English

Nis protesta e opozitës në Elbasan, “Saliu dështoi, transparencë”

Elbasan, 26 nëntor, NOA Update – Partia Socialiste ka nisur pak minuta më parë protestën e saj në qytetin e Elbasanit. Në protestë janë të pranaishëm, kryetari i PS-ë, Edi Rama, kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi dhe përfaqësues nga të gjitha partitë e opozitës.

Fillimisht fjalën e ka marrë deputetja e Partisë Socialiste e zgjedhur në qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj.

Ndërkohë që kanë folur kreu i PLD-së, Spartak Ngjela dhe përfaqësuesi i ish-të përndjekurve politike Kurt Kola.

Gjatë fjalës së tij, Kola u shpreh se “ne nuk do të lejojmë që të ketë një diktaturë të re”. Ndërsa e cilësoi kryeministrin Sali Berisha si “mashtruesin numër një”.

Një nga parrullat kryesore në protestës është "Saliu dështoi, transparencë”.

Në këtë takim ka folur dhe kryetari i PS-së, Edi Rama.Nga qyteti i Elbasanit kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka bërë thirrje për largimin e qeverisë. Në fjalën e mbajtur gjatë protestës së opozitës Rama ka theksuar se kreu i qeverisë, përveç se ka vjedhur votat e shqiptarëve, por vjedh dhe po shkatërron pasuritë e tyre.

Rama nuk është ndalur vetëm në çështjen e transparencës së zgjedhjeve, duke përmendur dhe një herë ofertë e re të opozitës, por ka theksuar se vendi ndodhet dhe në një krizë ekonomike.

Ai u shpreh se kreu i qeverisë po mban peng kutitë e materialeve zgjedhore dhe po mban peng “gjykimin e popullit që e ka dënuar me votë”. Duke u ndalur në situatën ekonomike Rama ka theksuar se taksat janë rritur dhe qytetarët duhet të paguajnë më shumë për shërbimet sociale.

Ai tha se Berisha “po mban peng ekonominë e vendit dhe po rrit çmimin e energjisë. Shërbimi shëndetësor është pesë herë më i shtrenjtë, ndërsa Berisha flet për rritje pagash”, tha Rama.

Nisja e protestave të PS-së në Elbasan është vetëm fillimi i një sërë tubimesh masive. Rama u shpreh se qytetarë duhet t’i shpallin “luftë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, varfërisë dhe krizës totale”.

Kreu i PS-së theksoi se kauza e PS-së është eliminimi i varfërisë dhe keqqeverisjes në vend.

“Jemi këtu për kauzën tonë. Berisha duhet të largohet, nuk ka pëlqimin e popullit, po qeveris me vota të vjedhura.” theksoi Rama.

a.k/NOA

KOMENTE