English


Edi Rama: E djathta jonë jo liberale, ka marrë peng demokracinë

Tiranë, 27 nëntor, NOA - Kjo e djathtë që sot ne kemi përballë nuk është një e djathtë liberale, nuk është një e djathtë që qëndron në familjen e të djathtës konservatore amerikane, apo europiane, por është një e djathtë që synon kapjen e shtetit për interesat e pushtetit, që është tërësisht i kontrolluar në të gjitha nivelet, e ku në fakt duhej të garantohej bashkëjetesa mes të ndryshmëve....

Kjo jona, është një e djathtë që nuk e pranon të ndryshmen dhe që angazhon përditë një makinë balte kundër të ndryshmes dhe jo thjesht në nivelin e parlamentit, ku kjo shprehet në mënyrën e vet më spektakolare, por në të gjitha nivelet deri në bazën e shoqërisë....

Nga Edi Rama

Kur Saimiri më ftoi që unë të isha sot i pranishëm bashkë me të gjithë ju në lançimin e kësaj akademie, me të thënë të drejtën u surprizova sepse e njihja prej kohësh projektin si një ide ndër idetë e fondacionit Qemal Stafa, por nuk e kisha ndjekur të gjithë procesin e formësimit të kësaj ideje dhe të kthimit në një projekt të gatshëm për zbatim. Ndërkohë u duk si diçka sa e nevojshme aq edhe e guximshme në kushtet e një realiteti që nuk duket se i jep shumë mundësi për nisma të tilla.

Duke falënderuar fondacionin Friedrich Ebert për mbështetjen që i ka dhënë vijimësisht fondacionit të partisë sonë dhe Saimirin si drejtues të fondacionit Qemal Stafa për çuarjen përpara të punës së fondacionit edhe në kushtet tejet të vështirësuara për shkak të një barbarizmi shumë të ndjeshëm të jetës politike.

Unë dua ta nënvizoj qysh në fillim forcën e kësaj ambicie për të ndërtuar një akademi politike të Partisë Socialiste në kushtet e një kulture politike që nuk lë hapësirë për mendimin e përpunuar politik, nuk lë hapësirë për debatin e thelluar politik, nuk lë hapësirë për ballafaqimin e ideve dhe programeve politike.

Për më tepër sot kur e shohim të gjithë, e shohin të gjithë, pavarësisht rreshtimeve, bindjeve dhe kampeve, se si politika është tërhequr gjithmonë e më shumë përballë inercisë që vazhdon të shkatërrojë të gjithë pëlhurën sociale të shoqërisë sonë.

Një nismë e tillë, në modestinë e vet është një nismë jashtëzakonisht e guximshme. Sigurisht që çuarja përpara e kësaj nisme dhe realizimi i këtij projekti është një sfidë e përbashkët, që padyshim me kontributin e të gjithë atyre që janë paraparë të përfshihen në këtë projekt, mund të dalë me sukses.

Por, përtej suksesit në vetvete të realizimit të këtij projekti është edhe më i rëndësishëm fakti se ne krijojmë një hapësirë të mundshme për përpunimin e mendimit politik, dhe për kushtet në të cilat e ka të nevojshme të përfshihet dhe të formohet një gjeneratë e re njerëzish që mund ta duan politikën, por të cilët politika i tremb dhe i mban larg me barbarizmin e sotëm.

Në këtë proces është padyshim, ashtu siç e nënvizoi dhe zoti Lakrori, jo thjesht një punë formuese për të reja dhe të rinj që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij projekti, por edhe vetëformuese për të gjithë ne për ballafaqimin me realitetet e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, ku siç e shohim të gjithë, padrejtësia është bërë përditë e më shumë një fuqi përcaktuese.

Sepse politika është bërë përditë e më shumë një arenë ku zhvillohet një shfaqje e cila ushqen padrejtësinë me gjithë hapësirën e mendimit të shkollimit të përpjekjes së njerëzve të këtij vendi për të mbijetuar ekonomikisht dhe shoqërisht.

Na takon ne si forca më e madhe politike e vendit dhe për më tepër si një forcë që vjen nga e majta dhe, që synon të jetë përfaqësuese e asaj çfarë është sot e gjithë ditën e majta e re moderne, e majta e shekullit të ri, që të adresojmë këtë problematikë me thelb padrejtësinë e kthyer në fuqi përcaktuese në të gjitha nivelet e jetës së vendit, në kushtet kur padrejtësia është njëkohësisht dhe fuqi përcaktuese me qeverisjen e vendit.

Sot Shqipëria është e kërcënuar nga zbrazja e kuptimit të fjalës drejtësi dhe nga humbja dhe e shpresës që fjala drejtësi mund të marrë kuptim.

Ndërkohë që për inerci e kërkojmë drejtësinë tek drejtësia si sistem, si pushtet kushtetues i përbërë nga organet e veta, shpeshherë harrojmë se nuk mund të gjejmë drejtësi tek drejtësia, nëse vendi qeveriset padrejtësisht, jo thjesht sepse e padrejtë është pamja e të djathtës për mënyrën se si mund të bëhet bashkë dhe mund të funksionojë si një tërësi kategorish njerëzore që jetojnë bashkë, një popull që ballafaqohet me këto nivele të varfërisë dhe të papunësisë, dhe të margjenalizimit social dhe të mungesës së konkurrencës së shpresës. Por, sepse kjo e djathtë, që sot ne kemi përballë nuk është një e djathtë liberale, nuk është një e djathtë që qëndron në familjen e të djathtës konservatore amerikane, apo europiane, por është një e djathtë me synimin e kapjes së shtetit për interesat e pushtetit dhe me një pamje shumë të qartë për mënyrën se si duhet të funksionojë vendi, tërësisht i kontrolluar në të gjitha nivelet, ku në fakt duhet të garantohet bashkëjetesa mes të ndryshmëve.

Është një e djathtë, që nuk e pranon të ndryshmen dhe që angazhon përditë një makinë balte kundër të ndryshmes dhe jo thjesht në nivelin e parlamentit ku kjo shprehet në mënyrën e vet më spektakolare, por në të gjitha nivelet deri në bazën e shoqërisë.

Nuk e pranon të ndryshmin si shprehje kushtetuese pushtetesh të pavarura, nuk e pranon të ndryshimin si shprehje opinionesh në media kushtetutshmërisht të pavarura, por realisht nën presionin e vazhdueshëm të pushtetit dhe të parasë.

Nuk e pranon të ndryshmin si shprehje e pranisë në institucionet shtetërore, në administratën shtetërore, nuk e pranon të ndryshmin si realitet organik i bashkëjetesës pluraliste dhe angazhon përditë një proces diskriminimi dhe diskreditimi përmes makinës së baltës të të ndryshmit.

Ndërkohë që, për sa na takon, kemi një sfidë të dyfishtë, sfidën e përballimit me këtë forcë agresive dhe barbarizuese të kulturës së bashkëjetesës që mishërohet në formën më të egër në kulturën politike.

Por, nga ana tjetër, sfidën e përballjes me padrejtësinë si fuqi përcaktuese përtej, kundërshtarit tonë politik, si fuqi përcaktuese në terrenin e jetës së përditshme ku praktikisht po fiton përditë e më shumë “qytetari”, padrejtësia në marrjen e fitimit dhe të përfitimit jo thjesht në kuptimin e parasë, por edhe në kuptimin e të drejtave, që në fakt merren përmes konkurrencës dhe jo përmes mbylljes të rrugëve të konkurrencës, dhe po humb përditë terren besimi dhe shpresa se në këtë vend mund të ketë një ndarje të drejtë të barrës së detyrimeve, duke filluar nga taksat dhe deri tek detyrimet e tjera shoqërore dhe morale, të cilat sot janë kthyer kokëposhtë.

Pasi sa më lart, aq më pak vetëdije për këto detyrime shoqërore, morale dhe sa më poshtë aq më e pamundur që këto detyrime shoqërore dhe morale të jenë kriter përcaktues i një bashkëjetese që në fakt në sistemin që kemi zgjedhur përcakton kushtetutshmërisht si të barabartë Presidentin e Republikës me fshesarin e turnit të tretë në një qytet province.

Kjo sfidë e jona është realisht një sfidë për të shpëtuar Shqipërinë nga një humnerë që rrezikon të jetë një realitet i gjithëpranuar në fund fare i njerëzve të dorëzuar karshi faktit se ndryshe nuk mund të bëhet dhe se skema është e pathyeshme dhe e pandryshueshme dhe duhet thjesht ose pranuar ose lënë siç është, e të marrë rrugën për të lënë Shqipërinë.

I gjithë programi i kësaj akademie është shumë ambicioz dhe prek shumë fusha. Sigurisht që fusha që ka të bëjë me politikën, me social-demokracinë si traditë dhe me Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe të majtën europiane si realitet i kohës së sotme është një fushë për debat, është një fushë për diskutim intensiv të thellë dhe të hapur për një ballafaqim të madh mes jo thjesht nesh që jemi sot në rangjet drejtuese të Partisë Socialiste dhe në rangjet e përfaqësimit politik të popullit opozitar, por mes të gjithë atyre që duan të shohin tek Partia Socialiste jo thjesht përfaqësimin e interesave të brendshme të saj, por përfaqësimin e interesave të tyre, që pavarësisht se mund të mos jenë pjesë e saj, të anëtarësisë së saj, apo të përkatësisë së saj publike, kanë të drejtën legjitime që të kërkojnë prej saj t’i përfaqësojë me respektin, vëmendjen dhe potencialin më të madh të mundshëm për t’i shpëtuar nga padrejtësia që e hasin në rrugën e tyre.

E has këtë padrejtësi cilido. E has këtë padrejtësi një sipërmarrës në të gjitha nivelet që sot ballafaqohet me ekzistencën, jo për shkak të një konkurrence të hapur dhe le ta themi “të egër” të imponuar nga një e djathtë konservatore që admiron Reganin dhe Theçerin, dhe i ka lënë të gjithë në dorën e fshehtë të tregut. Jo! Por, për shkak të mbylljes së konkurrencës dhe të dorës të hekurt të pushtetit, të interesave të një oborri që kërkon të kanalizojë të gjitha përfitimet që dalin nga veprimtaria ekonomike e këtij vendi brenda mureve të tij. E ka këtë edhe një sipërmarrës në një nivel shumë më të vogël përfaqësimi të interesave ekonomike, një sipërmarrës i vogël, apo një sipërmarrës në një fushë që nuk është një fushë interesash të mëdha ekonomike.

Por ama, është një fushë interesash njerëzore, familjare, të qindra dhe mijëra njerëzish, dhe që përsëri nuk e gjen dot.

Le të bëj një shembull. Ministria e Arsimit ka një fond për bibliotekat e shkollave.

E dini ju kush është botuesi më i pëlqyer dhe shkrimtari më i dashur për ata që përcaktojnë blerjen me lekët e taksapaguesve të librave për fëmijëve?

Fahri Balliu dhe shtëpia botuese nr. 55. Kjo ka të bëjë drejtpërdrejtë me padrejtësinë si fuqi përcaktuese.

Sepse asgjë tjetër përveç padrejtësisë si fuqi përcaktuese nuk mund ta përcaktojë autorin në fjalë dhe shtëpinë botuese në fjalë si motiv në krye të listës së preferenca të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë.

Republikës së Shqipërisë që në Kushtetutën e saj i ka të përcaktuara të gjitha ato liri dhe të drejta që normalisht e mbron Republikën e Shqipërisë nga pushtimi i Fahri Balliut.

Ky është thjesht një shembull dhe shumë e shumë të tjerë. Por këtë problem e kanë të gjithë ata njerëz të zakonshëm të këtij vendi që sot japin kontributin më të madh, në kuptimin e peshës që kanë një buxhet, me taksat e tyre.

Me taksat e tyre direkete dhe indirekte. Me taksat që paguajmë si detyrim të drejtpërdrejtë dhe asaj që paguajmë nëpërmjet tvsh-së në të gjitha produkte e stër-rritura në çmim.

Ndërkohë që pjesa tjetër ka shumë më pak kontribut në buxhetin tonë të përbashkët. Kjo është padrejtësia e kthyer në fuqi përcaktuese, për të gjithë ata njerëz që sot nuk marrin dot një vend pune për shkak se nuk arrijnë dot që talentin dhe meritën e tyre ta bëjnë të vlejë sepse nuk ka konkurrencë.

E pra kur flasim për konkurrencën dalim në momentin që ndan vijën mes të djathtës dhe të majtës në kuptimin e ndërhyrjes sesi palët e shohin fushën e lirë të tregut dhe sesi vendosen në marrëdhënie me fuqinë e tregut.

Të gjitha mundësitë e jashtëzakonshme që jep liria e tregut së bashku me të gjitha kërcënimet që vijnë nga dalja prej çdo kontrolli të kësaj fushe. Ku në emër të lirisë padrejtësia mund të fitojë terren.

Kurse sot ne jemi në kushtet kur është marrë peng liria e tregut. Siç është marrë peng në tërësi i gjithë procesi demokratik e politik i këtij vendi.

*Fjala e Kreut të PS, Edi Rama në hapjen e Akademisë së Politikës së PS-së, nismë e fondacionit “Qemal Stafa
KOMENTE