English

Koalicioni për mbrojtjen e konsumatorit: E paligjshme rritja e çmimit të energjisë

Tiranë, 30 nëntor, NOA – Ndërsa Enti rregullator i Energjisë pritet të vendosë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike të kërkuar nga CEZ, KESH dhe OST në 7 dhjetor, Koalicioni për mbrojtjen e konsumatorit i ka bërë thirrje ERE-s të heqë nga rendi i ditës së shqyrtimin e kërkesës së tre kompanive për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi kjo rritje nuk bazohet në ligj.

“Konstatojnë se kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë e 3 kompanive monopol që realizojnë prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike për konsumatorin, është e papranueshme”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Në të, ky koalicion sqaroi se kjo rritje është e pabazuar për disa arsye pasi bilanci financiar i CEZ Shpërndarje s’ mund të bëhet pa përfunduar viti 2010; CEZ s’ka respektuar detyrimet e veta nga buron e drejta për të kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike si dhe OST dhe KESH nuk kanë arsye bindëse për të kërkuar rritjen e çmimit pasi bilanci i tyre dhe pritshmëritë për 2011 janë shumë positive të pohuara nga vetë përfaqësuesit e kompanive përkatëse në seancën dëgjimore të ERE-s në 18 nëntor.

Koalicioni për mbrojtjen e konsumatorit i bën apel ERE-s që në rendin e ditës së 7 dhjetorit të shqyrtojë nevojën për pajisje me kontratë të rregullt të konsumatorëve me CEZ Shpërndarje në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Kodit Civil; të analizojë situatën e rëndë të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve shqiptarë dhe dëmeve të mëdha që po i bëhen konsumatorëve shqiptarë dhe biznesit dhe të shqyrtojë marrjen e masave ndaj CEZ Shpërndarjes si dhe të shqyrtojë ankesën e Postës Shqiptare, që pretendon se përgjatë muajit të fundit CEZ Shpërndarje ka shpërndarë mbi 100.000 fatura më pak duke shkelur hapur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili detyron shprehimisht furnizuesin me energji elektrike t’i dërgojë konsumatorëve faturat në banesë.

Mit/NOA

KOMENTE