English

Rama: Berisha duhet të largohet, nuk zgjidhen problemet duke sharë opozitën

Tiranë, 2 dhjetor, NOA Update – Pas akuzave që ka bërë për përmbytjen në Shkodër, në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët, kryetari i PS-së, Edi Rama tha se e vetmja mënyrë për zgjidhjen problemeve në vend është largimi i kryeministrit Sali Berisha.

“Saliu duhet të largohet, që e vetmja rrugë për t’i trajtuar këto probleme, siç janë të rënda të ndërlikuara, të akumuluara në vite e në vite, kjo është rruga që hapet me largimin e Saliut dhe pushtetin e tij të votave të vjedhur”, tha Rama

Ai shtoi se vetmja mënyrë për të shëruar sëmundjet e sotme është ikja e Berishës nga pushteti.

Ai ka theksuar se pushteti i sotëm bën fajtor për çdo gjë opozitën duke harruar punët që duhet të bëjë mazhoranca. Rama theksoi se kreu i qeverisë flet për dekorimet e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që Shkodrën e përmbysi për të pestën herë.

“Nuk mundet dot të zgjidhen problemet e përmbytjeve duke u marrë ditë e natë me luftën kundër opozitës, duke hedhur ditë e natë baltë mbi pozën, duke thënë se opozita është i vetmi problem i madh që kemi. Opozita është kundërshtari i vetëm i madh i pathyeshëm që ky pushtet ka. Por kjo nuk është një arsye për t’i lënë të gjitha punët dhe për tu marrë më opozitën”, tha Rama

a.k/NOA

KOMENTE