.9 miliard lekë, ndërsa në vitin 2009, nga 6.9 janë inkasuar 27 miliard lekë. Akcizat, në vitin 2004 janë inkasuar 15.8 miliard lekë, në vitin 2009 janë inkasuar 34 miliard. Në total, para nisjes së kësaj beteje, buxheti i shtetit inkasoi 97 miliard lekë, pas kësaj beteje, 188 miliard lekë. Ky është realiteti.

T’u referohemi prokurimeve. Para kësaj platforme, 70 përqind e prokurimeve bëheshin direkt. Sot, 100 përqind e prokurimeve janë dixhitale. Pas ndalimit me vendim të prokurimeve direkte, pati një kursim në total prej 15 përqind, krahasuar me fondin vjetor limit. Pati një shtesë tjetër prej 15 përqind, pas kalimit në sistemin e plotë dixhital, ndërkohë që u shumëfishua disa herë pjesëmarrja në garë. Vetëm për këtë fakt, të sistemit të prokurimeve elektronike, Organizata e Kombeve të Bashkuara i dha Shqipërisë çmimin e dytë në botë, pas Gjermanisë, e cila sigurisht e mori për probleme shumë më komplekse. Një rezultat tjetër në fushën e biznesit është se Shqipëria renditet sot 27 përqind më lart se mesatarja e vendeve të OECD-së, vendeve më të zhvilluara të botës, përsa i përket fillimit të biznesit. Pra, mund të them se Shqipëria ka një procedurë pothuajse tërësisht të çliruar nga korrupsioni. Edhe në fushën e investimeve, Shqipëria, e cila nuk ekzistonte në hartën e investimeve të huaja, ka firmosur tre vitet e fundit, 6 miliard euro investime dhe sipas raportit të MIGA, Bankës Botërore dhe IFC-së, Shqipëria qëndron 7 pikë mbi mesataren e vendeve të OECD-së për lehtësitë në investime.

Shqipëria ka pasur një mbështetje të fuqishme nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër korrupsionit. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, me projektet e Pragut ndihmoi Shqipërinë për instalimin e one stop shop për regjistrimin e biznesit, për instalimin e sistemit të taksave elektronike dhe një seri procedurash të tjera. Vitin e kaluar Shqipëria kaloi Pragun, për shkak të suksesit të luftës kundër korrupsionit. Ajo nuk mori dhe nuk merr statusin Kompakt se Shqipëria nga vendet me të ardhura të ulëta, kaloi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe ligji i Kongresit Amerikan nuk e lejon qeverinë amerikane të japë Kompaktin për vendet e këtij grupi.

Sistemi i drejtësisë sigurisht ka korrupsion, por zotërinj të pranishëm, në qoftë se dikush i referohet popullatës së burgjeve, sepse drejtësia flet me vendime, ajo është rritur dy herë në këto 4 vite dhe kjo në sajë të vullnetit të prokurorëve dhe gjykatësve të vendit për të zbatuar ligjin. Në qoftë se Shqipëria sot është një nga vendet më të sigurta, kjo, absolutisht, edhe në meritën e tyre, të cilët kanë zbatuar një politikë me tolerancë zero ndaj krimit. Unë nuk them se nuk ka korrupsion, por nuk besoj se është në interes të mohohet puna e një grupi njerëzish që nuk janë aq numerikë, pasi të gjithë sëbashku nuk bëjnë më shumë se 700-800 vetë në të gjithë vendin. Ka korrupsion, por në këtë sistem ka një qëndrim tërësisht tjetër ndaj krimit dhe zbatimit të ligjit dhe pa këtë qëndrim, absolutisht, asnjë prej këtyre sukseseve dhe arritjeve nuk do të kishin qenë të mundura dhe reformat do të kishin mbetur në letër.

Garantoj se këto arritje konsiderohen nga qeveria thjesht si një stad, nga i cili, natyrisht, beteja kundër korrupsionit do të mund të vazhdojë me sukses shumë më të madh e të ndjeshëm dhe sikundër gjer më sot, parimet që drejtojnë dhe udhëheqin këtë luftë do të konsolidohen edhe më tej. I gjithë potenciali, e gjithë rezerva jonë e madhe qëndron para së gjithash e mbi të gjitha në luftën kudër këtij kanceri që nuk duhet të dobësojë qenien tonë, shoqërinë tonë, prosperitetin e qytetarëve tanë.

*Fjala e mbajtur dje nga kryeministri në konferencën për korrupsionin

KOMENTE