Lajme > Lajme Ditore > Tetor - Dhjetor 2010 > Lajmet e datës 24 Nëntor 2010
 

Libri im “Hyrje në Sociologji”

Nga Kosta Barjaba

“Profesor Hantington ju fton për një bisedë të shkurtër, para se të fillojë seminaret e lëndës ISP-432 Feja në Politikat Globale.”, më shkruante asistenti i profesorit të njohur. Është në praktikën e tij që para se të pranojë studentët në këtë seminar, bazuar kryesisht në raste studimore, të bisedojë me secilin prej tyre”. Takimi ishte me të vërtetë i shkurtër. “Pa më thuaj, përse të intereson kjo lëndë, më pyeti drejtpërsëdrejti mendimtari i njohur. “Unë vij nga Ballkani, ishte përgjigja ime. Jeta e banorëve të këtij gadishulli është plot episode që ilustrojnë shkrimet tuaja. Dhe unë do të dëshiroja të sillja një pjesë të këtyre përjetimeve ballkanike në këtë grup të vogël seminari.”

Mu duk sikur kisha goditur në shenjë dhe e fitova menjëherë vendin në lëndën e shumëkërkuar. “Kam pasur studentë nga pothuajse të gjitha vendet e gadishullit, reagoi mendimtari sfidant. Por shqiptarë jo. Ti do të jesh i pari.”

Por isha njëkohësisht edhe i fundit sepse profesori i njohur u nda nga jeta para pak kohësh. Shkolla e Qeverisjes Kenedi në Universitetin e Harvardit është fokusuar kryesisht në qeverisjen, politikat dhe administrimin publik. Megjithatë, në kurrikulumet e programeve të saj përfshihen lëndë nga pothuajse të gjitha fushat e shkencave shoqërore. Është shumë e vështirë të orientohesh në diversitetin e kurrikulumeve të saj gjatë ditëve të shopping.

Sidomos pa ndihmën e këshilltarit. Edhe pse unë isha rregjistruar në Programin Master në Administratën Publike, këshilltari im e mirëkuptoi pasionin për sociologjinë. “Duke respektuar kërkesat e Programit mund të zgjedhësh disa lëndë sociologjie.”, miratoi ai. Nuk ishte hera e parë që sociologjia dhe administrimi publik ndesheshin në vetëdijen time. Gjatë dhjetë vjetëve karrierë në shërbimin publik, sa më shumë që njihja administratën dhe administratorët, aq më shumë më rritej pasioni për sociologjinë.

Ky tekst është fryt i këtij pasioni. Ideja dhe përgatitja për të shkruar një libër prezantues për sociologjinë është gati njëzetëvjeçare. Në vitin 1994, kur nuk kishte këtë pasuri botimesh të sotme, bëra sprovën e parë. “Sociologjia. Pas një mungese të gjatë” i prezantoi lexuesit disa ide mbi objektin, themeluesit, teoritë dhe metodat e kërkimit sociologjik.

Ishte një libër i shkruar në kohë të trazuara dhe shndërrimesh të vrullshme ekonomike, politike, shoqërore dhe kulturore dhe që i drejtohej një kategorie të gjerë lexuesish. “Hyrje në Sociologji” është një tekst universitar, për një lexues më të specializuar. Por njëkohësisht një libër jo vetëm për studentët.

Libri është konceptuar i ndarë në pesë pjesë. Pjesa e parë “Sociologjia dhe jeta e shoqërisë”, e cila përqëndrohet në lidhjen midis sociologjisë dhe rolit të saj në studimin e jetës së shoqërisë, përbëhet nga tri kapituj. Në kapitullin e parë “Sociologjia dhe kërkimi sociologjik” trajtohen disa çështje të objektit të sociologjisë si një shkencë e veçantë shoqërore, dallimi dhe lidhjet e saj me shkencat e tjera për shoqërinë, kontributi i themeluesve e përfaqësuesve kryesorë të sociologjisë, rrymat kryesore të mendimit sociologjik në kohën e sotme si edhe metodat dhe teknikat kryesore të kërkimit sociologjik.

Në kapitullin e dytë “Kultura dhe proceset kulturorë” paraqiten disa aspekte të kuptimit sociologjik të kulturës, lidhjet midis kulturës materiale dhe kulturës shpirtërore, vlerat, normat dhe simbolet kulturore, lidhjet midis kulturës dhe shoqërisë si edhe faktorët që ndikojnë në zhvillimin e kulturës. Kapitulli i tretë “Socializimi” fokusohet në analizën sociologjike të fëmijërisë,adoleshencës dhe rinisë, përmbajtjen dhe tiparet e procesit të socializimit si edhe rolin e agjencive të socializimit në shoqërinë e sotme.

Pjesa e dytë “Grupet shoqërore dhe kontrolli shoqëror”, e cila përqëndrohet në analizën e strukturave të shoqërisë, sjelljes shoqërore dhe kontrollit shoqëror, përbëhet nga dy kapituj.

Në kapitullin e katërt “ Strukturat shoqërore dhe bashkëveprimi i njerëzve në jetën e përditshme” prezantohen disa aspekte të kuptimit sociologjik mbi strukturat shoqërore, makro-strukturat, mikro-strukturat rolin e tyre në bashkëveprimin e përditshëm midis njerëzve, kuptimi mbi statusin shoqëror, rolet, grupet, kategoritë, agregatët dhe organizatat shoqërore, burokracinë, institucionet shoqërore, funksionet e tyre e si edhe lidhja midis institucioneve shoqërore dhe ndryshimit shoqëror. Kapitulli i pestë “Sjellja devijante dhe kontrolli shoqëror” trajton disa çështje të kuptimit sociologjik të ligjeve, sistemeve ligjore, devijancës shoqërore dhe vlerësimit të saj, kontrollit shoqëror dhe qëndrimit ndaj shkeljes së ligjeve.

Pjesa e tretë “Pabarazia shoqërore”, e cila trajton aspektet kryesore të pabarazisë shoqërore, përbëhet nga katër kapituj. Në kapitullin e gjashtë “Shtresëzimi shoqëror dhe pabarazia shoqërore” trajtohen disa çështje të shtresëzimit dhe mobilitetit në shoqërisë bashkëkohore, shpjegimet sociologjike të strukturës klasore të shoqërisë, tiparet e strukturës klasore e shoqërisë së sotme si edhe disa aspekte të shpjegimeve të teorive të sotme sociologjike mbi pabarazinë e varfërinë si edhe treguesit kryesorë të matjes së pabarazisë dhe varfërisë.

Kapitulli i shtatë ”Seksi dhe gjinia” përqëndrohet në kuptimin sociologjik, tiparet biologjike e shoqërore të seksit dhe gjinisë, orientimin seksual, sjelljen seksuale, rolet gjinore, seksizmin dhe rrënjët kulturore të tij si edhe disa shpjegime sociologjike të pabarazisë dhe shtresëzimit gjinor në shoqërinë e sotme.

Kapitulli i tetë “Racat, etnitë dhe feja” trajton disa aspekte të kuptimit sociologjik të racës, etnisë dhe besimit fetar, paragjykimet raciale, etnike dhe fetare, simbolet, ritualet, kategoritë dhe organizatat fetare si edhe analizën mbi racat, etnitë, besimet e institucionet fetare, mbështetur në këndvështrimin e teorive sociologjike bashkëkohore.

Kapitulli i nëntë “Liberalizmi kushtetues dhe të Drejtat e Njeriut” trajton një tematikë që nuk ndeshet shpesh në manualet e sociologjisë. Por duke u nisur nga konteksti i realitetit shqiptar jam përqëndruar në një kapitull të veçantë në kuptimin dhe përmbajtjen e të drejtave të njeriut, lidhjet midis tyre si edhe pasqyrimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kushtetutën e Shqipërisë.

Kjo bëhet me qëllim që studentët e sociologjise të njihen me disa çështje themelore të të drejtave të njeriut dhe të aftësohen pët të vlerësuar nivelin e zbatimit të tyre në shoqërinë shqiptare. Mendoj se kjo është në koherencë me natyrën e sociologjisë si një shkencë kritike. Pjesa e katërt ”Institucionet shoqërore”, e cila fokusohet në analizën e institucioneve shoqërore dhe rolin e tyre në zhvillimin dhe ndryshimin e shoqërisë, përbëhet gjithashtu nga katër kapituj.

Në kapitullin e dhjetë “Familja dhe marrëdhëniet intime” paraqiten disa aspekte sociologjike bashkëkohore të familjes dhe martesës, evoluimit të funksioneve të familjes dhe formave të martesës si edhe disa probleme aktuale të familjes, duke u fokusuar në zhvillimet bashkëkohore në familjen shqiptare. Kapitulli i njëmbëdhjetë “Arsimi si institucion i shoqërisë” fokusohet në analizën sociologjike të shkollës si institucion shoqëror dhe rolin e saj në krijimin e modernitetit, funksionet e drejtpërdrejta, të tërthorta dhe të paplotësuara të shkollës, lidhjet midis cilësisë së shkollimit dhe jetës së shoqërisë si edhe disa tipare aktuale të zhvillimit të sistemit arsimor në Shqipëri.

Kapitulli i dymbëdhjetë “Politika dhe ndryshimi shoqëror” trajton disa aspekte të kuptimit sociologjik mbi politikën, pushtetin dhe autoritetin, analizën sociologjike të pushtetit politik dhe sistemeve politike, elementët formalë dhe informalë të sistemit politik, sjelljen kolektive dhe format e saj si edhe lëvizjet shoqërore, rolin e tyre në ndryshimet shoqërore dhe faktorët që ndikojnë në këto ndryshime.

Kapitulli i trembëdhjetë “Ekonomia dhe puna” analizon disa aspekte të kuptimit sociologjik të ekonomisë si një institucion i shoqërisë, kuptimin sociologjik mbi punën dhe rolin e saj në zhvillimin e shoqërisë, kushtet e punës, ndarjen shoqërore të punës, ekonominë dhe punën e ligjshme dhe të paligjshme si edhe disa aspekte të zhvillimit të tregut të punës, politikave të punësimit dhe mbrojtjes shoqërore në Shqipëri. Pjesa e pestë “Dinamikat shoqërore” është përqendruar në analizën e disa aspekteve kryesore të dinamikave të zhvillimit shoqëror dhe përbëhet nga tre kapituj.

Kapitulli i katërmbëdhjetë “Të mendojmë globalisht, të jetojmë lokalisht: Mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm” përbën edhe ai një përjashtim. Në manualet tradicionale të sociologjisë vështirë se gjen trajtime kaq të gjera për korrelacionin midis politikave mjedisore dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë libër i është lënë këtyre çështjeve një vend i pazakonshëm për disa arsye. Gjatë njëzetë vjetëve të fundit vetëdija mjedisore e shqiptarëve nuk është se ka shkëlqyer. Vështirë të gjesh një periudhë tjetër në historinë tonë kombëtare kur ndaj mjedisit të jemi sjellë kaq joqytetarisht, për të mos përdorur ndonjë cilësim tjetër.

Nga ana tjetër, pasojat e veprimeve shkatërruese për mjedisin vështirë se kapen nga brezi që i shkakton ato. Do të duhen, të paktën disa breza njerëzorë, për të perceptuar e për tu vetëdijësuar për këto pasoja. Mjaft dëme të veprimeve të njerëzve dhe shoqërisë mund të riparohen. Por dëmet që i shkaktohen mjedisit janë, në fakt, të pakthyeshme, të pariparueshme.

Është kjo arsyeja që në këtë kapitull jam përqëndruar në analizën sociologjike të mjedisit, llojet dhe pasojat e ndotjes së mjedisit në cilësinë e jetës së njerëzve, ngrohjen globale dhe pasojat e saj, rrezatimin radioaktiv dhe pasojat e tij, kuptimin mbi zhvillimin e qëndrueshëm, problematikat kryesore të gjendjes së mjedisit në vendin tonë si edhe lëvizjet globale për mbrojtjen e mjedisit.

Kapitulli i pesëmbëdhjetë “Popullsia dhe shëndeti” është fokusuar në analizën e problemeve të popullsisë dhe shëndetit, treguesit dhe strukturën e popullsisë, teoritë mbi rritjen e popullsisë, elementët e shëndetit dhe rreziqet e tij, si alkolizmi, pirja e duhanit, droga, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe vlerësimi e kujdesi për shëndetin.

Kapitulli i gjashtëmbëdhjetë, pra i fundit, Urbanizimi dhe migrimi, trajton siç e shpreh edhe titulli, çështjet e urbanizimit dhe migrimit, duke u përqendruar në prirjet e urbanizimit në kohën e sotme, teoritë kryesore sociologjike mbi urbanizimin dhe migrimin si edhe disa aspekte të migrimit të shqiptarëve në kontekstin global të migracionit bashkëkohor. Diku në këtë tekst thuhet se familja është si një ndërmarrje e vogël.

Ky libër, sado që ka një autor, është produkt i një ndërmarrjeje familjare. Libri nuk do të kishte arritur te lexuesi nëse nuk do të ishte përkujdesja e Jonës, studente e ekonomisë dhe sociologjisë në Universitetin Emory të ShBA, dhe Ilirit, tashmë ekonomist i sapodiplomuar në Universitetin Stanford. Puna editoriale e të dyve meriton mirënjohjen time të pakufi. Në libër është derdhur gjithashtu mundi dhe kontributi i Bardhës, jo vetëm si lexuesja dhe oponentja e parë e tij, por veçanërisht talenti i saj në bërjen dhe zgjedhjen e fotove ilustruese si edhe vlerësimin e shëmbujve nga realiteti shqiptar. Nëse ky libër ia ka arritur qëllimit dhe do të pëlqehet nga lexuesi, merita është e tyrja. Nëse jo, përgjegjësia mbetet imja.

Kanë thënë për autorin

Kosta Barjaba është njëri ndër përfaqësuesit më të spikatur të sociologjisë bashkëkohore shqiptare, njëkohësisht një ndër sociologët shqiptarë më të cituar e të botuar jashtë vendit. Me studimet dhe botimet e tij ka themeluar në Shqipëri sociologjinë politike, ushtarake, të proceseve migratore dhe të rinisë. Barjaba ka sjellë në sociologjinë shqiptare kërkimin sociologjik nëpërmjet metodave dhe teknikave empirike e statistikore. Një traditë, e cila duhet vazhduar nga brezat e ardhshëm të sociologëve shqiptarë. Me “Hyrje në Sociologji”

Kosta u ofron studentëve dhe publikut një libër të domosdoshëm.

Prof. assc. dr. Agim Muçaj, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Kosta Barjaba, një figurë e spikatur e sociologjisë dhe kulturës shqiptare, është një shqiptar tërësisht evropian.

Profesor Alberto Gasparini, Universiteti i Triestes, Itali.

Me krijimtarinë e Kosta Barjabës, sociologjia shqiptare na ka ofruar një sociolog dhe intelektual të kalibrit evropian.

Prof. Luigi Perrone, Universiteti i Salentos, Itali.

Ky libër i kolegut Kosta Barjaba hap një dritare të re për të njohur shoqërinë shqiptare.

MA Merita Myftari, Universiteti i Tiranës.

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Iliri 19:56 - 18 Mars 2013
    Sociologjia eshte nje nder shkencat humane qe i sherben individit dhe komunitetit per njohjen ,afirmimin,zbatimin apo kontestimin e vlerave ,normave,proceseve institucionet... Mirpo sociologjia ësht ajo lënd qe të bën të ndihesh mësëmiri... komlimente për librin Librin “Hyrje në Sociologji”...
  • Lippi Albana Dalipi 17:50 - 14 Janar 2012
    Nicee