Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /home/lajmegenalftp/public_html/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Presidenti Topi dekorohet “Shqiponja e artë e biznesit”
English

Presidenti Topi dekorohet “Shqiponja e artë e biznesit”

Tiranë, 28 nëntor, NOA – Në festën kombëtare të Pavarësisë, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u nderua me Medaljen “Shqiponja e Artë e Biznesit” nga shoqëria Klik Ekspo Group dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, për kontributin e tij në promovimin e vlerave të biznesit dhe mbështetjen e vazhdueshme për sipërmarrjet shqiptare.

Këtë medalje Presidenti e mori gjatë vizitës në edicionin e XVII të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group” në Pallatin e Kongreseve, ku janë ekspozuar prodhime të larmishme të sipërmarrësve vendas dhe të huaj.

Pas dekorimit si “Shqiponja e Artë të Biznesit”, Kryetari i Shtetit shqiptar, i cili është mësuar të dekorojë të tjerët, e jo të dekorohet, shprehu mirënjohjen duke theksuar se “sot është një ditë e veçantë që po marr një çmim, i cili patjetër më gëzon, por edhe më impenjon më shumë. Gjithmonë kam qenë i ndërgjegjshëm se biznesi, sidomos ai biznes i krijuar në vitet e tranzicionit shqiptar ka qenë promotori i ekonomisë shqiptare. Ne krenohemi me këtë arritje të radhës së biznesit shqiptar, i cili në bashkëpunim me atë të huaj, kryesisht me atë rajonal, i ka dhënë një fizionomi të re ekonomisë shqiptare”, tha presidenti Topi.

Ai theksoi se institucionet dhe politikanët e kanë për detyrë ta promovojnë biznesin, t’i promovojnë të gjithë elementët e një ekonomie kapitaliste në Shqipëri, por vlerësoi se janë vetë biznesmenët që janë aktorë të drejtëpërdrejtë në terren, të cilët i japin shansin politikës që të krenohet me ekonominë, e në radhë të parë me arritjet e biznesit.

“Edhe njëherë ju falenderoj dhe ju përgëzoj për këtë ekspozicion të ri, sa herë e shikon, çdo vit, ka arritje të reja, ka një cilësi të re, dhe patjetër, që vitet në vazhdim do të sjellin mundësi për cilësi të reja”, përfundoi kreu i shtetit.

Këtë deklaratë presidenti e bëri pasi vizitoi stendat dhe pavionet ku ishin të ekspozuara prodhimet më të fundit të firmave të ndryshme shqiptare dhe të huaja, duke u ndalur në shumë prej tyre, sidomos në stendat e firmave nga Kosova dhe vende të ndryshme të Ballkanit.

Gjatë vizitës së panairit Presidenti Topi u prit nga Presidenti i shoqërisë, Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj dhe nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jakaj, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe institucioneve të huaja që marrin pjesë në Panair. Panairi i këtij viti për shoqërinë Klik Ekpo Group është i pari si anëtar zyrtar i U.F.I., Unionit Botëror të Panaireve.

Ky organizëm mbledh rreth emblemes së vet mbi 80 shtete nga 6 kontinente dhe shteti më i ri që iu bashkëngjit unionit është pikërisht Shqipëria.

Në maj të këtij viti, Asambleja e U.F.I.-t vendosi anëtarësimin e Klik Ekspo Group si anëtar me të drejta të plota, një vendim iu prezantua anëtarëve më 12 nëntor 2010 në Singapor në Kongresin e 74-të të U.F.I.-t.

Edicioni i 17-të i Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar, përmes Pavioneve të Shteteve, risjell pjesëmarrjet e organizuara shtetërore të sipërmarrësve nga Evropa Qendrore e Juglindore, Ballkani Perëndimor e deri Azia, ku përfaqësohen denjësisht sipërmarrës nga: Belgjika, Polonia, Kroacia, Serbia, Greqia, Italia, Austria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Turqia, Bullgaria, Irani e të tjera shtete përherë të orientuara drejt bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Shqipërinë.

mit/NOA
KOMENTE