English

Bashkia: Policia të sigurojë qytetarët gjatë festimeve të Natës së Bardhë

Tiranë, 29 nëntor, NOA, Update – Duke risjellë në vëmendje bllokimin e pazakontë të trafikut të hënën e shkuar, për të cilën kryebashkiaku Edi Rama akuzoi qeverinë si orkestronte dhe abuzimin me policinë e shtetit, e cila nuk ndodhej askund nëpër kryeqytet për të zhbllokuar trafikun në kryeqytet, Bashkia e Tiranës i ka kërkuar policisë të garantojë qetësinë dhe qytetarët gjatë festimeve të Natës së Bardhë.

“Përfitojmë nga rasti t’u bëjmë thirrje edhe një herë Policisë së Rendit dhe asaj Rrugore, që ti përgjigjen kërkesës së Bashkisë së Tiranës për ndalimin e trafikut aty ku zhvillohen aktivitete dhe ruajtjen e rendit gjatë festimeve të natës së bardhë, sipas shkresave dërguara me numër protokolli 9046, datë 24.11.2010 dhe nr. 9094 datë 25.11.2010”, bëri apel, zëdhënësi i Bashkisë Florion Serjani.

“Shpresojmë në bashkëpunimin e Policisë së Shtetit konform ligjit, që qytetarët e Tiranës të mos përjetojnë më bllokimin katastrofik të rrugëve, të vetëm një jave më parë”, rikujtoi ai.

Këtë kërkesë zëdhënësi i Bashkisë së tiranës e bëri pasi më parë kishte akuzuar policinë me pretendimin se kishte penguar Bashkinë të dekoronte qytetin për festën e pavarësisë.

Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani deklaroi në një konferencë për shtyp pasdite se bashkia ka hasur në një rezistencë të policisë, e cila nuk e ka lejuar bashkinë të heqë banderolat blu të qeverisë nga shtyllat për të valëvitur aty si gjithnjë flamujt kombëtarë kuqezi.

“Si çdo vit, Bashkia e Tiranës ka vendosur flamuj kuq e zi të festave të nëntorit, madje këtë vit duke hasur edhe në pengesën absurde të organeve shtetërore, që ndaluan lirimin e shtyllave nga banderolat blu të propagandës qeveritare. Kjo bëri që flamujt kuq e zi të vendoseshin bashkë me banderolat, për të shmangur çdo incident në rrugë, apo keqkuptim publik”, theksoi Serjani.

Ai akuzoi sakaq këshilltarin Ferdinand Poni për shpifjen e radhës ndaj Bashkisë, pasi Poni kishte kërkuar shkarkimin e Edi Ramës nga prokuroria.

“Megjithatë si çdo vit, Ferdinand Poni, mëshirimi i kësaj qeverie, doli dhe përsëriti akuzën e festave, duke kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut. Poni, ka disa kallëzime për shpifje nga ana e Bashkisë së Tiranës e ai do të kallëzohet edhe për shpifjen e sotme”, tha Serjani.

Sakaq ai akuzoi në emër të Bashkisë së Tiranës, kryeministrin Sali Berisha, i cili po përpiqet të ndotë 29 nëntorin e çlirimit të vendit, me makinën e baltosjes, një festë të cilën bashkia e Tiranës do ta përmbyllë me festimet e Natës së Bardhë.

“Berisha ka dështuar me integrimin dhe zhvillimin europian të vendit. Balta e tij edhe sot është shprehja e këtij dështimi. Berisha nuk e mbulon dot me dështimin ndaj duhet edhe ditët e festave për luftën me opozitën”, nëvizoi zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit.

Deklarata e zëdhënësit erdhi në orët e pasdites para nisjes së aktiviteteve për festimin për të shtatin vit, të Natës së Bardhë në kryeqytet në kujtim të festës së 66 vjetorit të çlirimit të vendit, një festë që i dedikohet jo vetëm të rinjve.

Fakt është që kryebashkiaku Edi Rama nuk u pa fare dje në 28 nëntor në media, përveçse në mbrëmjen e djeshme gjatë pritjes së Pavarësisë të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi në Pallatin e Brigadave.

Ndërkohë, që po dje në ditën e Pavarësisë, drejtoreshë për marrëdhëniet me publikun në Bashkinë e Tiranës, lajmëroi organizimin për të shtin vit të Natës së Bardhë, duke i mëshuar idesë së Bashkia më shumë se për festën e Pavarësisë po mendonte për atë të çlirimit.

mit/NOA
KOMENTE