English

Patrulla e përgjithshme e policisë, certifikohen 99 punonjësit e rinj

Tiranë, 3 dhjetor, NOA - Policia e Shtetit ka certifikuar sot 99 punonjës të rinj të strukturave të saj, pas përfundimit të kursit 22 javor, të Shkollës Bazë të Policisë “Për patrullë të përgjithshme”.

Në ceremoni ishte i pranishëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili vlerësoi përgatitjen gjatë kursit, por u shpreh se përgatitja e efektivave të policisë është gjatë gjithë kohës që janë në detyrë.

“Nuk duhet harruar fakti se ky është një trajnim dhe gjithçka është kryer në klasë. Prandaj për të qenë të suksesshëm është e nevojshme që ato që keni mësuar këtu duhet t’i ushtroni në praktikë në veprimtarinë tuaj të përditshme”, tha Burgaj në fjalën e tij.

Ai theksoi se gjatë këtyre 22 javëve të zhvillimit të Shkollës Bazë të Policisë, efektivët kanë pasur mundësitë të njohin më mirë dhe të përvetësojnë njohuritë, kërkesat dhe standardet e shërbimeve policore, sipas modeleve më të përparuara të vendeve Euroatlantike.

“Do të kërkoja prej jush që të jeni kërkues dhe të rrisni cilësinë e shërbimeve ndaj komunitetit”, tha ai.

Në këtë ceremoni mori pjesë dhe Shefi i Misionit PAMECA, Cecil Craig, përfaqësues të Programit ICITAP, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe Qendrës së Formimit Policor, si dhe familjarë të kursantëve të sapocertifikuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falënderuar gjithashtu për kontributin dhe asistencën e dhënë partnerët ndërkombëtar, veçanërisht programin ICITAP dhe Projektin PAMECA III për trajnimin bazë.

Punonjësit e sapocertifikuar të Shkollës Bazë të Policisë “Për patrullë të përgjithshme” do të vijojnë nga data 6 Dhjetor deri më 8 Maj të vitit të ardhshëm Programin e Trajnimit në Terren përgjatë 22 javëve.

a.k/NOA

KOMENTE