English

Rama: S’na jepen listat e zgjedhësve, po përgatitet kasaphana elektorale e radhës

Tiranë, 26 nëntor, NOA, Update - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka paralajmëruar probleme me zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai u shpreh se opozitës nuk i është dorëzuar ende lista e zgjedhësve në gjithë vendin.

“Në vijim të shqetësimeve të ngritura edhe më parë, me seriozitet dhe për seriozitetin e procesit dhe jo për propagandën, vazhdon të mbetet tërësisht jo transparente dhe plotësisht i dyshimtë, procesi i formësimit dhe procedimit të Regjistrit Elektronik të listëve të zgjedhësve”, u shpreh sot Rama.

Ai theksoi se i kanë kërkuar sqarime ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha për këtë çështje, Rama shtoi se nga ai kanë marrë përgjigje se listat mund t’i gjejnë në internet.

“Ne nuk prisnim përgjigje tjetër, por ndoqëm rrugën e kontaktit zyrtar, sepse nuk e kemi as në vizionin tonë spekulimin me të vërtetat dhe faktet dhe morëm përgjigjen që i shkon bash për shtat ministrit të Brendshëm; materiali na qenka i dërguar dhe megjithatë mund ta gjejmë atë në internet”, tha Rama.

Ai u shpreh se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile nuk ka respektuar afatin për t’ja dorëzuar listën Partisë Socialiste. Duke u nisur nga këto të dhëna, Rama hodhi dyshime se zgjedhjet e ardhshme mund të zhvillohen me probleme dhe për këtë akuzoi kryeministrin Sali Berisha, duke e akuzuar për "përgatitjen e kasaphanës së radhës me zgjedhjet".

a.k/NOA

KOMENTE