English

Në mungesë të reshjeve, Shkodra është kthyer tashmë në liqen

Shkodër, 5 dhjetor, NOA – Edhe pse moti u tregua i mëshirshëm, duke mos sjellë reshje përgjatë ditës së gjashtë të përmbytjeve në Shkodër, ende situata në këtë qytet dhe zonat rreth tij është tejet e vështirë, pasi niveli i ujit është i lartë duke e kthyer tërë zonën e nënshkodrës në një liqen të vërtetë.

Deri më tani janë evakuuar nga banesat e tyre, plot 11 023 banorë, ndër të cilët 400 i përkasin komunitetit rom, që tashmë kanë mbetur më të varfër se kurrë.

Të pushtuara nga uji janë 13 950 ha tokë, janë përmbytur 2561 shtëpi, të kanosura nga uji janë 4597 shtëpi, ndërkohë nga zonat e përmbytura janë evakuuar 2623 familje me plot 11023 persona.

Tashmë nëpër rrugët e zonat e Shkodrës, fshatrat Dajç, Obot, Bushat, Ana e malit por, edhe në lagjet Xhabije, Tophanë, Livadë, në Shkodër niveli i ujit si rezultat i shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin dhe në HEC-in e Vaut të Dejës kalimi nëpër Shkodër bëhet vetëm me varka, pasi zonat e saj janë kthyer në liqen.

Edhe pse autoritetet e larta të vendit të cilat gjenden prej disa ditësh në terren në zonat e përmbytura, thirrjes për evakuim nuk i janë përgjigjur shumë banorë të fshatrave Obot e Dajç, të cilët nuk duan të lënë banesat e tyre, nga frika e grabitjes.

Edhe gjatë ditës së sotme Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka inspektuar përmbytjet në Shkodër.

Ajo theksoi gjatë një prononcimi për mediat se tërë shteti është në këmbë dhe se po merren masa të jashtëzakonshme, edhe nga ushtria për shpëtimin e banorëve nga zonat e përmbytura.

Sot ishte në Shkodër, pranë urës së Torovicës edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili e cilësoi ndërhyrjen për mbrojtjen e argjinaturës së Torovicës si të vonuar.

Rama bëri thirrje që të rishikohet buxheti për vitin 2011 dhe të përllogariten brenda tij edhe investimet për të forcuar argjinaturën e Torovicës.

mit/NOA
KOMENTE