English

Bashkia e Tiranës, një panair në mbështetje të të sëmurëve autikë

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, Bashkia e Tiranës organizon panairin me punime artizanale dhe artistike, në mbështetje të kësaj kategorie

Tiranë, 3 Dhjetor 2010 NOA/ R.Bulku - Bashkia e Tiranës, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, organizoi sot një panair gjithëpërfshirës, duke synuar promovimin dhe stimulimin e aftësive krijuese të personave me aftësi të kufizuar, drejt nxitjes së biznesit social.

Panairi u organizua në ambientet e Qendrës Multimediale “TEN”. Një ambient me karakter sa njohës, aq edhe shprehës mundësoi që në tendat e këtij panairi, të prezantoheshin punimet më të mira artistike dhe artizanale, të realizuara nga fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuar, përfitues të shërbimeve sociale, të ofruara në qendrat ditore publike e jopublike të qytetit të Tiranës, si Qendra Sociale e Bashkisë së Tiranës “Të qëndrojmë së bashku“, Qendra Sociale “Pranvera“, Shoqata “Ndihmoni jetën“ dhe Shoqata “Në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar“.

Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka folur mbi politikat e Bashkisë së Tiranës, me qëllim për t'i siguruar kësaj kategorie, jo vetëm mbështetjen dhe përkujdesjen e duhur sociale.

Ajo u ndal edhe në promovimin e koncepteve të reja të përfshirjes së personave me aftësi të kufizuar në tregun social apo biznese sociale të ndryshme.

Kurse theksoi se në ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK), Bashkia e Tiranës ka organizuar këtë panair të punimeve artizanale dhe artistike, pikërisht me punimet e këtyre personave.

Nga ana e saj, Bardhylka Kospiri, aktiviste e shoqërisë civile, një nga personat më prezent dhe që ka advokuar dhe lobuar fuqishëm, për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, u shpreh:

“3 dhjetori është dita ndërkombëtar e personave me aftësi të kufizuar. Është një ditë, qëllimi i së cilës është të promovojë të kuptuarit e problematikave të personave me aftësi të kufizuar, në mënyrë që të krijohet më shumë mbështetje dhe shërbime për të forcuar dinjitetin e këtyre personave, për të respektuar të drejtat e tyre dhe për të realizuar mirëqenien e tyre.

Anisa Proda, si përfaqësuese e kategorisë së personave me aftësi të kufizuar e cila tashmë jep kontributin e saj pikërisht në Bashkinë së Tiranës, duke folur mbi pjesëmarrjen në këtë aktivitet, shprehu bindjen se tashmë realiteti i personave me aftësi të kufizuar ka pësuar një përmirësim cilësor, falë strategjive dhe planeve konkrete të veprimi, nga ana e Bashkisë së Tiranës.

“Dua të shpreh kënaqësinë që marr pjesë në këtë aktivitet, i cili nuk është se ndodh shpesh. Më duhet të them se nuk është e thjeshtë të flasësh nga një pozicion i dyfishtë, si punonjëse e administratës dhe njëkohësisht si person me aftësi të kufizuara, që pritet të jetë përfitues i shërbimeve mbështetëse që ofron pushteti vendor”, - tha Proda.

Ajo veçoi se punimet e këtij panairi tregojnë dhe janë një rezultat që njerëzit mund t’ia dalin, edhe në kushte të vështira, edhe atëherë kur duket se gjendja është e pashpresë.

“Unë, duke prekur nga afër realitetin e personave me aftësi të kufizuara dhe me përvojën time pranë pushtetit vendor, kam kuptuar që gjërat kanë nisur të përmirësohen. Bashkia e Tiranës ka një strategji për zhvillimin lokal dhe plane veprimi konkrete. Të gjithë këto, na japin shpresë se gjërat kanë filluar të ndryshojnë”, - theksoi Proda.

Gjithashtu Proda vuri në dukje se 3 dhjetori na kujton se kjo është një ditë pune, na ngarkon me shumë përgjegjësi dhe secili duhet të marrë përsipër disa detyra, së pari në rafshin qytetar dhe detyra institucionale”.

Të pranishmit patën mundësinë të shohin rreth 150 punime të tipologjive të ndryshme, krijime të vetë personave me aftësi të kufizuar, përmes të cilave ata shprehin personalitetin dhe botën kreative të tyre, si pjesë e shoqërisë ku ata jetojnë, por gjithashtu ata sjellin dhe mesazhe ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese, për një frymë të re promovimi të aftësive dhe talenteve të tyre.

Në aktivitet ishin të ftuar përfaqësues nga institucione shtetërore, shoqëria civile si dhe nga sektori i tretë: banka, kompani etj, aktorë që kanë në interes të punës e veprimtarisë së tyre këtë grup në nevojë të shoqërisë sonë, apo është sensibël për të dhënë kontributin e vet, në mbështetje të integrimit dhe fuqizimit të personave me aftësi të kufizuar.

Prezenca e të gjithë këtyre aktorëve synoi nxitjen për ngritjen e një tregu apo biznesi social të mundshëm, sa më afër vëmendjes dhe mbështetjes së institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Gjithashtu nxitja e sektorit të tretë, për të mundësuar kontratimeve me grupe apo individë nga ky target - grup, i cili mund të jetë një ofrues shërbimi specifik; psh: punime për krijimin e një kalendari, posteri, vepra arti ishte një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij panairi.

r.b/NOA

KOMENTE