English

Eagle Mobile: Sjellim nga nesër iPhone 4 për herë të parë në Shqipëri

Tiranë, 2 Dhjetor 2010 NOA Foto Update - Eagle Mobile që nga dita e premte (3 Dhjetor, 2010) ofron në dyqanin qendror Eagle Mobile Center (në zonën e ish-Bllokut) telefonin celular iPhone 4.

Kompania njoftoi se të gjithë do të kenë mundësi ta blejnë fjalën e fundit të teknologjisë së komunikimit me një çmim të arsyeshëm së bashku me tarifën Life+ me kontratë. Mrekullia e kompanisë amerikane Apple tashmë ka mbërritur dhe është gati në shërbim të përdoruesve Eagle.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Orkunt Yozgat thotë se kjo është një risi e këndshme për të gjithë abonentët Eagle, apo ata të cilët do të duan të anëtarësohen në këtë familje të madhe.

“Që nga dita e parë kompania jonë ka punuar dhe punon për të sjellë më të mirën dhe më modernen për konsumatorin shqiptar. Të gjithë miqtë e apasionuar pas teknologjisë mund të provojnë magjinë e iPhone 4, një telefon i zgjuar që po revolucionarizon tregun e telefonisë celulare dhe internetit të lëvizshëm në botë” shtoi z. Yozgat.

iPhone 4 është një produkt i kompanisë së mirënjohur Apple që ka dalë së fundmi në tregun amerikan dhe evropian dhe po gjen një interes shumë të madh në tregun botëror.

Ky “smartphone” është arritja e fundit e aparateve me ekran me prekje dhe ofron opsione mjaft të larmishme për internetin, postën elektronike, fotografinë, videon, ngarkimet dhe shkarkimet e përmasave të mëdha nga interneti me shpejtësi të lartë.

Kompania Eagle Mobile pohon se e fokusuar në nevojat, kërkesat dhe dëshirat e konsumatorit do të jetë gjithnjë në kërkim të teknologjive dhe produkteve më të fundit, që përdoruesit shqiptarë të kenë mundësi të ndjekin çdo risi të teknologjisë në botë.

e.r/NOA

KOMENTE