English

Berisha: Vendi ka 4.4 milionë përdorues celularësh, rritje edhe të internetit

Tiranë, 27 nëntor, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se zhvillimet teknologjike në vend po ecin me ritme të shpejta. Ai u shpreh se aktualisht në Shqipëri ka 4.4 milionë përdorues të telefonisë celulare dhe ka një rritje të përdoruesve të internetit në shkallë vendi, gjatë katër viteve të fundit.

“Sot ne qëndrojmë 14 % më lart në penetrimin e telefonisë mobile, krahasuar me mesataren evropiane. Vendi ka 4.4 milion përdorues. Ka një rritje marramendëse, ka një rritje të papërmbajtur”, tha Berisha.

Deklarata e kreut të qeverisë u bë sot gjatë inaugurimit të Qendrës së parë Teknologjike të Operatorit te Katërt te Telefonisë Celulare, PLUS.

PLUS është operatori celular më i ri në vend, është një ndër investimet më të rëndësishme të komunitetit të biznesit, duke përfaqësuar disa prej bizneseve më të suksesshme shqiptare, si Post Telekomunikacioni I Kosovës (PTK), Aci Enginering, Union Group sh.p.k, Albanian Drink Distribution. Në fjalën e tij Berisha vlerësopi faktin se ky investim ishte midis dy kompanive shqiptare.

“Për Shqipërinë, për kompaninë kjo është një datë e shënuar. Inaugurimi sot i kësaj kompanie të përbashkët midis investitorëve shqiptarë, të Tiranës dhe Prishtinës shënon një ngjarje shumë të rëndësishme, një dallëndyshe të integrimeve të pandalshme ndërshqiptare, rajonale dhe evropiane”, tha Berisha.

Nga ana tjetër ai theksoi se investimi në këtë fushë është i rëndësishëm, duke qenë se ky është një prej tregjeve që është shndërruar sot në një nevojë jetike.

“Tregu i komunikimit dhe komunikimi i njeriut përbën levën e tij të Arkimedit për të kapur shpejtësitë e kohës, për të kapur kohën e humbur. Ndaj dhe qeveria ime përcaktoi që vitin e parë të mandatit të saj të parë, të operojë me të gjithë potencialet në kohën e shqiptarëve, e bindur se kjo është më e çmuar se çdo vlerë tjetër. Iniciativa ishte e guximshme, e vështirë dhe jo në pak raste e paimagjinueshme”, tha ai.

Ai u shpreh se ka dhe rritje të theksuar të internetit në vend.

“Ne deklaruam 4 vjet më parë se do të sjellim Shqipërinë në moshën e internetit, si mosha më e shpejtë, si mosha e të gjitha moshave. Por në kohën e kësaj deklarate, internet në Shqipëri, penetrimi i tij ishte ndër më të ultit, jo në Evropë, por në planet, ishte gjithsej 4,8 %”, tha Berisha.

Ai solli dhe përvojën personale në përdorimin e internetit.

“Që nga vitet e rinisë sime deri më sot, për koincidencë apo kam mbetur shumë i lidhur me kompjuterin apo më vonë internetin, në zyrën time natyrisht që kam një kompjuter, në shtëpinë time, natyrisht që kam një tjetër. Me vete kam një i-pod, po internet më shumë se në secilin prej tyre lexoj në kompjuterin që mbaj në xhepin e sahatit, Blackberry-in tim, ndaj dhe është kaq e mirëpritur PLUS, sot , si një actor në fushë që po bëhet nevojë jetike e njeriut të qytetëruar”, tha Berisha.

Veç kryeministrit në këtë eveniment merrnin pjesë dhe Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo, Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, Kryetari i Bordit Drejtues të aksionerëve të PLUS, Petraq Shomo, si dhe investitorë nga Prishtina, Tirana dhe të ftuar të tjerë.

a.k/NOA

KOMENTE