English

Rama: Tiranën e bllokoi Lule-Saliu, shohin përpara humbjen e zgjedhjeve të 8 majit

Tiranë, 23 nëntor, NOA - Pse Tirana sot nuk është bllokuar? Vetiu përgjigja e djeshme që ne dhamë për bllokimin kriminal të qytetit me orë të tëra, sot merr formë të prerë. Tiranën e bllokoi Lule-Saliu.

Arsyeja e arsyeve, përtej faktit që ka përpara një fushatë të humbur për të pushtuar qytetet e Shqipërisë, është fakti se Sali - Lulja, Lule –Saliu dhe gjithë oborri i kësaj qeverie është ngritur mbi vjedhjen e zgjedhjeve dhe qëndron në këmbë me vetëdijen se popullit do ia marrë votën, edhe nëse populli nuk ta jep....

Nga Edi Rama

Pse Tirana sot nuk është bllokuar? Vetiu përgjigja e djeshme që ne dhamë për bllokimin kriminal të qytetit me orë të tëra, sot merr formë të prerë.

Tiranën e bllokoi Lule-Saliu, për të njëjtat arsye që Sali-Lulja ka bllokuar dhe së fundmi shkatërruar pardje investimin për qendrën e rë të Korçës, për të njëjtën arsye që Sali-Lulja ka bllokuar qendrën e qytetit të Durrësit dhe për të njëjtën arsye që Sali-Lulja ka bllokuar edhe investimin shumë të rëndësishëm të Bashkisë së Vlorës, për një aks kryesor të qytetit të Vlorës, për të njëjtën arsye që Sali – Lulja ka bllokuar në vazhdimësi Gjirokastrën, Beratin, Elbasanin, Patosin e kështu me radhë, qytetet që mirëqeverisen nga socialistët.

Nga ana tjetër, arsyeja e arsyeve, përtej faktit që ka përpara një fushatë të humbur për të pushtuar qytetet e Shqipërisë, është fakti se Sali - Lulja, Lule –Saliu dhe gjithë oborri i kësaj qeverie është ngritur mbi vjedhjen e zgjedhjeve dhe qëndron në këmbë me vetëdijen se popullit do ia marrë votën, edhe nëse populli nuk ta jep.

Kur kjo vetëdije qeveris, atëherë gjërat janë kthyer përmbys, nuk varet qeveria nga populli si në çdo demokraci, por varet populli nga qeveria, si në çdo regjim antidemokratik, si ky i yni, një regjim antidemokratik i korruptuar dhe korruptues, që synon të instalohet përfundimisht, për kush e di se sa vite me radhë, duke i hequr shqiptarëve të drejtën e gjykimit me votë.

Të gjitha të tjerat janë të panumërta, por njëkohësisht janë edhe të dorës së dytë, në raport me këtë fakt rrënqethës, jo për opozitën politike, por qytetarinë shqiptare, sot në territorin e Shqipërisë, për qytetarinë shqiptare që po humb të drejtën e vetvetes, të drejtën e qytetarisë, duke humbur në një proces dhunimi të përditshëm të Kushtetutës dhe ligjeve, të drejtën e lirisë dhe votës.

Pasojat e këtij procesi të pushtimit të shtetit, nëpërmjet vjedhjes së votës dhe transformimit të institucioneve në mekanizma të një makinerie që riciklon pushtetin përmes parasë dhe pastaj gjeneron para përmes pushtetit, është një proces që duhet ndalur me çdo kusht, me çdo çmim, me çdo formë, sepse ndërkohë po degradon gjithçka, po degradon në radhë të parë marrëdhënien e shqiptarëve me vendin e tyre, duke i bërë të humbasin besimin se ky vend mund të bëhet vendi ku të gjithë të bashkëjetojnë, ku të gjithë të konkurojnë, ku të gjithë të vënë në jetë idetë dhe të përfitojnë nga talentet dhe dhuntitë e tyre, ku të gjithë të mund të kenë copën e tyre të diellit dhe pronën e tyre të ligjshme, pavarësisht nëse qeveris e majta apo e djathta apo kushdoqoftë.

Ky është rast edhe për të pyetur, se si ka mundësi që e njëjta forcë, me të njëjtin vizion të mbrapshtë, me të njëjtat mënyra vandale, me të njëjtën formë e kohë dhe ndaj të njëjtës palë që është opozita sot, përsërit vetveten si me Zogun e Zi, si në trafikun e Tiranës, si në qendrën e Korçës, si në qendrën e Durrësit, si në rrugët e Vlorës, si në hapësirën qytetare të Elbasanit, Gjirokastrës, Beratit e me radhë e me radhë, ndërkohë që është historikisht e provuar, se qytetarët shqiptarë në Tiranë apo gjetkë nuk e çmojnë, nuk e pranojnë, nuk e votojnë këtë qasje antieuropiane, këtë qasje thjesht ndoshta antishqiptare, pasi ne nuk jemi një vend që mund t’i lejojmë vetes luksin të pranojmë se mund të shkulen dhe të zhduken nga dora e shtetit, në një qytet si Korça, qoftë edhe 20 pemë, mund të thyhen dhe të zhduken qoftë edhe 200 apo 300 metra bordura, mund të bllokohen dhe të hidhen në erë, qoftë edhe qindra miliona lekë, apo kur vjen puna si në rastin e Unazës së Re të Tiranës, që sot do të ishte një projekt drejt realizimit, të digjen mbi 20 milionë euro kredi e negociuar me BERZH, për të mos lejuar që Unaza të fillojë të ndërtohet, për të mos lejuar që Tirana, trafiku i saj të çlirohet njëherë e mirë e përfundimisht, për rreth 20 vjet të tjera dhe për të mos lejuar mbi të gjitha, që me taksat e qytetarëve të Tiranës, të mund të realizohet përmes një kredie, një vepër që mban vulën e Bashkisë së qytetit, e bashkisë së qytetit të socialistëve, demokratëve, të atyre pa parti, të fëmijëve, të të moshuarve e të gjithëve me radhë, që duke jetuar jashtë oborrit të Sali Berishës, duhet të kalojnë në të gjithë këto pengesa të ngritura jo artificialisht, por të ngritura djallëzisht dhe ultësisht nga Sali Berisha, për t’u thënë se është e pamundur që të jetohet normalisht, në një qytet apo qytete që Sali-Lulja nuk i ka pushtuar akoma.

Sot, ne jemi pas një goditje që i është bërë drejt e në zemër qyteteve tona, duke u marrë në tërësi bashkë me qytetet e tjera të vendit dhe komunat, (se unë nuk e ndaj majtas e djathtas, çështjen e qytetarëve dhe nevojat e tyre për shërbime dhe për një jetë më të mirë) aty ku jetojnë në territorin e Shqipërisë, 23 milionë euro, që në vend se të shkojnë për investime, për shërbime në qytete, do të shkojnë në xhepin e Sali-Lules dhe të kompanive të tij të kasave fiskale, me një manovër që nuk ka të ngjashme në historinë e korrupsionit botëror.

Kryeministri fut duart tek taksat, merr lekët dhe ia kalon kompanive private, të dala nga një proces i korruptuar, gjoja në emër të luftës kundër evazionit fiskal. E pashembullt! Dhe komunitetet privohen nga shërbimet që do të marrin, ndërkohë vetë bizneset, bizneset e vogla nuk lehtësohen, vazhdojnë të kenë në kurriz një barrë taksash të vëna drejtpërdrejt nga qeveria që shkon duke u rënduar, tani deri në nivelin e atyre që kanë 20 milionë lekë të vjetra xhiro në vit dhe që do të paguajnë edhe tvsh-në.

Është koha që ta themi hapur, qartë dhe prerë! Ne duam ta ndryshojmë rrënjësisht këtë sistem të korruptuar dhe të padrejtë të ndarjes së barrës së taksave mbi shqiptarët, që ka bërë që mësuesit, mjekët nënpunësit, të gjithë ata që janë në bukën e qeverisë sot, pesë vjet pas ardhjes së Sali-Lules në pushtet, të paguajnë shumë herë më shumë se sa paguanin pesë vjet më parë, ndërkohë që të tjerë paguajnë më pak, edhe pse fitojnë shumë herë më shumë e ndërkohë që të tjerë akoma, që hyjnë në kategorinë e atyre që janë biznesmenë të mëdhenj, por që nuk janë brenda oborrit rripen dhe degjenerohen me dhunë të pashembullt, për një vend gjasme demokratik, me gjoba kriminale, ndërkohë që ka një përpjekje për të thënë jo vetëm se taksat janë ulur, gjë që është e pavërtetë, tërësisht e pavërtetë.

Nuk është ulur, është shumëfishuar barra e taksave mbi biznesin e vogël, mbi qytetarët dhe mbi gjithë biznesin, që nëse nuk paguan drejtpërdrejt taksë, paguan gjoba.

Ka një tjetër përpjekje për të thënë se janë shtuar kontributet për bashkitë dhe komunat, edhe kjo një gënjeshtër me një bisht po aq të gjatë sa e para dhe sa të gjitha gënjeshtrat e Saliut i cili kërkon të mbulojë dështimin e madh, duke shkuar thellë e më thellë, në rrugën e marrjes peng të vendit dhe të pushtimit të kësaj hapësire që quhet Shqipëri, pa e lejuar popullin të zgjedhë, sepse në rast se nuk do të kishte ndodhur përgjysmimi i të ardhurave arbitrarisht në vitin 2005 dhe bashkitë tona do ishin lënë, apo të gjithë bashkitë e qyteteve do ishin lënë të punonin më të ardhurat e tyre, jo me të ashtuquajturin grant apo çfarëdoqoftë të qeverisë, sot Tirana do të kishte dhjetë herë më shumë mundësi se ç’ka për të investuar për europianizimin e plotë të saj dhe po kështu, Vlora, Korça, Elbasani, po kështu të gjithë qytetet me radhë.

Është e gjatë lista e poshtërsive që ky pushtet i vjedhur bën përditë, ca të vogla, ca të mëdha, ca të mëdha fare ndaj shqiptarëve, institucioneve, ndaj pushteteve të pavarura autonome dhe ndaj pushtetit vendor në mënyrë të posaçme.

Në opinionin refuzues të Komsionit Europian për aplikimin e Shqipërisë për Statusin dhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian thuhet qartë, se nga vitit 2007 deri në 2010, pra qysh se Sali Berisha ka marrë shuplakën e popullit në të gjithë qytetet që kërkon të pushtojë sot me dhunë, nuk ka pasur asnjë progres në aspektin e decentralizimit, asnjë progres, nuk është bërë asgjë e shkruar e zeza mbi të bardhë. E pse nuk është bërë asgjë!?

Pikërisht për këtë arsye të mosarsyes, që e ka çuar demokracinë shqiptare në këtë shkallë dhe mund ta degradojë atë, në rast se ne nuk rezistojmë, rezistojmë, rezistojmë, duke qëndruar të palëkundur, për të bërë transparencën dhe vetëm pasi hapet hetimi për atë që ka ndodhur, për të bërë edhe punën për një kuadër zgjedhjesh që t’i bëjë zgjedhjet e ardhshme të lira e të ndershme, në rast se ne nuk rezitojmë për të mbajtur ngritur flamurin e qytetarisë shqiptare në tërësi edhe në emër të atyre demokratëve kolegë që kanë shumë gjëra për të thënë, që na i thonë por s’kanë kurajon të flasin, sepse jetojnë në kazermën e Sali Berishës, nga ku flakesh për një fjalë goje.

Unë nuk dua t’i hyj gjithë kësaj liste, por dua ta vë theksin me forcë, tek vërtetësia e shqetësimeve dhe konstatimeve tona dhe tek drejtësia e veprimeve tona, që duhet të vazhdojnë me vendosmëri, duke ngritur qytetarët për të ruajtur përmasën përditë e më të tkurrur të një lirie të marrë peng nga Sali Berisha dhe duke u ofruar njerëzve një model të ri, një model të ri drejtësie e zhvillimi që duhet të ketë në themelin e vet transparencën. Përtej gjithë baltës, shpifjeve, akuzave, alibive, që çojnë deri në vandalizma, si ai dje me trafikun në Tiranë, ku iu morën padrejtësisht, paturpësisht orë të tëra qytetarëve, duke i bllokuar për t’i egërsuar, për t’i bërë t’i kthejnë kurrizin Bashkisë së Tiranës, si ai pardje në qytetin e Korçës ku Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit shkon natën, shkul pemë, shkul bordura, i merr, i grabit, i çon në drejtim të paditur, duke shkatërruar një investim në zemrën e një prej qyteteve më të kulturuar dhe më dinjitozë të Shqipërisë, e me radhë si ato në Durrës, ku synojnë një tjetër “waterloo”, vetëm e vetëm që të marrin peng e të pushtojnë qytetin e Durrësit, edhe pse populli i këtij qyteti, njësoj si populli i çdo qyteti dhe i çdo komune nuk bie pre e kësaj propagande dhe më shumë se propagandë, e kësaj veprimtarie të shfrenuar, shtetërore, antikushtetuese dhe antiligjore, deri në përmasa shkatërruese, apo si ato që bëjnë me Vlorën e qytetet e tjera me radhë, për të mos folur pastaj për komunat ku hedhin lekë që të shkojë Saliu e të ecë mbi asfalt, ndërkohë që nga të dy anët e kësaj rruge asfalti, ka varfëri, papunësi, mungesë zhvillimi, braktisje, analfabetizëm, dështim social, të gjithë këto çështje të paadresuara.

Plehra, nga të katër anët! Ndërkohë që i hapet rrugë një importi të plehrave, një vend i cili thuajse në të gjithë territorin e vet nuk përpunon plehrat që prodhon vetë dhe importon plehra, si të ishte një kosh plehrash! Dhe pse? Vetëm se oborri i Sali Berishës kërkon të përfitojë kudo, vazhdimisht në çdo gjë, sa të mundet, babëzisht, duke u lënë shqiptarëve një faturë e cila bëhet përditë e më e pallogaritshme borxhesh, defiçiti dhe padijeje, padija që kultivon sistemi universitar, i kthyer në një pazar të madh që rrënon përditë universitetet publike, për të financuar me paratë e shqiptarëve këto universitete “fantazëm”, që prodhojnë si në kohën e “qoftëlargut”, sasira diplomash, si ato kuintalet e grurit për hektar, diploma pa asnjë vlerë, që i japin së ardhmes së vendit një gjeneratë të paditur, një gjeneratë shansesh të humbura dhe mundësish të kufizuara, në një Europë ku duam të integrohemi, po ku kjo gjeneratë është një gjeneratë e qytetarëve të dorës së së dytë, dorës së tretë, për faj të Sali Berishës, si pasojë e dështimit të Sali Berishës, si rezultat i vandalizmit të një qeverie të dalë nga vota e vjedhur që rri mbi kutitë e mbyllura dhe kërkon ta kthejë në normë të jetës e bashkëjetesës sonë, faktin që nuk votohet, që me votë nuk ndryshohet qeveria dhe nuk ndryshohet jeta jote, sepse është peng jeta jote, është peng i pushtetit të vjedhur e të korruptuar.

Duke mos dashur t’u marrë kohë kolegëve të tjerë, ju falenderoj edhe njëherë për ardhjen tuaj këtu dhe ju siguroj se janë shumë më tepër se sa ata që na deshën, na mbështetën, na votuan, por nuk na zgjodhën dot, për shkak të grabitjes së votës, një vit e kusur më parë, ata që sot na shohin si të vetmen shpresë dhe ne duhet të sillemi si e vetmja shpresë, duke bërë të pamundurën, që t’u shërbejmë qytetarëve, edhe në këto kushte të vështira, duke u treguar dritën në fund të tunelit, duke u dhënë perspektivë me fuqinë e shembullit, që është arsyeja pse Sali Berisha ka humbur arsyen, ka humbur orientimin, ka humbur edhe kuptimin e punës që mendohet se duhet të bëjë mbi bazën e Kushtetutës dhe Ligjit dhe bën një punë të turpshme, që është lufta e jashtëligjshme ndaj opozitës.

*Fjala e kryetarit të bashkisë së Tiranës, në takimin për autonominë vendore

KOMENTE