English

Biznesi serb, shkëlqim shpërthyes në “Klik Ekspo Group”

Tiranë, 27 nëntor, NOA - Asnjëherë nuk është parë në një panair një pjesëmarrje kaq e madhe e biznesit serb në Tiranë.

Në ditën e dytë të Edicionit të 17 të Panirit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group”, Dhoma e Tregtisë së Serbisë dhe “Velexpo”, në partneritet me Projektin për zhvillimin e konkurrencës të USAID në Serbi organizuan një ceremoni festive për prezantimin e “Dita e Biznesit të Serbisë”.

Në praninë e ambasadorit të Serbisë në Shqipëri, Mirolub Zariç dhe nënkryetarit të Dhomës Serbe së Tregtisë, Mihailo Vesoviç u zhvillua një takim mes përfaqësuesve zyrtarë dhe komunitetit të biznesit dypalësh në prezantimin e ditëve biznesit serb në Shqipëri.

Atmosfera e kësaj pritjeje shfaqi prirje drejt rivitalizimit të lidhjeve kulturore e urbane ndërmjet dy vendeve.

Ambasadori serb, tha se një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Serbisë është zhvillimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht me vendet fqinje, ku Shqipëria zë një vend të veçantë.

“Ky zgjerim i bashkëpunimit rajonal i shërben dhe objektivit tonë të përbashkët integrimit dhe anëtarësimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian. Kemi nënshkruar së bashku shumë marrëveshje bashkëpunimi dhe së shpejti priten dhe të tjera që do t’i japin një hov të mëtejshëm bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Shfrytëzoj rastin për të uruar vendin Tuaj për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Evropian në dhjetor të këtij viti. Besoj se, qytetarët shqiptarë para kësaj date do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza edhe drejt Republikës së Serbisë. Ky vendim i qeverisë sonë do t’i japë një shtytje të mëtejshëm zhvillimit të ekonomive të dy vendeve tona. Kjo pjesëmarrja kaq e madhe e biznesmenëve serbë në Tiranë në Edicionin e 17 të Panirit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group është një dëshmi e rritjes së këtij bashkëpunimi”, tha ai.

Ndërsa ministri i Ekonomisë, Ilir Meta u shpreh se Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal dhe për integrimin evropian të gjithë rajonit.

“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, - tha Meta, - po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të qartë, pasi integrimi evropian i dy vendeve dhe i gjithë rajonit është një objektiv i përbashkët. Kjo frymë, është dhe pritshmëria e biznesit. Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme për bashkëpunimin rajon dhe për integrimin evropian të gjithë rajonit. Marrëdhëniet midis dy vendeve në të kaluarën kanë qenë tepër të vështira, por sot ato jo vetëm që janë mese të normalizuara, por edhe po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të lartë, pasi ne kemi vendosur një objektiv të përbashkët që është integrimi evropian i vendeve tona dhe i vendeve të rajonit tonë. Kjo frymë konstruktive dhe pro evropiane është më shumë se e dëshiruar, në radhë të parë, nga biznesi, sepse biznesi kërkon më shumë se kushdo tjetër stabilitet dhe bashkëpunim, si kusht për një zhvillim të shpejtë dhe të suksesshëm të sipërmarrjeve”, u shpreh Meta.

n.e/NOA

KOMENTE