English

Zajmi: Rritet numri i rasteve të denoncuara të dhunës, viktimat më të sensibilizuara

Tiranë, 30 nëntor, NOA - Në kuadër të fushatës së Ditëve ndërkombëtare kundër Dhunës, shoqatat dhe organizatat që lobojnë për të drejtat e grave kanë organizuar një tryezë të rrumbullakët diskutimi, në të cilën kanë qenë të pranishëm edhe zv/ministrja e Brendshme, Iva Zajmi; përfaqësues të policisë, gjykatës së Tiranës dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e saj, presidentja e shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptyare”, Sevim Arbana theksoi rëndësinë e bashkëveprimit të të gjithë organizmave shtetërorë dhe jo, për t’i thënë ndal dhunës në familje, një fenomen, që vazhdon të shkaktojë viktima në shoqërinë shqiptare.

Zv/ministrja e Brendshme në fjalën e saj, ka bërë të njohur punën e Policisë së Shtetit dhe propozimet, që kjo e fundit ka bërë për ndryshime ligjore në ligjin “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” , në zbatim të disa rekomandimeve të bëra nga Amnesty International.

Zajmi ka pohuar gjithashtu se numri i denoncimeve të dhunës në familje gjatë viteve të fundit ka ardhur duke u rritur.

“Por sipas analizave të kryera për këtë qëllim, rezulton se kjo rritje nuk ka ardhur për shkak të shtimit të numrit të konflikteve apo veprave penale të ndodhura në ambjentet familjare.

Rritja e numrit të denoncimeve, sipas konkluzioneve apo analizave të bëra, ka ardhur si rezultat i garantimit nga strukturat e policisë të masave mbrojtëse të këtij ligji, të cilat në tërësi kanë arritur sensibilizimin e viktimave të dhunës për ta denoncuar atë ”, ka pohuar Zajmi.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Policisë së Tiranës, në Departamentin e dhunës në familje, Alma Gjurgji, ka bërë të ditur se nga të dhënat statistikore të 3 viteve të fundit, viktimat e dhunës në familje janë kryesisht femra dhe përbëjnë 85% të numrit të përgjithshëm.

Sipas këtyre statistikave 60-70 % të rasteve, dhunuesit janë bashkëshortët.

n.e/NOA
KOMENTE