English

Përmbytjet në Shkodër, Policia: S’janë vërejtur ngjarje kriminale në zonat e përmbytyra

Shkodër, 5 dhjetor, NOA – Për t’i ardhur në ndihmë evakuimit të banorëve nga zonat e përmbytura të qarkut të Shkodrës janë në terren edhe uniformat blu të Policisë së Shtetit, të cilët në bashkëpunim me forcat e ushtrisë dhe strukturat e pushtetit vendor janë angazhuar direkt në evakuimin e 11.960 banorëve të përmbytur, apo 2850 familjeve si dhe kanë shpëtuar nga përmbytja 14646 krerë bagëti.

Përmbytjet, raportim minutë pas minute

Në një komunikatë të policisë së Shtetit thuhet policia është në terren për të përballuar emergjencën e krijuar në qytetin e Shkodrës dhe në fshatrat e nënshkodrës, të cilat janë pushtuar nga uji prej ditës së hënë. Mësohet se policia e shtetit është angazhuar si në evakuimin e banorëve të zonave të përmbytura, transportin e bazës ushqimore dhe të gjësë së gjallë, ashtu dhe për menaxhimin e fluksit të lëvizjes në akset rrugore dhe garantimin e sigurisë publike, në zonat e përmbytura ku flitet tashmë se banorët janë ngujuar nëpër shtëpitë e tyre nga frika se mos i grabitin shtëpitë.

Policia bën me dije se për menaxhimin e situatës që ka ngritur në këmbë shtetin, janë janë angazhuar në terren, 650 forca policore; 3 helikopterë të Policisë së Shtetit; 10 kamionë për transport; 76 automjete të tjera të llojeve të ndryshme si dhe 14 mjete lundruese, pasi sikundër duket edhe nga pamjet Shkodra dhe fshatrat rrotull saj janë zhytur nën ujë.

Sipas policisë, të gjitha zonat e përmbytura janë mbuluar me efektiva policie, të cilët janë atashuar pranë Komunave dhe në fshatrat problematike me shërbim 24 – orë pa ndërprerje.

Aksionet e uniformave blu janë përqendruar kryesisht në zonat më problematikë, si në fshatrat e Komunës Dajç, në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit, në fshatrat Mali i Jushit e Trush i Poshtëm të Komunës Bushat, në fshatrat e Komunës Bërdicë, në fshatrat Kuç, Renc e Vukatanë të Komunës Guri i Zi, në fshatrat Ças, Pulaj e Reç te Komunës Velipojë, në lagjet periferike të qytetit buzë Liqenit të Shkodrës, si dhe në lagjet në hyrje të qytetit, si ajo Xhabije, Tophanë apo Livadë.

Sikundër informohet përgjatë harkut kohor të katër ditëve strukturat e Policisë së Shtetit kanë evidentuar gjithsej 387 kërkesa për ndihmë nga familjarë të zonave të përmbytura, të cilëve u është dhënë ndihma e nevojshme kryesisht për evakuimin e tyre, për trajtimin mjekësor, apo për sigurimin e bazës ushqimore.

“Me përparësi janë trajtuar rastet e personave të sëmurë, të të miturve dhe të moshuarve, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë evidentuar 37 ndërhyrje të tilla, janë evakuar dhe akomoduar në qendrat e akomodimit rreth 35 fëmijë të mitur, si dhe në dy raste janë dërguar pranë ambjenteve spitalore një e moshuar nga Komuna Dajç dhe një grua shtatzënë nga lagjia Xhabije, e cila është dërguar pranë maternitetit të Shkodrës për të lindur.

Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë marrë në ruajtje gjithashtu 3 Argjinatura në Komunën Velipojë, Bendin e Malit të Jushit në Komunën Bushat, Stacionin e Pompave në fshatin Trush, Stacionin Qendror të Pompave në fshatin Dobraç, si dhe Depon Qendrore të Ujit në Tepe.

Sipas policisë gjatë kësaj periudhe nuk janë evidentuar probleme apo ngjarje që do të cënonin sigurinë publike në zonat e përmbytura, apo raste kriminale, që do të preknin jetën e banorëve të dëmtuar.

Policia njofton se janë vendosur shërbime të pandërprera policie edhe në të gjitha akset rrugore problematike, që synojnë drejtimin e lëvizjes së automjeteve dhe moslejimin e kalimit të tyre në zonat e përmbytura.

Uniformat blu po shoqërojnë gjithashtu edhe autokolonat me ndihma ushqimore për zonat e përmbytura.

Policia e Shtetit për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur në këtë situatë emergjence kombëtare ka vënë në dispozicion krahas numrave pa pagesë 129 dhe 126, edhe 10 numra të tjerë telefonikë, përmes të cilëve qytetarët mund të kërkojnë ndihmën e shërbimeve policore.

mit/NOA

KOMENTE