English

Sekretari i Organizatës së Turizmit: Shqipëria të mos përsërisë gabimet e të tjerëve

Tiranë, 24 nëntor, NOA – Në fushën turistike Shqipëria nuk ka përse të përsërisë gabimet që kanë vendet e tjera. Ky është mesazhi që ka dhënë në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai, gjatë takimit të zhvilluar sot me kryeministrin Sali Berisha.

Duke vlerësuar pasuritë natyrore të vendit ai ka theksuar se do të mbështesë ambicien e Shqipërisë për të qenë një vend i kërkuar nga turistët.

“Kam pasur sot nderin dhe privilegjin që të takohem si me zotin Kryeministër dhe me ministrin e Kulturës së Shqipërisë në këtë qytet kaq të bukur në këtë ditë në Tiranë.

Ne e kuptuam, na vjen era sukses në Tiranë. Këtë energji pozitive që kemi pasur, në këto pak orë që ne kemi shpenzuar në Tiranë, kjo gjë ka qenë tepër e qartë”, tha ai.

Ai u shpreh se në Shqipëria ka një mundësi vërtetë të madhe për të pasur sukses.

“Ky është vërtetë një destinacion i virgjër, i paprekur, i cili nuk ka pse të përsërisë pësimet e të tjerëve, por të vazhdojë rrugën e tij, një rrugë të pavarur dhe të përgjegjshme në industrinë e turizmit, si në zonat bregdetare ashtu edhe në ato malore, një turizëm i cili do të jetë i përgjegjshëm ndaj shoqërisë, ndaj kulturës së këtij vendi dhe po ashtu ndaj ambientit”, u shpreh Rifai.

Ai garantoi se Organizata Botërore e Turizmit, e cila është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do t’i jetë besnike vendit në rrugën drejt turizmit.

Ai u shpreh se shumë shpejt në Tiranë do të organizohet një takim ndërkombëtar që do të rrisë dhe më shumë rëndësinë e Shqipërisë.

“Ne diskutuam edhe për mundësinë që, siç e tha edhe zoti Kryeministër, të zhvillojmë aktivitete apo ngjarje të një rëndësie madhore evropiane apo botërore. Për këtë arsye unë i premtova zotit Kryeministër që në vitin 2011 në Tiranë do të mbahet një aktivitete i madh, vërtetë tepër i rëndësishëm, evropian apo ndërkombëtar, i cili do ta ngrejë më lart vetë Shqipërinë, qoftë në skenën ndërkombëtare apo atë evropiane”, tha ai gjatë konferecës për mediat.

Nga ana tjetër i u shpreh se është e nevojshme që të ketë dhe të dhëna të besueshme.

“Ajo që diskutuam kishte të bënte me statistika të besueshme dhe të dhëna shkencore. Për arsyen se një shtet si Shqipëria, i cili para disa vitesh pasur vetëm 300 mijë turistë, por ndërkohë vjet ka pasur 3.5 milionë turistë, atëherë ky vend ka nevojë për të dhëna të forta, solide dhe të besueshme”, tha Rifai gjatë konferencës për shtyp, pas takimit me kryeministrin Sali Berisha.

a/k/NOA

KOMENTE